Rrugë e re në Njësinë Administrative nr. 1

Banorët e Shkozës në Njësinë Administrative nr. 1 në kryeqytet brenda pak javësh do të kenë një rrugë të re, me standardet e nevojshme për të qenë një arterie kryesore e kësaj zone. Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit të rikonstruksionit të rrugës “Ali Shefqeti”, që ndryshe njihet edhe si rruga e Shkozës, me gjatësi 2 km. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe nga deputeti i zonës, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se përmirësimi i infrastrukturës është në fokusin e punimeve që po kryhen edhe në këtë zonë, e cila për shumë vite ka qenë në harresë të plotë. “Kjo është arsyeja pse ne kemi hapur kantiere pune në të gjithë njësinë. Sigurisht, fokusin kryesor e kemi në rrugën kryesore, nga Ali Demi deri në Shkozë. E kuptoni fare mirë që nga ndërtimet pa leje, nga proceset informale të 25 viteve të fundit na duhet që një pjesë të kohës ta kalojmë me ndërtimin e infrastrukturës, një pjesë me kulturën qytetarë, pra duke u kërkuar qytetarëve që në emër të së mirës publike, të trotuareve dhe rrugëve të përbashkëta, të tërhiqen në avllitë e tyre për t’u siguruar që kemi rrugë dinjitoze dhe kemi një hapësirë publike që i trajton të gjithë si të barabartë”, tha Veliaj.

Ai theksoi gjithashtu, se bashkia është e vendosur që edhe në këtë njësi, një pjesë të mirë të punimeve në infrastrukturë, jo vetëm rrugore por edhe shkollore e sociale, ta përfundojë brenda verës, në mënyrë që vjeshta t’i gjejë gati. “Ndërkohë kemi filluar edhe me rrugët anësore dhe besoj që kjo do të jetë një verë pa pushim për Bashkinë e Tiranës, për t’u siguruar që edhe punët e bashkisë edhe të nënkontraktorëve, në të gjithë njësinë nr. 1, të mbarojnë deri në fund të verës, që mandej shtatori, kur fillon shkolla, të na gjejë me rrugë dhe infrastrukturë të re”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur se në total vetëm në njësinë nr. 1 bashkia ka investuar edhe 3 milionë dollarë të tjerë, çka është një pjesë e konsiderueshme dhe pothuajse sa 1/5 e investimeve të gjithë Bashkisë së Tiranës. “Për respektin ndaj kësaj zone, për mënyrën se si i paguajnë taksat, për devotshmërinë që kanë si qytetarë të mirë, sigurisht që meritojnë që edhe bashkia t’u përgjigjet me të njëjtën monedhë”, shtoi Veliaj. Ndërkohë, ministri Ditmir Bushati falenderoi në emër të banorëve të zonës Bashkinë e Tiranës për punën që po kryen në këtë njësi, jo vetëm në këtë rrugë, por edhe në disa blloqe banimi.

“Banorët janë dëshmitarë të faktit se në 4 vitet e shkuara nuk është hedhur asnjë metër asfalt në njësinë tonë dhe nuk është bërë kjo punë që po bëhet në më pak se 10 muaj. Jam i lumtur sot të konstatoj që i gjithë procesi i infrastukturës që po rindërtohet në zonë apo po bëhet nga e para, ka në qendër komunitetin, problemet e mëdha që ka komuniteti, shkollën, kopshtin, çerdhet dhe problemet e shumta që kanë pasur banorët me procesin e legalizimit. Është një proces, i cili kërkon pak durim dhe mirëkuptim dhe për këtë arsye partneriteti me komunitetin është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ministri, Bushati.

Rikonstruksioni i kësaj rruge do të bëjë të mundur që qytetarët të lidhen edhe me rrugë të tjera siç janë rruga “Ali Demi” dhe “Sadik Petrela”. Përveç punimeve që po kryhen në shtratin e rrugës, përfshi edhe asfaltimin, projekti parashikon punime të plota në trotuare, kanalizime, ndriçim, sinjalistikë etj.