Projekti i administratorëve të pallateve

Brenda vitit të ardhshëm 5 mijë pallatet e Tiranës do të pajisen me administratorë. Bashkia e Tiranës prezantoi sot projektin për zgjedhjen dhe regjistrimin e asambleve dhe administratorëve të bashkëpronësisë së pallateve, të cilët do të shërbejnë si zëri i banorëve në marrëdhëniet me Njësitë Administrative dhe Bashkinë e Tiranës. Projekti u paraqit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me administratorët e Njësive Administrative dhe ndërlidhësit e komunitetit. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi zgjedhjen e asambleve dhe administratorëve si të një rëndësie të veçantë për komunitetet, pasi ato do të luajnë rolin e ndërmjetësit mes banorëve dhe pushtetit vendor për të zgjidhur çdo problematikë dhe mosmarrëveshje.

“Dëgjojmë njerëz që grinden për një gërvishtje makine, për një vend parkimi, për djegien e pompës së ujit, se nuk paguajnë lekët e ashensorit etj. Besoj se është detyrë e bashkisë që ta hapë edhe këtë betejë me realitetin dhe kulturën”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Për këtë qëllim, një Task-Force do të nisë zbatimin në terren të këtij projekti, i cili vjen jo vetëm si nevojë për t’i dhënë zgjidhje problemeve të banorëve të pallateve, por edhe si një detyrim që buron nga ligji që është në fuqi. “Vendimi që marrim sot, nisim procesin ku në çdo pallat banorët e atij pallati bëhen automatikisht anëtarë të asamblesë. Nëse nuk vjen në mbledhje të asamblesë, do të votojnë të tjerët. Ata që paraqiten si anëtarë të asamblesë, votojnë kryesinë, e cila përbëhet nga 3-5 veta. Kjo kryesi mandatohet nga banorët që të lidhë kontrata, të intervistojë, të caktojë çmimet, tarifën që paguan secili dhe të caktojë një administrator në një marrëdhënie kontraktuale”, u shpreh Veliaj, duke bërë të ditur edhe etapat e zbatimit të projektit.

Ai e konsideroi zbatimin e këtij projekti një sfidë të jashtëzakonshme, të cilës Bashkia e Tiranës ka vendosur t’i shkojë deri në fund për t’i dhënë zgjidhje një prej çështjeve më të mprehta, që pavarësisht përpjekjeve, asnjëherë nuk i është dhënë zgjidhje. Sipas kryebashkiakut Veliaj, zgjidhja e këtij problemi ndikon direkt në jetën e përditshme të çdo qytetari të Tiranës, pasi kështu do të kenë mundësi dhe një vend ku mund të ankohen, por edhe të diskutojnë për të zgjidhur çdo shqetësim që vjen nga jetesa në komunitet. “Ky është një eksperiment i dobishëm. Ajo që filluam në njësinë 5 dhe 10 na tregoi se ka sukses, pra qytetarët e mirëpresin projektin tonë”, tha ai. Gjithashtu, kryetari i bashkisë theksoi se ky projekt përveç përfitimeve që sjell në aspektin e menaxhimit të problematikës së banorëve të pallatit, është edhe një mundësi e mirë punësimi për të gjithë ata që do të zgjidhen administratorë të pallateve. Ai u shpreh se bashkia do të sigurohet që puna të bëhet me standard, në mënyrë që edhe rezultatet e procesit të jenë ato që priten.

“Çdo administrator pallati do të trajnohet nga bashkia dhe do të marrë një certifikatë. Pra, do të hyjë në një treg profesionesh që njihet me ligj, profesioni i administratorit të bashkëpronësisë. Nesër do të hapet një treg i administratorëve, ku do të garojnë ata që e bëjnë punën më mirë, në bazë të eksperiencës dhe aftësisë për të punuar me një bllok pallatesh”, shtoi Veliaj. Ai tha se bashkia do të stimulojë dhe mbështesë edhe një rol më të madh të komuniteteve të pallateve apo lagjeve për të realizuar dhe zgjidhur problematika të ndryshme, por edhe projekte të reja që risin cilësinë e jetës në Tiranë.