Prezantohet projekti për Parkun Qendror te Bulevardi i Ri

Me një sipërfaqe 6 herë më të madhe se Parku Rinia, Parku Qendror i Bulevardit të Ri do të jetë mushkëria e re e kryeqytetit. Pas sheshit “Skënderbej” dhe parqeve te Liqeni i Tiranës, në Farkë dhe Kashar, Parku Qendror do të jetë një nga pjesët më kreative të qytetit, i ngjashëm me parqet më moderne në vendet më të zhvilluara të Evropës.

Bashkia e Tiranës zhvilloi sot një dëgjesë publike për prezantimin e projektit dhe ku morën pjesë anëtarë të Këshillit Bashkiak, arkitektë, urbanistë, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se për herë të parë është gati një projekt i plotë jo vetëm për ndërtimin e Bulevardit të Ri, por edhe i zhvillimit të të gjithë zonës. Ai tha se është bërë një punë 2-vjeçare për studimin me detaje për përmirësimin dhe zhvillimin e zonës.

“Për herë të parë kemi jo vetëm projektin infrastrukturor të Bulevardit, por edhe të një lagjeje të tërë të Tiranës, që deri në përfundimin e saj do të ketë rreth 100 mijë banorë. Pyetja është: A do funksionojmë si qytet në kushte emergjence apo ndoshta duhet të mendojmë në terma afatgjatë?”, tha Veliaj, duke nënvizuar se ky projekt vjen si standard i një testamenti urban për qytetin dhe i planifikimit të çdo lagjeje, duke filluar nga vendodhja e çerdheve, kopshteve, shkollave, kanalizimet, uji, telefonia, interneti, si dhe gjithë infrastruktura mbështetëse si parqet apo këndet e lodrave.

Duke u ndalur në Planin Vendor për zhvillimin e zonës së re, kryebashkiaku shtoi se në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak do të miratohet edhe pjesa e fundit e tij, që është pikërisht projekti i Parkut Qendror. Duke e cilësuar një moment historik për Tiranën, Veliaj tha se puna do të vijojë pa humbur kohë me ritme të shpejta. “Jemi në një moment historik për Tiranën, ku për herë të parë kalojmë një plan të detajuar vendor për një mëhallë të tërë, e cila praktikisht do të bëhet nga fillimi. Në Bashkinë e Tiranës punojmë përditë sikur të jetë fushatë sepse në momentin e parë që humbasim ritmin e gjërave, atëherë edhe ky projekt do të bëhet si shumë të tjerë, që nuk mbarojnë kurrë”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se projekti i “Bulevardit të Ri” do të jetë një gjenerues të ardhurash për bashkinë. “Gjëja e parë që bëmë është 10-fishimi i taksës së ndërtimit. Ndërtuesit nuk janë të lumtur për këtë. Sot të bësh një pallat mesatar në Tiranë, duhet t’i paguash 1 milionë euro taksë bashkisë. Po si mendoni ju, me çfarë bëhen shkollat, kopshtet, çerdhet, me çfarë pastrohet Tirana, me çfarë mbillen pemët, me çfarë organizohet e gjithë infrastruktura e këtij qyteti, me çfarë lekësh ndërtohen të gjitha këto investime, nga Sheshi “Skënderbej” te ky bulevard, te rrugët, te këndet e lodrave, te çdo gjë që ne inaugurojmë përditë? Nga taksat. Dy mundësi janë, ose do taksosh ata që mund të mbajnë më shumë, që janë ndërtuesit, ose do taksosh ata që janë më pak, që marrin më pak, por që janë shumica e popullsisë, që janë familjarët”, theksoi Veliaj.

Ai tha se sipërmarrja do të kontribuojë jo vetëm për rritjen e të ardhurave të Bashkisë, të cilat do të përdoren për të mira publike, por njëkohësisht edhe për të gjeneruar punësim. Vetëm nga projektet e zhvillimit në bulevard, do të punësohen gjer në 30 mijë punonjës, duke dhënë një impakt pozitiv në ekonominë e qytetit. “Vetëm nga projektet e zhvillimit në Bulevard do të punësohen 30 mijë njerëz, që do punojnë vetëm për të ndërtuar këtë lagje të re të Tiranës. Janë 30 mijë rroga që shkojnë në shtëpi, janë 30 mijë sigurime shoqërore që paguhen, 30 mijë pensione nesër, fëmijë në shkollë. Kështu që, efekti ekonomik është po aq i rëndësishëm sa efekti urbanistik i qytetit tonë, efekti që sjell pastaj me punësimin, me zhvillimin, me vlerën e pronës, me gjithë bizneset që do të zhvillojnë”, u shpreh Veliaj.

Projekti i Bulevardit të ri do të rrisë jo vetëm gjelbërimin në kryeqytet, por njëkohësisht do të zgjidhë edhe disa çështje të strehimit në Tiranë. “Tirana është vend i mundësive. Ajo është e destinuar të rritet dhe kemi dy mundësi: të bëjmë sikur kjo nuk ekziston dhe sikur nuk e shikojmë ose ta pranojmë që ky është fakt, me të cilën duhet të përballemi dhe të planifikojmë”, tha ai. Vetëm me projektin e kredive të buta, në kryeqytet priten që të shiten rreth 1 mijë apartamente. Kryebashkiaku Veliaj tha se në ato zona ku Bashkia ka ndërhyrë për përmirësimin e infrastrukturës vlera e pronës është rritur, ndërsa për apartamentet e reja, pavarësisht taksës së vendosur për ndërtuesit, çmimi ka rënë.