Qytetarët i bashkohen nismës dhuro një pemë për ditëlindje

Prej shumë vitesh, Ilia Duka dhe bashkëshortja e tij, Maria, e kanë kthyer në një traditë të bukur shëtitjen në parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Në 75-vjetorin e lindjes, vajza e tij, Blerina, vendosi që ta përjetësojë këtë kujtim me mbjelljen e tre fidanëve në një nga shtigjet ku Ilia dhe Maria shëtisin çdo ditë.

Surprizës së bukur iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Jam shumë i lumtur që e nisëm ditën mbarë me një surprizë për mikun tonë, Ilia, që është një djalë i ri, por me letra sot ka 75-vjetorin. Jam shumë i lumtur që Blerina dhe Maria, dy vajzat e shtëpisë, organizuan këtë surprizë. Nuk besoj se kishte mënyrë më të mirë se kjo për t’i dhuruar tre pemë parkut tonë, në një rrugë të cilën Ilia dhe Maria e përshkojnë çdo ditë në ajër të pastër”, tha Veliaj. 

Ai u shpreh se kjo zonë është pastruar nga të gjitha ndërtimet pa leje që kishin zaptuar territorin dhe nënvizoi se pavarësisht se ishte një vendim i vështirë, falë kësaj nisme, Parku i Liqenit është më i bukur e shfrytëzohet nga të gjithë. “Unë e mbaj mend si ka qenë ky territor: komplet i zaptuar, me ndërtime pa leje, me shkatërrime dhe degradim. Ishte vendim i vështirë, u desh të prishnim disa struktura, por ja ku jemi sot! Vendi është më i bukur dhe shijohet nga të gjithë, nga 1 milionë banorë, jo vetëm nga 2-3 që kishin zaptuar hapësirën këtu. Sot jam shumë mirënjohës sepse në fund të ditës pemët që kam përballë dhe pemët që kemi mbrapa janë mbjellë nga njerëz të thjeshtë, jo nga kompani, por ashtu siç i vajti mendja Blerinës për të kujtuar ditëlindjen e babait duke mbjellë tre pemë. Ky qytet është sukses i njerëzve të thjeshtë”, theksoi Veliaj.

“Nëse ky qytet rri sot në këmbë është falë një shumice të drejtë, të ndershme, që e do qytetin, familjen dhe i shikon të dyja të lidhura bashkë. Asnjë njeri nuk është një ishull, të gjithë komunikojmë me njeri-tjetrin dhe nga sot Ilia dhe Maria do e bëjnë xhiron edhe me tre pemët e tyre, që ne si APR do kujdesemi që të rriten, të lulëzojnë e të japin edhe një shembull edhe për të tjerët”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku ftoi që kësaj nisme t’i bashkohen edhe qytetarët e tjerë. Ai shtoi se një qytetar i mirë nuk është vetëm ai që paguan taksat apo respekton semaforin, por edhe ai që bën më shumë se sa vetëm minimumi, duke mbjellë një pemë apo duke kontribuar si vullnetar në dobi të komunitetit. “Një banor i mirë është ai që paguan taksat, respekton semaforin dhe nuk hedh plehra në tokë. Por, një qytetar i mirë është ai që bën më shumë se sa minimumin, është ai që dhuron një pemë, bën një punë vullnetare, që shërben një pjatë supë. Ndaj, besoj se Tirana ka shumë banorë të mirë, por ka ardhur koha që të jemi edhe qytetarë të mirë, të bëjmë më shumë se sa vetëm minimumin. Jam shumë i lumtur që familja e bukur dhe e mirë e Ilias, Marias dhe Blerinës janë qytetarë të mrekullueshëm dhe për këta qytetarë, unë jam sot pafundësisht mirënjohës”, tha Veliaj.

Në 75-vjetorin e ditëlindjes së tij, Ilia Duka vlerësoi angazhimin e kryebashkiakut Veliaj për nismat e ndërmarra në dobi të qytetit. Shumë qytetarë po zgjedhin që për raste të veçanta si ditëlindje apo përvjetorë, të mbjellin pemë në Tiranë, duke e kthyer këtë nismë në trendin e ri të kryeqytetit. Prej tre vitesh, që kur ka nisur fushata për mbjelljen e pemëve, kryeqytetasit janë sensibilizuar duke u bërë fëmijëve apo prindërve të tyre dhurata të veçanta si mbjellja e një peme.