Prezantohet projekt – buxheti i 2017

Bashkia e Tiranës nisi sot nga Njësia Administrative Nr. 5 prezantimin dhe konsultimin me qytetarët të projektbuxhetit për vitin 2017, proces që do të vijojë në të 24 njësitë administrative të Tiranës. Në fjalën e tij, para banorëve të Njësisë 5, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Buxheti 2017 është gati 3 herë më i madh se ai i vitit 2014, ndërsa siguroi se paketa fiskale që e shoqëron atë nuk do të sjellë asnjë rritje taksash për qytetarët e Tiranës.

“Bashkia sot nuk është perfekte, por është të paktën 2 herë e gjysmë më e mirë kur vjen puna tek të ardhurat dhe buxheti. Nga tani e tutje nuk krahasohemi më me atë që lamë, por duhet të krahasohemi me buxhetin e suksesshëm të vitit 2016 për të ecur përpara. Ky buxhet është tre herë më i madh se buxheti i vitit 2014 dhe është 30% më i lartë se buxheti që kishim vjet. Pra, e thënë troç: Do të shtojmë me 1/3 masën e investimeve në të gjithë Tiranën dhe nëse ky vit ishte vit i mirë, imagjinoni sa i mirë do jetë viti tjetër në terma të investimeve dhe punës konkrete që do të bëjmë në territorin e Tiranës”, tha Veliaj.

Pavarësisht këtij fakti, ai theksoi se për vitin 2017 do të rriten më tej investimet që do të mbështeten nga buxheti i bashkisë, duke garantuar se ato do të prekin të gjitha njësitë administrative. “Lajmi i dytë më i mirë është se do ta bëjmë këtë pa i rritur taksat”, bëri të ditur Veliaj. Nga ana tjetër, ai theksoi se për vitin që po mbyllet Buxheti i Bashkisë së Tiranës ishte 2.5 herë më i lartë se Buxheti i vitit 2014, kur bashkinë e drejtonin të djathtët, ndërsa investimet pësuan një rritje me gati dy herë. Ai theksoi se vetëm nga donacionet u siguruan gati 5 milionë dollarë investime, ndërsa u mundësua shlyerja e pjesës më të madhe të borxheve të akumuluara dhe të trashëguara nga qeverisja e mëparshme e bashkisë.

“Gjetëm një shtëpi me borxhe 53 miliardë lekë, pra gjetëm më shumë borxhe në bashki se sa vetë buxheti i bashkisë. Më vjen mirë që 60% e borxhit të Bashkisë është i larë dhe jo vetëm kaq, por kemi bërë disa ndryshime që ne si të majtë i kemi besuar gjithmonë”, tha Veliaj. Ai theksoi se falë mbledhjes më të mirë të taksave dhe tarifave, por edhe administrimit më të mirë të parave publike, është bërë e mundur që Bashkia e Tiranës të ndërmarrë një sërë nismash që nxisin si arsimimin, ashtu edhe zhvillimin e biznesit dhe punësimit në qytet.

“Për herë të parë, pas 4 vitesh rikthyem bursën për studentët dhe nxënësit e shkëlqyer. Sapo na ka ardhur lista nga DAR, i vitit arsimor që u mbyll dhe brenda këtij muaji, pra para festive, të gjithë do të marrin bursën e ekselencës nga Bashkia e Tiranës”, shtoi Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës bëri të njohur edhe disa nga projektet madhore të cilat do të realizohen përmes buxhetit të vitit 2017, duke renditur edhe pesë investimet strategjike për vitin 2017, ku si pikë të parë renditi investimet në shkollat e reja.

“Si projekt strategjik, është projekti i 20 shkollave të reja të Tiranës, për t’u siguruar që të gjithë grupmoshat, çerdhe, kopësht, shkollë, i kemi të sistemuara në Tiranë”, tha Veliaj. Një tjetër projekt i parashikuar nga bashkia do të jetë dhe zgjatimi i lumit të Lanës. “Kemi marrë vendim për zgjatjen e Lanës, me bulevard, shëtitore, me 4 korsi nga të dy anët dhe me shtrat të rehabilituar në të dy ekstremet. Nga Materniteti i Ri do të shkojmë deri në Shkozë, pra do të vazhdojmë bulevardin dhe do ta çojmë deri te Ura e Kasharit, sepse besojmë që zgjatja me 1.5 km, së pari disiplinon rrjedhën e ujit, së dyti i shton shumë vlerën, pronave të njësisë tuaj”, tha ai.

Si investim të tretë strategjik pas shkollave dhe zgjerimit të Lumit të Lanës, kryebashkiaku vlerësoi pyllin orbital, që parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja. “Propozimi që kemi me planin e ri urbanistic, Pylli Orbital është projekti më ambicioz i bashkisë. Ajo që na ka propozuar arkitekt Boeri, është fakti që Tirana ka nevojë që të ketë një mushkëri të madhe dhe duhet që në 15 vitet e ardhshme të mbjellim 2 milionë pemë. I mbjellim dot brenda ditës? Jo. Por do e fillojmë që në 2017-ën këtë projekt dhe do të vëmë një buxhet të veçantë, vetëm për të shtuar pyllin orbital në Tiranë dhe për ta rrethuar gjithë Tiranën me një pyll”, tha Veliaj.

Një kujdes të veçantë për vitin 2017 nga ana e Bashkisë së Tiranës do t’i kushtohet edhe projektit madhor të Terminalit të Transportit, ku shumë shpejt do të fillojë puna me terminalin perëndimor te kthesa e Kamzës dhe me terminalin lindor në Farkë. Një tjetër projekt i prezantuar nga kreu i Bashkisë ishte dhe ndërtimi i rrjetit të biçikletave dhe i transportit publik. “Arkitektët e planit të ri urbanistik kanë propozuar që dy Unazat e reja të Tiranës të jenë ekskluzivisht vetëm për këmbësorë, vetëm për autobusë dhe biçikleta. Gjersa komuniteti është trefishuar duhet t’i përgjigjemi edhe me investime. Rrjeti minimal i biçikletave, ku korsia është e dedikuar dhe e mbrojtur nga makinat e autobusët, është mënyra se si e shohim të ardhmen e transportit publik në Tiran”, tha Veliaj.

Duke u ndalur specifikisht në investimet që do të kryhen në Njësinë Nr.5, Veliaj garantoi ndërtimin e një ure të re te ish ekspozita “Shqipëria Sot”. Sipas kreut të bashkisë, një tjetër investim do të jetë dhe përfundimi i Parkut Olimipik. “Premtimi për vitin tjetër është se do të bëjmë të gjithë investimin e brendshëm, të gjitha palestrat, terrenet sportive, nga stolat te ngrohja, kamerat e sigurisë dhe pastaj plani është që të fillojmë edhe me pishinat olimpike, që parku olimpik në kohën që nuk përdoret nga të lojtarët e Kombëtares, të jetë po ashtu për komunitetin, fëmijët që duan të marrin kurse noti, të merren me sport. Ky është një ndër investimet më të mira për njësinë 5”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë premtoi rikualifikimin urban në bllokun e pallateve te Selvitë, bashkë me rrugën e Zamit si dhe përfundimin brenda vitit të tregut te “Komuna e Parisit”, për të cilin është firmosur kontrata dhe do të fillojë zbatimi i projektit. Gjithashtu, për vitin e ardhshëm do të realizohet rehabilitimi dhe instalimi i sistemit ngrohës dhe gjithë terreneve sportive të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, ndërsa lajmëroi se Bashkia e Tiranës është duke parë mundësinë e ndërtimit të një shkolle të re 9-vjeçare.

“Do vijojmë të ndërhyjmë për ndriçimin e disa rrugëve që janë pa ndriçim, duke synuar kompletimin 100%. Momentalisht kemi 72% të ndriçimit të njësisë; ju kujtoj e gjetëm 30%, është dyfishuar ndriçimi, por s’jemi ende 100%. Kemi bërë një listë të gjithë rrugëve që duan një shtresë të ri asfalti, trotuare, si ky te “Petro Nini”. Ndërkohë, kemi një listë rrugësh që duan gjelbërim, mbjellje pemësh, vendosje koshash, shtim sipërfaqesh të gjelbra, rehabilitim të hapësirave publike etj”, përfundoi Veliaj.

Deputeti i PS, Pandeli Majko theksoi se Njësia Administrative Nr. 5 dhe kryeqyteti nën drejtimin e kryebashikakut Veliaj po përjeton një ndryshim rrënjësor. “Ndryshimi i Njësisë 5 është një ëndërr që duhet ndjekur. Njësia 5 po kthehet në një standard të mirëfilltë për punën shumë të mirë të Bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj mbetet protagonisti kryesor i këtyre ndryshimeve. Këto ndryshime tanimë ndihen nga Selita, duke vazhduar në zonën e Bllokut; ndryshime të cilat nuk është nevoja që të bësh listë, pasi secili në mënyrën e vet ka filluar ta kuptojë që ndryshimi jo thjesht ka trokitur, por ai ka filluar”, përfundoi Majko.