Rehabilitimi i bllokut të banimit te ATSH

I gjithë blloku i banimit te ish-Agjencia Telegrafike Shqiptare në Njësinë Administrative Nr.2 po i nënshtrohet një transformimi total. Bashkia e Tiranës me financimet e saja ka mundësuar ndërhyrjen për rikualifikimin urban të gjithë lagjes që shtrihet përgjatë rrugës “Fadil Rada” dhe nga e cila përfitojnë rreth 8 mijë banorë. Punimet janë në fazën finale dhe ato janë ndjekur nga afër nga kryetari i Bashkisë së Tiranës i cili theksoi se shumica e banorëve të kësaj lagje kur të kthehen nga pushimet do të ndeshen me një ndryshim rrënjësor të të gjithë këtij blloku.

“Ky hyn në një nga ato investime i cili bëhet pa tender, pa prokurime, pa shpenzuar për investime, vetëm me forcat e Bashkisë, pra me atë fuqi punëtore që Bashkia gjithsesi e ka të punësuar. Më vjen mirë sepse kemi treguar se ku ka vullnet, me pak duk gjërat e mira mund të bëhen dhe në këtë bashki ka vullnet. Më vjen mirë që në njësinë 2, pas disa investimeve që kemi bërë në njësi të tjera, ky është ndoshta rehabilitimi më i madh i një blloku banorësh”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Më tej ai shtoi se ndërhyrja në këtë lagje nuk ka të bëj vetëm me përmirësimin e infrastrukturës, por edhe me lirimin e hapësirave publike dhe krijimin e ambienteve shlodhëse për banorët.

“Më vjen mirë që sot kemi një histori komplet tjetër. Së pari, lagjja është shumë më bashkëpunuese, duhet të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë tokë për të liruar për trotuare, për të liruar për rrugë, pa u grindur dhe pa gjetur arsye pse gjërat nuk bëhen por për të gjetur arsye pse gjërat mund të bëhen me pak kontribut. U jam shumë mirënjohës atyre që kanë dhuruar pemë, kanë dhuruar blloqe betoni dhe infrastrukture”, shtoi kryetari i Bashkisë duke theksuar se në këtë lagje ka më shumë se 30 vite që nuk është bërë asnjë investim publik. Gjithashtu Veliaj bëri të ditur se edhe në këtë zonë falë këtij investimi përfitimi i qytetarëve do jetë I shumëfishtë, kjo pasi nga njëra anë do ti gëzohen përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve dhe nga ana tjetër do kenë një pronë me një vlerë më të madhe.

“Lajmi i mirë sot nga Banka e Shqipërisë është se vlera e pronës në tre muajt e parë të këtij viti në Tiranë ishte rritur me 11%; në tre muajt e dytë të këtij viti me 5.2%. Do të thotë që vetëm në 6 muaj, vlera e pronës është rritur në Tiranë me 16%. Çfarë do të thotë kjo? Nëse ne vazhdojmë të bëjmë investime, vazhdojmë të vëmë asfalt, ndriçim, bëjmë parqe për të moshuarit, kënde lojërash për fëmijët dhe gjithë infrastruktura moderne, rezultati duket menjëherë tek vlera e pronës që rritet. Pra, dikush thjesht sepse ka pasur një bashki në krye të punëve, ka sot një pronë që i vlen shumë më shumë se ç’ i vlente një vit më parë. Por që kjo të mbetet e tillë, duhet t’i ruajmë investimet”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Projekti i rikualifikimit urban të zonës parashikon lirimin e hapësirave publike të uzurpuara në mënyrë të paligjshme, ndërhyrje në infrastrukturën e nëndheshme përfshi kanalizimet dhe në vendosjen e rrjetit të internetit e telefonisë. Gjithashtu është parashikuar sistemimi i rrjetit të ujërave të shiut si dhe ndërhyrja për ndërtimin dhe riparimin e rrugëve dhe trotuareve. Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij projekti është padyshim hapja dhe krijimi i hapësirave publike, si dhe shtimi i gjelbërimit në zonë. Në funksion të kësaj janë parashikuar të krijohen dy lulishte: E para është lulishtja afër hyrjes së bllokut me një sipërfaqe prej 140m2, e cila aktualisht përdoret nga subjektet private. Këtu do të ketë shtim gjelbërimi dhe kënde ndenjjeje për banorët. Ndërsa lulishtja e dytë do të pajiset me gjithë elementet përkatës, gjelbërim, ndenjje, ndriçim. Projekti ka parashikuar po ashtu ndriçim rrugor me shtylla 7.8 m lartësi në rrugë, sipas kushteve teknike, ndriçim i lulishteve me ndriçues të tipit 5.5 m lartësi, si dhe vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale të nevojshme.