3 projekte në ndihmë të shtresave në nevojë

Tirana Open Data, këndi i lojërave për fëmijët me aftësi ndryshe dhe riintegrimi i familjeve rome që jetojnë në zonën e Lumit të Tiranës, janë 3 projekte të cilat Bashkia e Tiranës, në bashkëpunimin me UNDP, do t’i realizojë në vijim të konferencës “Tirana Smart City”, që u mbajt në fillim të janarit. Projektet u prezantuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Asistentja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ayse Cihan Sultanoğlu, të cilët vlerësuan ndihmën e donatorëve për zhvillimin e qyteteve dhe sidomos për vënien në jetë të ideve novatore.

Një nga projektet që do të nisë të zbatohet dhe që vjen si një ide novatore e konferencës “Tirana Smart City”, është ajo për krijimin një hapësire virtuale në funksion të transparencës së të gjitha vendimmarrjeve dhe punëve që kryen Bashkia e Tiranës. “Disa prej projekteve do t’i zhvillojmë në mënyrë specifike me UNDP në Tiranë. Ato përfshijnë së pari, kthimin e Tiranës në një qytet transparent ndaj statistikave, informacionit; pra “Tirana Open Data” është një ndër projektet tona kryesore, për t’u siguruar që Bashkia e Tiranës është bashkia më transparente në publik, lidhur me procese online siç janë lejet e ndërtimit, të zhvillimit, marrja e shumë dokumentacioneve, licencave, marrëdhënia financiare, pagesat etj”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Por, një nga projektet më të veçanta të këtij bashkëpunimi, i cili vjen si shembull për një qytet më social dhe solidar, është ai për ndërtimin e një këndi lojërash për rreth 2300 fëmijë të Tiranës me aftësi e nevoja të veçanta. Këndi i lojërave do të ndërtohet në Kombinat dhe do të pajiset me lodra të aksesueshme nga fëmijët me aftësi ndryshe. “Do të ndërtojmë një kënd lojërash ekskluzivisht për fëmijët me aftësi ndryshe, në mënyrë që edhe ata të ndihen pjesë e një qyteti që është më i barabartë, më solidar dhe që nuk vrapon të mbrojë vetëm interesin e shumicës, por edhe të pakicave, siç është rasti me fëmijët me aftësi ndryshe, të cilët gjithashtu meritojnë një dorë nga bashkia për të pasur një fëmijëri që ia vlen të mbahet mend në qytetin e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës u ndal edhe te bashkëpunimi që do të vazhdojë me zyrën e UNDP-së, sa i takon një kategorie tjetër sociale siç janë familjet e komunitetit rom. Veliaj tha se është i vendosur që në bashkëpunim edhe me donatorët, të vijojë procesin e zbatimit të strategjisë për integrimin e komunitetit rom dhe egjiptian. “Jetesa në shtratin e një lumi që përmbyt gjithë Tiranën nuk është zgjidhje. Ndaj, besoj te një zgjidhje që nuk lë njeri të pakënaqur, por edhe që i adreson problemet në kokë. Pra, të bëjmë edhe reabilitimin e lumit, që qyteti të mos përmbytet, por t’u japim zgjidhje edhe familjeve që gabimisht kanë vendosur të jetojnë në shtratin e lumit, i cili me të filluar shirat do të përmbysë Tiranën nëse nuk ecim me projektin e kanalizimimeve dhe fortifikimit të barrierave”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Veliaj theksoi se bashkia ka vendosur të mos lejojë trajtimin çnjerëzor që i bëhet këtij komuniteti, të cilët përdoren nga biznese të ndryshme, jashtë çdo standardi pune, për të mbledhur mbeturinat e kazanëve. Kjo çështje, tha Veliaj, do të marrë zgjidhje me nisjen nga puna të ndërmarrjes së përbashkët publike të pastrimit që Bashkia e Tiranës ka krijuar me Bashkinë e Veronës, brenda verës. “Me këtë strategji, anëtarë të komunitetit ose çfarëdolloj grupi që deri më sot janë trajtuar dhe përdorur si skllevër, pa sigurime shoqërore, për të rrëmuar në kazanët e Tiranës, do të kenë mundësi për një jetë më dinjitoze dhe punësim të sigurtë në impiantin e riciklimit të mbetjeve në Sharrë. Kështu, nesër ata do të kenë një pension, ndërsa ne një qytet më të pastër”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, lidhur me çështjen e pallateve te Diga e Liqenit Artificial, Veliaj garantoi qytetarët e Tiranës se bashkia nuk do lejojë kurrsesi që 5 pallatet të ndërtohen në këtë zonë. “Vendimi i 1 korrikut nuk e prek fare lejen, nuk shton shans që aty të ndërtohet. Më vjen keq që edhe kryetari i gjykatës administrative u bë pjesë e kushërinjve dhe aksionarëve. Do të ishte në nderin e tij që në çdo temë, jo vetëm në këtë që është më periferike, të mbrojë interesin publik të qytetit, jo të ryshfetit. Kjo është arsyeja pse kemi debat të madh për reformën, por dua t’i garantoj qytetarët se te Diga nuk do të ndërtohet. Ata mund të blejnë disa njerëz, mund t’i blejnë në pak kohë, por nuk mund të blejnë të gjithë njerëzit e këtij qyteti, nuk mund të blejnë gjithë kohën”, u përgjigj Veliaj.

Ndërkohë, Asistentja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ayse Cihan Sultanoğlu shprehu kënaqësinë për formalizimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me Bashkinë së Tiranës, duke theksuar se UNDP i konsideron qytetet si asete, zgjidhje dhe motor të zhvillimit ekonomik e social. “Ekzistojnë shumë sfida për t’i mbajtur qytetet në një mënyrë të tillë për të krijuar vende pune dhe prosperitet, ndërkohë që nuk dëmtohet mjedisi dhe burimet që ai ka në dispozicion. Këto sfida mund të tejkalohen vetëm duke i lejuar këto qytete që të vazhdojnë të lulëzojnë e të rriten e zhvillohen, ndërkohë që përmirësohet shfrytëzimi i burimeve, reduktohet ndotja dhe varfëria. Në këtë rast Tirana nuk bën përjashtim”, deklaroi Sultanoğlu.