Rikonstruktohet kopshti “4 Stinët”

Kopshti “4 stinët” në Njësinë Administrative Nr. 5 në Tiranë ka marrë një pamje krejt të re. Në vijim të fushatës “Fuqia e 1 vote”, Bashkia e Tiranës përmbylli rikonstruksionin e plotë të godinës ekzistuese të kopshtit nr. 45, duke iu dhënë fëmijëve ambiente të reja dhe komode. Punimet e kryera u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shoqërohej nga deputeti i PS, Pandeli Majko, të cilët panë nga afër kushtet që ofron për fëmijët kopshti i rikonstruktuar.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi jo vetëm stafin e edukatorëve që shërbejnë në kopsht, por edhe donatorët që iu përgjigjën thirrjes së Bashkisë për të adoptuar 23 kopshtet e Tiranës dhe për t’i shndërruar ato në institucione të denja për të rritur më të vegjlit e qytetit. Ai theksoi se në gjatë vitit të parë të punës fokusi i Bashkisë së Tiranës ishte përkujdesja ndaj fëmijëve. Për këtë arsye, Veliaj tha se falë votës dhe besimit që qytetarët dhanë 1 vit më parë, sot Tirana ka të gjitha çerdhet e rikonstruktuara dhe deri në fund të këtij viti do të përfundojë edhe rikonstruktimi i të gjitha kopshteve.

“Më vjen mirë që teksa i afrohemi 21 qershorit, bëjmë bilancin e vitit tonë të parë në Bashkinë e Tiranës; një bilanc, i cili është fokusuar kryesisht te fëmijët dhe më vjen mirë që për herë të parë në historinë e këtij qyteti, kemi listë pritje dhe radhë të gjata për të regjistruar fëmijet në kopshtet dhe çerdhet publike. Ky është komplimenti më i madh që na japin qytetarët e Tiranës, pasi mënyra se si shërbehet me dinjitet në institucionet publike të qytetit të Tiranës, i sfidon qartazi edhe kompanitë private që janë në këtë fushë”, deklaroi Veliaj.

Ai ka theksoi se pavarësisht kushteve në të cilën e gjeti Bashkinë e Tiranës në aspektin financiar, falë vullnetit dhe kontributit të bizneseve, u bë e mundur realizimi i një pune kaq voluminoze brenda një kohe të shkurtër. “Pavarësisht kushteve financiare në të cilën e morëm Bashkinë e Tiranës, treguam se kur ka vullnet ka edhe një rrugëdalje. Zotimi ynë është që në vitin tonë të parë të përfundojmë të gjitha çerdhet, jemi shumë afër mbajtjes së premtimit edhe për 23 kopshtet. Duke qenë se Tirana ka humbur shumë kohë, sot mund të themi se kemi bërë shumë punë konkrete, si për këndet e lodrave, ashtu edhe për kopshte e çerdhe të reja”, tha kryebashkiaku i Tiranës. Gjithashtu, ai shtoi se për herë të parë, në sistemin e kopshteve në Tiranë po futen edhe shërbime për fëmijët me aftësi të veçanta, siç është rasti i kopshtit Nr. 45.

“Për herë të parë në kopshtet e Tiranës po futen shërbime të veçanta për fëmijët autikë ose me sindromën daën, pasi ne besojmë se të gjithë fëmijët janë të veçantë, e disa prej tyre kanë nevojë për më shumë ndihmë për të treguar talentin. Ndaj, më vjen mirë që edhe ky kopsht është pjesë e këtij projekti, për të pasur një trajtim të veçantë për të gjithë fëmijët në nevojë. Po ashtu, më vjen mirë që është përqafuar nisma jonë për të pasur sa më shumë produkte organike në menunë ushqimore të kopshteve dhe për një Tiranë më të shëndetshme. Besoj se aktivitetet fizike që po promovojmë në Tiranë në ditët pa makina, po përgatisim një gjeneratë më të shëndetshme”, tha Veliaj.

Ndërkohë, deputeti i PS, Pandeli Majko, falenderuar Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar çerdheve dhe kopshteve të qytetit. “Është bërë një punë e shkëlqyer! Situata me kopshtet dhe çerdhet ka qenë një problem për komunitetin e njësisë 5. Puna flet vetë! Deri dje ishin me lagështirë, sot edukatoret ndihen krenare për këto kushte kaq të mira”, tha Majko.