Projekt pilot për 24/7 ujë dhe heqjen e depozitave

Kompania publike e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës do pësojë një transformim të plotë, me synim rritjen e nivelit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Bashkia e Tiranës dhe USAID nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për të bërë të mundur modernizimin e UKT-së dhe aplikimin e një sistemi të ri faturimi dhe kontabiliteti. Marrëveshja u firmos nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, si dhe drejtori i Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore në vendin tonë, Peter Clavelle.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila vjen në prah të Ditës Ndërkombëtare të Ujit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ajo synon konsolidimin financiar të UKT dhe Bashkisë  së Tiranës. “Ashtu siç e kam thënë edhe për ndërmarrje të tjera, ku ne jemi aksionarë, qoftë ky klubi i futbollit apo ndërmarrje të tjera, Bashkia e Tiranës nuk mund të jetë një dyqan pa inventar. Ne duhet të jemi një bashki moderne. Kjo është arsyeja pse me konsolidimin financiar që bëjmë sot, duke shkrirë në një faturë të vetme të gjitha detyrimet e bashkisë, kemi mundësi që të kontabilizojmë më mirë të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, si dhe të kemi mundësi të shëndoshim financat, të cilat pastaj përkthehen në punë publike”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai theksoi se kjo marrëveshje vjen edhe si pjesë e modernizimit të shërbimeve që ofron bashkia për qytetarët e saj, duke përmbledhur në faturën e ujit edhe disa taksa dhe tarifa, të cilat kanë ekzistuar në të njëjtat nivele edhe më parë, por që për shkak të paaftësisë menaxhuese nuk janë mbledhur. “Një qytetar thotë me të drejtë: Unë nuk jam kundër taksave, por nuk mund të kaloj disa ditë në muaj pas ujit, pronës, taksave të tjera, ndërkohë që shteti duhet të më sjellë një faturë dhe mundësisht t’i vërë të gjitha në një vend. Kjo është pikërisht ajo që bëjmë sot me këtë marrëveshje: Çojmë modernizimin në atë nivel, ku duke nisur nga ky muaj, secili që merr faturën e ujit i ka të përmbledhura aty taksat e pushtetit vendor, për të mënjanuar ecejaket, humbjen e kohës dhe kërkesën e pagesës në një moment të caktuar”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Duke iu referuar situatës në të cilën administrata e re e gjeti UKT-në, kryetari i bashkisë evidentoi një borxh prej afro 60 milionë euro, gati dyfish më i madh se borxhi që kishte vetë bashkia. Por, sipas tij kjo është vetëm një pjesë e situatës kritike në të cilën u gjet kjo kompani, pasi ai është shprehur se problemet më të mëdha janë në rrjetin e shpërndarjes. “Aksionarët e qytetit të Tiranës janë borxhlinj ndaj palëve të treta të kontraktuara për punë publike që nuk e kanë rritur detyrimisht performancën e Ujësjellësit, pasi ne kemi një situatë skandaloze për sa i përket humbjeve në rrjet. Një situatë që sipas përllogaritjeve tona, 70% e ujit që shkon në rrjetin e UKT humbet në sistem. Një pjesë e madhe humbet në tubacionet që lidhin depozitat tona dhe furnizimin tonë kryesor me ujë me bashkinë e Tiranës, kryesisht ku kalon në territorin e bashkisë së Kamzës dhe Paskuqanit”, shtoi Veliaj.

Si pasojë e kësaj problematike të gjithanshme, Veliaj theksoi se administrata e re trashëgoi një qytet ku në rastin më të mirë, në disa lagje ka pasur 11 orë ujë në ditë. “Sot situata ka ndryshuar, nuk është ndonjë ndryshim i jashtëzakonshëm, por në pak muaj dhe ditë të administratës së re, ne kemi arritur në një situatë ku janë ulur me 2% humbjet dhe është shtuar me dy orë furnizimi me ujë të pijshëm. Megjithatë, është shumë pak dhe vite dritë larg ambicies që kemi për të pasur sa më shumë zona me 24 orë ujë në qytetin e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi edhe disa nisma të tjera që pritet të vihen në zbatim në ditët në vijim, fillimisht me anë të disa projekteve pilot. Një prej tyre është ai për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, jo vetëm si një burim papastërtish dhe infeksionesh, por edhe një shëmtie estetike. Por, që ky projekt të jetë i suksesshëm, kryebashkiaku ka bërë të ditur se ai do shoqërohet me një tjetër projekt pilot që ka të bëjë me furnizimin me ujë 24 orë të këtyre lagjeve. “Përveç estetikës, është një rrezik për qytetin dhe qytetarët e Tiranës. Mezi pres kësaj jave që të fillojmë promovimin e disa prej këtyre zonave dhe të shikojmë se si qytetarët heqin depozitën për të pasur ujë 24 orë dhe për të mbyllur këtë mandat me një situatë shumë herë më të pranueshme për furnizimin 24 orë në qytetin e Tiranës, se sa ajo që gjetëm”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Ai paralajmëroi edhe marrjen e disa masave të tjera në drejtim të kufizimit të humbjeve në rrjet dhe që kanë të bëjnë kryesisht me bashkitë e tjera që kanë aksion në UKT. “Ne do të kërkojmë që këto bashki të largohen nga UKT-ja, të krijojnë Ujësjellës-Kanalizimet e tyre. Nëse duan ta blejnë ujin me shumicë nga Tirana, duhet të paguajnë, e nëse duan ta falin ujin për qytetarët në bashkitë ku nuk paguhet uji, ky është vendimi i tyre. Ne nuk jemi këtu për të marrë vendime se ç’bëjnë ata me ujin e tyre”, përfundoi Veliaj.