Rruga e Kosovarëve drejt përfundimit

Një vit nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, një nga rrugët më problematike të Njësisë Administrative nr. 5, e cila njihet ndryshe si Rruga e Kosovarëve, ka nisur të marrë një pamje tjetër, falë investimit të Bashkisë së Tiranës. Historia e rikonstruksionit të kësaj rruge daton që në vitin 2012, por për shumë vite ajo mbeti në një gjendje të mjeruar, pas një bllokimi të zgjatur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës në fjalë, në të cilën kishte premtuar se do të ndërhynte me investime sapo të vinte në drejtimin e qytetit.

“Më vjen mirë që jemi në këtë fazë dhe po i drejtohemi fundit të një projekti që ka një histori të gjatë dhe jo shumë të lavdishme. Arsyeja pse kjo rrugë quhet Rruga e Kosovarëve është se gjatë kohës që Pandi ishte kryeministër dhe menaxhoi krizën kosovare, Tirana shprehu bujarinë e vet duke strehuar dhe mbajtur të gjithë kosovarët që zgjodhën të gjenin strehë në kryeqytet. Fatkeqësisht, autoritetet lokale nuk i’u përgjigjen me të njëjtën monedhë bujarisë së Tiranës dhe deri dje kishim një rrugë me emër të lavdishëm, por me një histori të palavdishme”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai vuri në dukje se e ka vizituar këtë rrugë edhe gjatë fushatës zgjedhore një vit më parë, duke dëgjuar ankesat e banorëve. Por, një vit më pas, projekti është zhbllokuar dhe po ecën me ritme të shpejta. “Ne po punojmë në çdo zonë të Tiranës dhe po i shpërndajmë në mënyrë demokratike investimet e bashkisë. Më vjen mirë që për njësinë 5 kemi bërë shumë investime: po mbyllim fazën e parë të Parkut Olimpik dhe shumë shpejt do të fillojmë me fazën e dytë; tre javë më parë hapëm me sukses këndin e lodrave; nga FZHR-ja kemi fituar projektin për pistën e biçikletave dhe korsinë e vrapuesve rreth e qark Liqenit; kemi bërë mbjellje masive në jug të Liqenit, po punojmë shumë shpejt te Kombinati Ushqimor për mbikalimin. Siç e tha edhe Pandi, investimet nuk janë vetëm një mënyrë për të hapur një rrugë, por edhe një mënyrë për t’i dhënë vlerë një zone”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se një shtëpi e cila s’ka rrugëdalje, që përmbytet vazhdimisht, që kthehet në një kalim me pengesa për banorët, nuk ka asnjë vlerë. “Ndaj, më vjen mirë që për rreth 30 mijë banorë që kap e gjithë kjo zonë, falë këtij investimi të bashkisë u shtohet vlera e pronës së tyre dhe mezi pres që të vazhdojmë me investime të tjera, sidomos në zonën e Selitës, që ka qenë edhe zona më e diskriminuar nga investimet në vitet e fundit”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, i cili shoqëroi kryebashkiakun gjatë inspektimit të punimeve në Rrugën e Kosovarëve, tha se “nuk dua të bëj asnjë lloj komplimenti, por këtu puna flet vetë. Të gjitha këto që shikoni përreth do të marrin një vlerë të re, duke filluar me qiratë e shtëpive, të lokaleve dhe sidomos me lëvizjen e mjeteve. Do ta kthejë të gjithë këtë histori, së bashku me Parkun Olimpik, në një standard europian”.

Punimet për ndërtimin e Rrugës së Kosovarëve kanë nisur që në vitin 2012, por ato u bllokuan nga administrata e kaluar e Bashkisë së Tiranës. Rruga ka një gjatësi prej 570 metrash, ku përveç shtrimit dhe vijëzimit, është parashikuar të vendosen 47 shtylla ndriçimi, afro 140 pemë, si dhe një korsi të dedikuar biçikletash. Rruga e Kosovarëve lidhet me “Komunën e Parisit”, “Kodrat e Liqenit”, si dhe liron trafikun për aksin para gjimnazit Petro Nini.