Rikonstruktohet kopshti nr. 39

Kopshti Nr. 39 në zonën e Shkollës së Bashkuar ka marrë një pamje të re. Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar plotësisht godinën ekzistuese, duke krijuar kushte dhe standarde bashkëkohore për fëmijët që e frekuentojnë atë. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi sipërmarrësit që iu përgjigjën thirrjes për të adoptuar kopshtet e Tiranës.

“Nuk besoj se ka bekim më të madh për ata që kanë dhuruar diçka për fëmijët se sa të marrësh uratën e gjysheve dhe gjyshërve. Në një vend si Tirana, ku jetojnë një milion banorë, ka mjaftueshëm mundësi për të bërë biznes, për të qenë të suksesshëm, por ka edhe shumë mundësi për të qenë bujarë, zemërgjerë dhe për t’i kthyer diçka mbrapsht komunitetit”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se kopshti Nr. 39 ofron kushte edhe për fëmijët me aftësi të veçanta, duke u krijuar atyre mundësi për të qenë të barabartë me fëmijët e tjerë.

“Për herë të parë kemi një kopsht ku fëmijët me aftësi ndryshe ose me sindromën down apo autikë trajtohen nga njerëz të specializuar. Ne besojmë se të gjithë fëmijët janë të përsosur, është vetëm çështje mundësish dhe ndihme. Duke krijuar kushte dhe grupe të veçanta për fëmijët që kanë nevojë për më shumë kujdestari dhe asistencë, kemi sjellë një model të ri në qytetin e Tiranës”, shtoi kryebashkiaku Veliaj. Ai ka rikonfirmuar edhe njëherë vendosmërinë e tij për të mbajtur premtimin e dhënë për të rikonstruktuar të gjitha kopshtet e Tiranës brenda këtij viti.

“Brenda këtij viti, 23 kopshtet e Tiranës do të jenë totalisht të rinovuara dhe më vjen mirë që në këtë kontekst jemi duke rikontruktuar gjithë bllokun e njësisë 4. Me të njëjtën cilësi që po bëjmë kopshtet, do të bëjmë edhe trotuaret, kanalizimet, rrjetin e ndriçimit në investimin e ri që kemi parashikuar në “Rrugën e Dibrës”, duke filluar nga “Farmacia 10” deri në “Kinostudio”, për t’u siguruar që gradualisht, që në vitin e parë, të ndihet dora e bashkisë në një lagje e cila ishte lënë pas dore prej vitesh”, theksoi kryetari i Bashkisë. Këto investime, theksoi ai, jo vetëm do t’i shërbejnë përmirësimit të infrastrukturës, por do të rrisin edhe vlerën e zonës dhe pronës së qytetarëve.

“Me investimin e një kopshti të mirë, e një lagjeje që ka infrastrukturë të mirë apo të një rruge kryesore, që është arterie kryesore e Tiranës, të gjitha shtëpitë dhe pallatet rrotull do të marrin një vlerë më të lartë në treg, falë investimit që çdo banor ka derdhur djersën e vet dhe kursimet e tij për familjen dhe shtëpinë”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ndërhyrja në kopshtin nr. 39 konsiston në riparime të mureve dhe suvave, lyerje, shtrim parketi dhe pllakash, ndriçim, riparime dritaresh dhe dyersh, sistemime të jashtme, riparim i murit rrethues, si dhe vendosje këndi lojërash për fëmijët etj.