Projekti i sheshit të ri “Skëndërbej”

Tirana do të ketë një shesh të sajin qendror, kushtuar tërësisht këmbësorëve, me gurë dhe bimësi nga të gjitha krahinat shqiptare. Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot projektin e sheshit të ri “Skëndërbej”, zbatimi i të cilit do të nisë nga muaji qershor, pasi të jetë diskutuar më parë me të gjithë qytetarët e Tiranës. Të pranishëm në këtë prezantim të parë ishin kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak, arkitektë, urbanistë dhe qytetarë të interesuar. Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama, e cilësoi projektin të një rëndësie të veçantë dhe theksoi se ai i arrin t’i japë qytetit qendrën e merituar.

“Ky projekt është me rëndësi sepse është në zemër të Shqipërisë, në Tiranë, ku është edhe zemra e shqiptarëve. Bëhet fjalë për vazhdimin jo pasiv, por krijues, të një projekti të nisur vite më parë, që Tirana të ketë një shesh, i cili në hapësirën e tij t’u ofrojë banorëve një pikë referimi të palëvizshme. Ka ndodhur që projekti ynë të kritikohet pse ne po transformojmë sheshet e qyteteve, në dritëshkurtësinë se njerëzit nuk përfitojnë ekonomikisht. Në fakt, historia njeh vetëm një rast kur qeveria dhe vendimmarrja për të financuar zhvillimin e komuniteteve u fokusua te asfalti është Shqipëria e tranzicionit, mendësia e të cilit kulmoi për keq në qeverinë e kaluar”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke prezantuar elementët e këtij projekti u shpreh se është synuar të mundësohet barazia e sipërfaqes së gjelbër me vetë sheshin. “Kjo do të thotë se kemi përshtatur sheshin me më shumë gjelbërim, duke e çuar këtë në raportet 50 me 50”, tha Veliaj. Më tej ai, theksoi se sheshi do të përfaqësojë unitetin kombëtar, jo vetëm se gjendet në zemër të Tiranës, por edhe për faktin se konceptimi i tij e përfaqëson totalisht unitetin tonë kombëtar.

“Do të ketë elementë të ndërtimit të sheshit, pllaka guri nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë këtu edhe nga Kosova dhe zona të tjera ku jetojnë shqiptarë. Do të ketë edhe një bimësi, e cila do të shtojë gjelbërimin, për ta kthyer këtë edhe në një minipark përveçse në një shesh, ku ne mund të mblidhemi dhe të kemi aktivitetet tona publike”, shtoi Veliaj. Sipas tij, projekti, duke zhvendosur trafikun nga qendra, synon të krijojë gjithashtu një maskë oksigjeni për qytetin. Ai bëri të ditur se sheshi “Skënderbej” nuk do të jetë një hapësirë unike totalitare, por është konceptuar të jetë si një mori sheshesh.

“Dhjetëra hapësira të ndryshme midis ministrive, midis bashkisë edhe xhamisë, dhe Pallatit të Kulturës. E gjithë kjo zonë rreth Muzeut Kombëtar do të ketë disa minisheshe dhe parqe të vegjël, që do të krijojnë mjaftueshëm hapësirë për intimitet dhe për aktivitete publike më të vogla, por sigurisht edhe pjesa qendrore për të siguruar ato hapësira më të mëdha që qoftë për tubime politike apo artistike, apo festa kombëtare, ne mundohemi t’i improvizojmë duke ngritur barrikada për të bllokuar sheshet në raste të këtyre aktiviteteve”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi gjithashtu se ky është një lajm i mirë edhe për punësimin, pasi do të krijojë mundësi për vende pune në këto projekte.

“Ky do të jetë kantieri më i madh publik i Bashkisë së Tiranës. Këtu jemi pranë një kantieri që është Unaza e Vogël. Pak metra më tutje është zona e Pazarit të Ri. Ne parashikojmë që vetëm në këtë kantier do të punësohen 950 deri në 1000 qytetarë të Tiranës në vitin e ardhshëm, pra nga qershori deri në qershorin tjetër, kur ne planifikojmë të mbyllim të gjitha punimet”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë theksoi gjithashtu se është parashikuar që para se të nisë zbatimi i projektit do të zhvillohen një sërë dëgjesash me qytetarët, për të mundësuar thithjen e mendimeve të vlefshme edhe prej tyre.

“Kemi 24 dëgjesa në gjithë territorin e Tiranës, jo vetëm të atyre njësive bashkiake që fillojnë kufirin e tyre ngjitur me sheshin “Skënderbej”, por në të 24 njësitë, sepse mendojmë se ky është një projekt kombëtar. Si dikush që jeton në Shëngjegj, si dikush që jeton në Ndroq, si dikush që jeton në Kashar dhe në Krrabë, është njësoj aksionar i sheshit kryesor të Tiranës dhe kësisoj edhe sheshit kryesor të shqiptarëve”, theksoi Veliaj. “Pas 8 muajve përgatitore, jam më i vendosur se kurrë t’i shkojmë punëve të qytetit deri në fund sepse e di që historia nuk do të shkruhet nga ata që sot bëjnë llogaritë e vogla të politikës, historia do të shkruhet ndoshta nga nipërit dhe mbesat tona, të cilët do të thonë: Ky ishte momenti në historinë tonë ku ne vendosëm që ta përshtatim qytetin tonë për njerëzit, jo për makinat”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi edhe mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve të Tiranës për anomalitë që mund të krijohen në lëvizjen mjeteve apo edhe të këmbësorëve, por nga ana tjetër ai premtoi se nga ana e bashkisë do të punohet me tre turne për të realizuar punimet brenda afateve të parashikuara. Kryebashkiaku bëri të ditur se për të gjithë të interesuarit do të krijohet një stacion në shesh për të parë në teknologjinë 3D projektin e sheshit “Skëndërbej”.

Projekti i sheshit “Skëndërbej” do të realizohet në 12 muaj

Projekti i sheshit “Skëndërbej” do të realizohet në 12 muaj me një shtrirje sipërfaqësore që përfshin edhe pjesë të Unazës së Vogël. Për të shmangur dhe minimizuar ngarkesat dhe mbarëvajtjen në jetën e përditshme të qytetarëve të Tiranës është menduar dhe planifikuar një ndarje e sipërfaqes të projektit në 11 lulishte te vogla të ndryshme. Në secilën nga këto lulishte do të punohet në mënyrë të pavarur, në mënyrë që me realizimin e secilës prej tyre qytetarët të kenë akses përdorimi, pa qenë nevoja të presin 12 muaj, të përfundimit të të gjithë projektit.

Elementët kryesorë të këtij projekti, janë gjelbërimi, gurët natyralë, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vetë sheshit. Gurët natyralë do të jenë në formën e pllakave të gurit, me trashësi 10-12 cm, që do të merren nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. Me këto gurë do të shtrohen rreth 41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare.

Sa i përket gjelbërimit, projekti do të sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Sipërfaqet e gjelbërta do të mbillen me 900 pemë të larta dekorative, 520 drurë frutorë, 954 shkurre të larta dekorative, 4400 shkurre të ulëta dhe 35 mijë rrënjë lulesh. Një risi tjetër për vendin tonë e këtij projekti është këndvështrimi ekologjik i tij duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Në këtë projekt do të ketë rreth 2100 m3 rezervuare për të mbajtur këtë ujë. Gjithashtu, ndriçimi i godinave publike që rrethojnë këtë shesh do të bëhet me sistem panelesh diellore dhe me ndriçues të lehtë.

Nisur nga madhësia e këtij projekti dhe e lidhur kjo me grafikun e punimeve dhe planifikimin e tij, është menduar që të angazhohen rreth 950 punëtorë dhe specialistë të ndryshëm. Ndërkohë, gjatë muajve në vazhdim bashkia do të konsultohet me grupe të ndryshme interesi dhe qytetarë të Tiranës për mënyrën e realizimit të këtij projekti si dhe do të sigurojë komunikim koherent për qytetarët.