Projektbuxheti i vitit 2017 për Njësinë 11

Njësia Administrative Nr. 11, që përfshin kryesisht zonën e Laprakës, vitin tjetër do të ketë trefishim të investimeve publike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi sot para banorëve të kësaj njësie projektbuxhetin e vitit 2017, ku edhe parashikohet që për investimet të ketë një trefishim të mbështetjes financiare. Ai theksoi se nga 143 milionë lekë investime për vitin 2016, falë ritmit të punës dhe mbështetjes së donatorëve u 4 fishuan, një pjesë e mirë të cilave prekën infrastrukturën arsimore dhe atë sociale të zonës.

“Është shumë e rëndësishme të bëjmë një llogari sa para premtuam që do shpenzojmë për Laprakën dhe sa para aktualisht kemi kontraktuar për Laprakën. Kur filluam diskutimet e buxhetit, premtuam një vit më parë 143 milionë lekë investime të reja. Sot kur kanë përfunduar disa nga investimet, e disa janë në proces, kemi prokuruar 727 milionë lekë, pra rreth 4-5 herë më shumë sesa ajo që u angazhuam në fillim, falë faktit që patëm 1 vit shumë më të mirë financiar se sa prisnim ose sa ç’gjetëm”, tha Veliaj. Ai renditi një listë të gjatë investimesh që janë realizuar apo janë në realizim e sipër në këtë njësi, përfshi rikualifikimin urban të disa blloqeve të banimit, investimet në çerdhe dhe kopshte, si dhe në krijimin e hapësirave çlodhëse për banorët.

“Kemi rikonstruktuar kopshtin në Kodër Kamëz, kopshtin te Bregu i Lumit, çerdhen nr. 30 te rruga “Pandi Dardha” etj; në total kemi bërë ndërhyrje në 7 shkolla, 4 kopshte dhe 4 çerdhe të njësisë. Besoj ashtu si shumë lagje të tjera, edhe Lapraka do të ketë këndin e parë të lodrave”, bëri të ditur Veliaj. Ndërkohë, sa i përket buxhetit të përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku bëri të ditur se ai vjen në rritje, jo vetëm në raport me vitin më të mirë të bashkisë së shkuar, por edhe në raport me vitin 2016. Ajo që është më e rëndësishmja sipas tij, është se buxheti i ri nuk sjell asnjë rritje të barrës fiskale për qytetarët dhe bizneset, duke ruajtur të njëjtat nivele taksash dhe tarifash.

“Lajmi i mirë është që patëm një buxhet dy herë më të madh se sa ai që gjetëm. Viti që vjen do jetë dy herë e gjysmë më i madh se sa ai që gjetëm. Ky do të jetë një buxhet ku nuk do të ndryshojmë asnjë taksë. Fituam në Gjykatën Kushtetuese betejën për taksën e ndërtimit; unë besoj se ai që fiton miliona nga ndërtimi duhet të paguajë një taksë më të lartë se sa një sanitare, një infermiere apo një edukatore në çerdhe dhe kopshtet tona”, theksoi Veliaj. Sa i përket investimeve strategjike, kryetari i Bashkisë bëri të ditur se do të vijojnë të mbështeten të gjitha kantieret kryesore që janë hapur në Tiranë, si projekti i sheshit “Skënderbej”, projekti i Parkut të Madh të Liqenit, projekti i Parkut Qendror të Tiranës dhe Bregut të Lumit, si dhe projekti i Pazarit të Ri, i cili ai u shpreh se pritet të jetë gati për Ditën e Verës.

“Unaza e Vogël do të mbarojë për festat e nëntorit. Siç e keni vënë re është bërë zhvendosja e nënstacionit elektrik, pas Hotel Tiranës. Sot po betonohej, po hidheshin shtresat e fundit të kanalit ku kalon energjia elektrike; nga nesër do shfrytëzojmë ditët e fundit që kemi me diell para se të nisin përsëri reshjet, për asfaltimin, dhe besoj se deri në fund të muajit do kemi çliruar gjithë atë zonë”, tha Veliaj. Ai informoi qytetarët edhe me vendimin për të nisur pastrimin e Tiranës me ndërmarrjen publike të Bashkisë së Tiranës, “Eco Tirana”.

“Sot, Tirana është më e pastër, por prapë mendoj se mund të bëhet më mirë, mund të jemi më të pastër. Kjo është arsyeja pse në 12 dhjetor fillojmë pastrimin e qytetit me ndërmarrjen publike të bashkisë, për t’u siguruar që nivelin e pastërtisë ta çojmë edhe më lart. Secili në lagjet tona do të ketë dy kosha; një kosh i gjelbër, ku do të hedhim vetëm gjërat që riciklohen, letër, karton, plastikë, metal dhe një kosh blu për mbetjet organike. Shumica e vendeve të botës ka vite që e bëjnë këtë, por më mirë vonë se kurrë”, u shpreh kreu i Bashkisë. Më pas ai iu përgjigj edhe pyetjeve dhe interesit të banorëve të kësaj njësie për projekte të ndryshme, ndërsa u morën shënim sugjerimet përkatëse të ardhura prej tyre.