Rikonstruktohet biblioteka në Njësinë Administrative nr. 8

Projekti i Bashkisë së Tiranës, “Qyteti lexon” ka vijuar edhe në njësinë nr.8 me rikonstruksionin e bibliotekës dhe pasurimin e saj me tituj të rinj librash. Një ambient i ri që do të shërbejë jo thjesht si qendër leximi, por edhe si një hapësirë rinore për të rinjtë e zonës. I pranishëm në rihapjen e bibliotekës ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili teksa falenderoi donatorët, theksoi se investimi në lexim është investimi më i mirë për të ardhmen.

“Nga të gjitha investimet që kemi bërë në Bashkinë e Tiranës, kjo është më e vogla, por më e dobishmja sepse korsitë e biçikletave, rrugët, ndriçimi, prishen dhe rregullohen, kurse dija, leximi është diçka e pazëvendësueshme”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai shtoi se libri, ndryshe nga teknologjia, ofron dije më të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt, i cili synon rikonstruktimin e të gjitha bibliotekave nëpër lagje, duke i shndërruar ato edhe në qendra rinore, që mund të shërbejnë për aktivitete artistike, sociale, kulturore, sportive, etj.

“Kemi filluar rigjallërimin e bibliotekave dhe fillimisht po i pasurojmë me libra, falë dashamirësisë së donatorëve si Shtëpia Botuese ‘DuDaj’ dhe Raiffeisen Bank. Brenda këtij viti do të fillojmë edhe me rikonstruksionin fizik, që ambientet të jenë më të përshtatshme dhe të manovrueshme për të shërbyer edhe si qendra rinore ose komunitare, ku e gjithë njësia 8 mund të mblidhet për nevojat që ka në komunitet, për të diskutuar planin urbanistik, projektin e sheshit “Skënderbej” etj”, tha Veliaj.

Duke sjellë në vëmendje rëndësinë e librit, kryebashkiaku Veliaj tha se të rinjtë e sotëm duhet t’i kushtojnë më shumë kohë mikut më të vjetër të njeriut se sa rrjeteve sociale. Biblioteka e njësisë 8 u pasurua me disa tituj librash të dhuruar nga shtëpia botuese “Dudaj”, e cila ka vendosur që të mbështesë projektin “Qyteti lexon”. Përfaqësuesja e kësaj shtëpie botuese, Arlinda Dudaj, theksoi se qëllimi është nxitja e leximit kryesisht tek të rinjtë.

“Ideja është që jo vetëm të sjellim libra, por edhe të bëjmë promovimin e leximit, pra të lexohet. Të sjellim këtu shkrimtarë që të bashkëbisedojnë drejtpërsëdrejti qoftë me fëmijët, qoftë me të gjitha grupmoshat, në mënyrë që në fund të lexohet sa më shumë. Po u lexua më shumë, do të bëhemi njerëz më të mire”, tha Dudaj.