Rikonstruktohet kopshti “Xixëllonja” te Fusha e Aviacionit

Kopshti “Xixëllonjat” në Fushën e Aviacionit në Laprakë ofron kushte dhe infrastrukturë bashkëkohore dhe të sigurtë për të gjithë fëmijët që e frekuentojnë atë. Kjo falë investimit të kryer nga biznesi në kuadër të nismës së Bashkisë së Tiranës “Adopto një Kopësht”. Ambientet e rikonstruktura të kopshtit 64 u inaguruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se ky kopsht është transformuar plotësisht nga gjendja në të cilën nga koha e fushatës elektorale, një vit më parë.

“Kjo i kushtohet punës së palodhur së të gjithë atyre që iu bashkuan fushatës tonë ‘Adopto një kopësht’. Nuk do të ishte e mundur pa ndihmën që na kanë dhënë tre kompani jashtëzakonisht serioze dhe që e tregojnë seriozitetin e tyre edhe në mënyrën se çfarë i japin mbrapsht komunitetit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai siguroi se puna e nisur gjatë vitit të shkuar me çerdhet do vijojë gjatë këtij viti me 23 kopshtet e Tiranës, për të bërë të mundur përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurimin e kushteve më të mira për fëmijët e kryeqytetit. “Ne kemi premtuar që këtë vit do të rikonstruktojmë 23 kopshte të Tiranës, do i rehabilitojmë ato totalisht, do të heqim lagështirën, do të vendosim të gjitha mjetet higjeno-sanitare, do të ketë kënde lodrash në kopshte dhe kemi premtuar që fëmijët do t’i kemi prioritet në Bashkinë e Tiranës. Kjo është arsyeja pse vjet filluam me çerdhet dhe sivjet vazhdojmë me kopshtet”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai theksoi se Bashkia e Tiranës e ka konsideruar 2016-ën si vitin e fëmijëve dhe kjo jo vetëm duke investuar në infrastrukturën e institucioneve parashkollore dhe shkollore, por në të gjitha aspektet e tjera që ndikojnë për një jetë më të mirë për ta. “Dua të theksoj që, ky vit do të mbahet mend si viti i fëmijëve ne Tiranë. Jo vetëm se do të mbarohen të gjitha kopshtet, por sepse do të mbarojmë këndin e lodrave te Liqeni, do të mbarojmë gjithashtu këndin e lodrave në të 11 njësitë urbane të Tiranës, aty ku dhe përqendrimi i fëmijëve është më i madh. Kemi filluar tashmë te zona e ‘Mine Pezës’, do të fillojmë shumë shpejt këndin e lodrave tek Materniteti i Ri dhe mbasi të mbarojmë aty, do të vazhdojmë në të gjitha njësitë e tjera”, theksoi Veliaj.

Ai shtoi se gjatë këtij viti do të realizohen edhe disa ndërhyrje të tjera në kryeqytet të karakterit social, siç janë rikonstruksioni dhe hapja e bibliotekave të lagjeve, si dhe hapja e kampeve verore. Kopshti “Xixëllonjat”, edhe pse është hapur vetëm para pak vitesh, ishte në një gjendje të mjerueshme dhe për shkak të lagështirës dhe kushteve të tjera që linin për të dëshiruar ishte kthyer në një shqetësim për prindërit që çonin fëmijët e tyre në të. Tashmë, ai ka mjedise të përshtatshme për zhvillimin e mësimit, ku spikasin edhe dy mjediset si, atelie-ja dhe palestra. Të gjitha mjediset mbështetëse për kopshtin, si banjo, korridore dhe mjediset e tjera janë mjedise të sigurta për fëmijët. Gjithashtu ka sistem ngrohës si dhe ka të montuar në çdo kat pajiset kundra zjarrit.