Prezantohet projektbuxheti i 2017 në Njësinë Administrative Nr. 4

Në vijim të konsultimit me qytetarët e Tiranës, Bashkia e Tiranës prezantoi projektbuxhetin e vitit 2017 në Njësinë Administrative Nr. 4. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali vlerësoi punën e bërë gjatë këtij viti në realizimin e projekteve të parashikuara dhe theksoi se borxhi i mbledhur nga Bashkia, si pasojë e keqmenaxhimit të administratës së kaluar, ishte tepër i madh. Në fjalën e saj, Paskali u shpreh se falë punës së bërë, buxheti aktual është më i madhi që ka pasur ndonjëherë Bashkia e Tiranës.

“Ka pasur një rritje të realizimit të të ardhurave të Bashkisë së Tiranës dhe kjo është bërë duke rritur bazën e taksapaguesve. Kjo është përkthyer më pas në investime në rrugë, investime në kopshte, në çerdhe, në shkolla. Kemi rritur bazën e taksapaguesve, kemi mbledhur më shumë të ardhura dhe kemi bërë investime”, tha Paskali. Nënkryetarja tha se gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës ka realizuar në kryeqytet një sërë investimesh strategjike, siç është zgjatimi i Bulevardit të Ri, Pazari i Ri, sheshi “Skënderbej”, zgjerimi i Lumit të Tiranës, që do të parandalojë në të ardhmen përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura, si dhe fillimi i punimeve për dy parkime të mëdha nëntokësore. Duke nënvizuar se edhe gjatë vitit 2017 nuk do të ketë rritje të taksave, por vijim të punës për miradministrimin e tyre, Paskali prezantoi disa nga projektet madhore për kryeqytetin. Sipas Paskalit, në fokus të investimeve edhe për këtë vit do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në shkolla, kopshte dhe çerdhe.

“Bashkia e Tiranës ka në të gjithë territorin e saj 191 shkolla publike, pra flasim për shkolla 9-vjeçare dhe shkollat e mesme. Kemi menduar skemën në partneritet publik-privat. Kjo do të bëjë që të kemi të gjitha shkollat brenda një afati kohor sa më të shkurtër, akomodimin e nxënësve në të gjitha këto shkolla në afat kohor të shkurtër dhe shlyerjen e tyre nëpërmjet kësaj skeme, të partneritetit publik-privat. Ky është projekti i parë i yni për vitin 2017”, tha ajo. Si projekt të dytë, Paskali theksoi vijimin e punës për sistemimin dhe zgjerimin e shtratit të Lanës.

“Lana në pjesën qendrore të Tiranës ku janë bërë punimet, është sistemuar e rregulluar, por në dy segmentet fundore janë ato ku ka problematika. Te Pallati me Shigjeta, Lana del gjithmonë nga shtrati dhe krijon përmbytje; apo nga ana tjetër, në Shkozë, ku përfundon te Materniteti i Ri, ka përsëri problematika. Këto janë dy akset e Lanës ku do të investohet në vitin në vijim. Pra, do të fillohet nga Pallati me Shigjeta deri tek Ura e Unazës së Madhe që kufizohet nga Kashari dhe pjesa e dytë do të jetë nga Materniteti i Ri deri në urën e Shkozës, projekt ky i miratuar dhe i financuar nga qeveria qendrore”, tha Paskali, e cila sqaroi se Bashkia e Tiranës po përfundon planin e shpronësimeve dhe pastrimin e territorit nga objektet. Një plan tjetër që pritet të zbatojë Bashkia e Tiranës gjatë vitit 2017 do të jetë edhe puna për Pyllin Orbital, që parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve, të cilat do të rrethojnë kryeqytetin.

Lidhur me investimet që janë kryer në njësinë nr. 4 gjatë këtij viti, nënkryetarja Paskali tha se nga 201 milionë lekë investime të reja të premtuara fillimisht, janë realizuar në total 656 milionë lekë. Paskali deklaroi se gjatë një viti është mundësuar rikualifikimi urban i bllokut që kufizohet nga rruga e “Dibrës”, “Njazi Meka”, “Niko Avrami” dhe “Grigor Perleçev”, rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike në Tufinë. Aktualisht, Bashkia e Tiranës po punon për asfaltimin e rrugës “Shefqet Kuka”, ndërkohë brenda këtij viti fillon rikonstruksioni i rrugës së Dibrës (Farmacia 10 deri tek Oxhaku), si dhe fillojnë punimet për segmentin rrugor, rruga “Hysen Xhura” që lidh rrugën “Xhanfize Keko” dhe “Kahreman Ylli”, ndërsa në vëmendje do të jetë dhe mirëmbajtja dhe pajisja me ndriçim i rrugëve ekzistuese.

Në vëmendje të Bashkisë së Tiranës gjatë këtij viti kanë qenë dhe ndërhyrjet e realizuara në 5 shkolla, 5 kopshte dhe 2 çerdhe që ndodhen në territorin e kësaj njësie, ndërsa është bërë i mundur, ndërtimi i një këndi lojërash, gjelbërimi e rehabilitimi urban, lulishtja te Brryli dhe është ndërhyrë për shtrimin dhe gjelbërimin urban në hapësirat publike të zonës së Alliasit. Nënkryetarja e bashkisë njoftoi se brenda muajit do të nisin punimet për rehabilitimin e fasadave në godinat publike në rrugën e “Dibrës”; rikualifikimi i bllokut në Allias, ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në zonën që kufizohet nga rrugët “Myslym Keta”, “Shefqet Kuka” dhe “Thoma Filipeu”. Sa i takon investimeve për vitin 2017 në njësinë nr. 4, nënkryetarja e Bashkisë u shpreh se ato kapin vlerën e 300 milionë lekëve.

“Është menduar rikonstruksioni i infrastrukturës rrugore të bllokut që kufizohet nga rrugët “Njazi Meka”, “Grigor Perleçev”, “Niko Avrami”, “Spiro Çipi”, “Fitnete Rexha”, “Myslym Keta”, “Skënder Vila” dhe Lumi i Tiranës. Është një investim shumë i gjerë që përfshin edhe infrastrukturën e këtyre rrugëve. Gjithashtu, do të realizohet edhe rikonstruksioni i rrugës “Imer Ndregjoni”. Ideja jonë ka qenë që investime që do të kryhen të mos bëhen në segmente apo rrugë të vogla, por të bëhen në blloqe të mëdha për t’i dhënë impakt të gjithë zonës dhe për sa më shumë qytetarë të Tiranës”, tha Paskali, ndërsa kërkoi edhe sugjerime nga banorët e kësaj njësie në mënyrë që buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2017 të jetë sa më pranë qytetarëve.