Rrjet i ri ujësjellësi në Kinostudio

Rreth 5 mijë banorë të rrugës “Kahreman Ylli” në Kinostudio nuk do të kenë më probleme të furnizimit me ujin e pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës ka ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit duke e ndërruar plotësisht atë, për shkak të amortizimit që kishte pësuar ndër vite. Kjo ndërhyrje bën të mundur që gjithë banorët e kësaj zone të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm. Punimet u inspektuan nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi qytetarët që iu përgjigjën thirrjes së ujësjellësit për të paguar faturat e ujit, duke marrë si përgjigje investime konkrete nga ana e UKT-së.

“Falenderoj qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes së ujësjellësit për të paguar faturat dhe likujduar borxhet. Kjo është e vetmja mënyrë se si këto pagesa i përkthejmë në investime. Për 5 mijë banorë të rrugës “Kahreman Ylli”, një pjesë të madhe të bllokut të ri të banesave në Kinostudio, shtojmë furnizimin me ujë, kalojmë nga tubat e gizës dhe çelikut, që kishin 50 vjet pa u vënë dorë dhe që arnoheshin dhe saldoheshin çdo vit, në një linjë magjistrale, e cila furnizon me ujë të bollshëm këtë zonë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku kujtoi se edhe pse kjo ka qenë një verë e thatë, falë gatishmërisë dhe punës së vazhdueshme të bashkisë dhe UKT-së është bërë e mundur që banorët të mos vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

“Falë punës së bërë për të disiplinuar abuzimet me ujin, lavazhet, vaditjet me ujë dhe kursimi nga qytetarët, besoj i’a kemi dalë paq. Kjo do të thotë se nuk do ta ulim vigjilencën dhe mënyrën se si e trajtojmë këtë mall, që është i pakët në verë, si uji i pijshëm”, tha ai. Kryebashkiaku vlerësoi më tej punën e UKT-së, e cila nga një ndërmarrje e falimentuar është kthyer në një kompani tërheqëse edhe për investitorët.

“Morëm një ndërmarrje të falimentuar, e cila kishte probleme jo vetëm me furnizimin me ujë, por edhe me mbifaturimet dhe çudira të kësaj natyre. Jo vetëm që këto probleme nuk ekzistojnë më, por kemi arritur që brenda një viti të dyfishojmë rrjetin dhe furnizimin me ujë, në të gjithë qytetin e Tiranës. Do të vazhdojmë me këtë ritëm, kjo është në fakt arsyeja pse kompania është bërë tërheqëse dhe pse ka patur oferta për shit-blerje të aksioneve. Ky është një lajm i mirë, jo një lajm i keq. Kjo shton vlerë dhe nuk duhet të prodhojë histeri për Tiranën”, tha ai.

Investimi në njësinë nr. 4 në Kinostudio është vlerësuar edhe nga kreu i UKT-së, Redi Molla, i cili tha se ky investim do të përmirësojë furnizimin me ujë dhe do të shtojë orarin e furnizimit për rreth 5 mijë banorë të zonës, si dhe është një shembull bashkëpunimi midis Bashkisë së Tiranës dhe UKT. Projekti i rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit në Rr. “Kahreman Ylli” parashikon zëvendësimin e një segmenti të amortizuar, kryer në të shkuarën me tubacion gize. Ky rikonstruksion është i domosdoshëm, pasi tubacioni i vjetër i gizës shfaq në mënyrë të vazhdueshme humbje dhe probleme në furnizimin me ujë për këta banorë.

Segmenti rrugor ku po ndërhyhet është objekt në rikonstruktim, pra në këtë mënyrë përmirësohet edhe cilësia e rrugës, duke rritur qëndrueshmërinë e saj dhe duke eliminuar dëmtimet e ardhshme. Rikonstruksioni sjell përmirësim të furnizimit me ujë për të gjithë zonën, e cila furnizohet drejtpërdrejt nga ky tubacion magjistral kryesor. Ky projekt është në në vazhdën e një sërë investimesh të rëndësishme që UKT-ja ka kryer gjatë këtij viti, të cilat kanë dyfishuar kohën e furnizimit me ujë të banorëve të kryeqytetit. Nga 6-7 orë në ditë që ishte më parë furnizimi me ujë, sot ka shkuar në mesatarisht 12-13 orë në ditë.