Përurohet rruga “Isuf Balta”

Një rrugë e re i shtohet infrastrukturës së Tiranës. Mbi 4 mijë banorë që përdorin çdo ditë rrugën “Isuf Balta” në njësinë 9, nga sot mund të lëvizin më lirshëm, qoftë si këmbësorë apo drejtues mjetesh. Kryetrari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Sadri Abazi, tha se ky investim i rrit vlerën kësaj zone.

“Kjo ka qenë një zonë e pastabilizuar nga ana urbane. Kemi qenë edhe në fushatë këtu, banorët ankoheshin më mungesë investimesh dhe se gjithmonë gjendej një sebep pse gjërat nuk bëhen. Por , roli i bashkisë është gjërat të bëhen”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai falenderoi qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe kanë tërhequr murin për të krijuar një trotuar, ku do të kalojnë fëmijët e të gjithë banorëve të kësaj zone. Veliaj tha se përmes ndërhyrjes së bërë jo vetëm në rrugë, por edhe në ndërtimin e mureve të reja rrethuese më të ulëta, këto shtëpi janë kthyer në vila, duke e bërë rrugën një zonë rezidenciale.

“Rruga ‘Isuf Balta’ është një nga rrugët që preket nga investimet e ardhshme në Bulevardin e Ri. Aty ku ka investime dhe parashikohen disa nga ndërhyrjet madhore, siç është Bulevardi i Ri, do të shikojmë se si do të rritet vlera e pronës, shtëpive dhe aseteve që banorët kanë në këtë zonë”, tha Veliaj. Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga banorët e kësaj zone që pas këtij investimi, ta mirëmbajnë dhe të kontribuojnë për të mos abuzuar me të.

“I lus banorët e kësaj zone që ta mirëmbajnë rrugën, të raportojnë sa herë që ka abuzime. Bashkia e ka të pamundur që të vendosë një polic në çdo kthesë, në çdo rrugë, por besoj që nëse raportojmë, nëse e ndjejmë pronën publike si tonën, pasi edhe kjo rrugë është bërë nga taksat e qytetarëve, dhe nëse kujdesemi që ajo të ruhet, atëherë investimet kanë jetë më të gjatë”, tha Veliaj. Ai shtoi se sa më të gjatë ta ketë jetën investimi, aq më të gjatë e ka prona e gjithë secilit që shikon vetëm rritjen e vlerës.

Kryebashkiaku tha se në një vit, sipas llogaritjeve të tregut imobiliar vlera e pronës në Tiranë është rritur mesatarisht 15%. “Kjo do të thotë se për një qytetar, i cili para se kjo administratë të fillonte punë, kishte një shtëpi që mund të vlente 100 milionë lekë, sot ajo shtëpi vlen 115 milionë lekë. Besoj se është një lajm i mirë që me investimet që ka bërë Bashkia e Tiranës, me pastrimin, me përmirësimin e infrastrukturës, prona e çdo qytetari të Tiranës mesatarisht është rritur me 15%”, sqaroi Veliaj.

Ai theksoi se rritja e vlerës së pronës është ajo që i mban qytetet në zhvillim. “Për sa kohë që prona e qytetarëve të Tiranës vazhdon e rritet, do të thotë që Tirana mbetet qyteti më atraktiv sot për të investuar dhe besoj se bashkia, me planin ambicioz që kemi jo vetëm për njësinë nr. 9, do të shikojmë që prona e qytetarëve deri në fund të këtij mandati do kapë vlerat maksimale që mund të ketë pasur ndonjëherë në vitet e fundit. Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që e kanë lidhur jetën e tyre me qytetin e Tiranës”, përfundoi Veliaj.

Rruga “Isuf Balta” kufizohet me rrugën “Jordan Misja” dhe “Vangjel Gjikondi”, dhe ndodhet në Njësinë Administrative Nr.9. Ajo ndihmon në lehtësimin e lëvizjes së mjeteve dhe të rreth 4.000 banorëve të zonës. Krahas shtrimit të rrugës dhe tubacioneve, projekti parashikoi edhe ndërtimin e 450 metra linear mure rrethues të rinj.