“Sheshi i labirintit”, një hapësirë e re për fëmijët

Bashkia e Tiranës vijoi sot me Njësinë Administrative nr. 10 turin e prezantimit dhe dëgjesave me qytetarët për projektin e sheshit “Skënderbej”. Të pranishëm në këtë dëgjesë ishin: kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak, banorë të njësisë, arkitektë e urbanistë, si dhe hartuesit e projektit të sheshit “Skënderbej”, të cilët bënë edhe një prezantim të elementëve që do të sjellë projekti. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se projekti i jep qytetit sheshin dhe qendrën dinjitoze, ku ndërthuhen simbolikat kombëtare dhe ruhen balancat mes gjelbërimit dhe pjesëve të tjera të ngurta.

Ai  theksoi se është i vendosur që e gjithë qendra e Tiranës të kthehet në një pedonale, duke i kthyer në të njëjtën kohë përgjigje edhe të gjithë atyre që janë shprehur kritikë për trafikun e makinave. “Para nesh ka dy mundësi: O njeriu punon për makinën, ose makina punon për njeriun. Sa ka qenë njerëzimi dhe sa janë civilizuar qytetet ka punuar makina për njeriun. Ne jemi i vetmi kryeqytet që punojmë për makinën. Dëgjoj disa nga kritikët që thonë: Mirë njerëzit do të kënaqen, po makina ku do shkojë?! E çfarë pastaj? Punojnë njerëzit për makinën apo makinat për njerëzit? Unë jam i vendosur dhe bashkë në fushatë premtuam që do bëjmë një qytet për njerëzit, jo për makinat”, tha Veliaj. Sipas tij, sheshi “Skënderbej” do të jetë një qendër që do të ofrojë mundësi për të gjithë ata të moshuar apo fëmijë që duan të shëtisin e të kalojnë kohën e tyre të lirë.

“Banorëve u themi: Do të kemi një hapësirë shumë më të madhe në sheshin “Skënderbej” dhe nëse ka ndonjë cinik, skeptik, ndonjë që vë partinë para shëndetit të vet, mjafton të dalë sot pasdite, teksa sheshi po përgatitet e vijëzohet, Unaza e Vogël përgatitet e vijëzohet tek 9-katëshet dhe Muzeu Kombëtar, shihni sa e shijojnë njerëzit hapësirën!”, shtoi Veliaj. Ai vuri në dukje se sheshi do të ketë pjesë të tij që do t’i kushtohen tërësisht materialeve të marra nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. “Me kryetarin e Bashkisë së Prishtinës kam folur që ndoshta një nga këndet mund ta bëjmë me gurë nga Kosova, nga treva të tjera ku jetojnë shqiptarët, Presheva, Tuzi, Tetova. Po ashtu, kam folur edhe me kryetarin e Bashkisë së Tetovës, ndaj jemi të hapur që kënde të ndryshme t’ia kushtojmë hartës ku jetojnë shqiptarë dhe ku po këta njerëz vijnë dhe vizitojnë Tiranën”, tha kryebashkiaku.

Veliaj u shpreh se filozofia e punës së tij dhe bashkisë që ai drejton nuk është përjashtuese, por përfshirëse, ndaj ka theksuar se krahas sheshit “Skënderbej” po punohet edhe në afro 20 kantiere të tjera punësh publike. “Ne nuk zgjedhim o sheshin, o asgjë. Jo! Edhe sheshin, edhe hapësirat e tjera. Sa herë punohet në Tiranë, shtohet histeria, shtohen dozat e partive të cilat kur e kishin në dorë Tiranën nuk bënë asgjë, fjetën gjumë dhe tani po stresohen se pse po punohet gjithandej. Do punohet gjithandej sepse Tirana ka humbur shumë kohë”, deklaroi Veliaj.

Ai theksoi se projektet e bashkisë, përveç mundësive më të mëdha që ofrojnë për qytetarët, si për lëvizjen, çlodhjen apo marrjen e shërbimeve, në të njëjtën kohë sjellin edhe rritjen e vlerës së pronave të qytetarëve dhe mundësi punësimi. “Shkoni në një agjenci imobiliare që shet prona dhe pyetini, sa vlente një apartament tek Pazari i Ri para se të fillonin punimet dhe sa vlen sot ai apartament. Vetëm në pak muaj punime është rritur vlera e apartamenteve 30% tek ajo zonë. Janë para të cilat përkthehen në fitim për qytetarët, u rritet vlera e pronës, në çdo vend”, shtoi Veliaj.

Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës, duke marr shkas edhe nga deklarata e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për këndin e lojërave për fëmijë te Parku i Liqenit, shprehu keqardhjen se qytetari i parë i Shqipërisë është përfshirë në një debat politik dhe mbi të gjitha kundër interesave të fëmijëve. “Nëse unë sot duhet të bëj një zgjedhje, t’i bëj fresk presidentit apo të punoj për 200 mijë fëmijët e Tiranës, gjithë ditën dhe gjithë natën përgjigjja është: Do të punoj për 200 mijë fëmijët e Tiranës që janë më të rëndësishëm se çdo njeri që është gati të bëhet një militant dhe të bëjë qesharake ato pak institucione që na kanë mbetur”, deklaroi Veliaj. Ai konfirmoi edhe një herë se pavarësisht kundërshtimit të opozitës, këndi i lojërave të fëmijëve “do të bëhet, fëmijët do të luajnë dhe ne nuk do të zmbrapsemi nga asnjë militant, qoftë ky me rrogë presidenti apo me rrogë deputeti me patllake”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se nuk do të lejojë që Tirana të shkatërrohet, por do të punojë çdo ditë që të ndërtohet në qendër, me sheshin “Skënderbej” dhe në periferi me të gjitha projektet e nisura. Takimi me banorët e njësisë 10 ka shërbyer edhe për të hapur lulishten ndërmjet ministrive, Katedrales Ortodokse dhe Teatrit të Kukullave, që i’u nënshtrua një rikonstruksioni të plotë dhe që sot ofron ambiente relaksuese për qytetarët e Tiranës.

“Për herë të parë hapim këtë shesh, një hapësirë që deri më parë ishte një hapësirë tabu që nuk përdorej nga qytetarët, ishte rrethuar me kangjella, mendohej se këtu bëheshin sekretet e mëdha, punët e mëdha të shtetit. Ishte bërë një parking makinash. Një shesh që ishte destinuar për garazhe makinash e lokale të ministrive, sot i është kthyer publikut, është bërë në formë labirinti, pasi duke qenë se është pranë Teatrit të Kukullave, do e quajmë ndoshta “sheshin e labirintit”, është edhe një mënyrë që fëmijët të luajnë, ata që po mësojnë të ecin”, përfundoi kryetari i Bashkisë.

Dëgjesat për projektin e sheshit “Skënderbej” do të vijojnë edhe me 23 njësitë e tjera administrative, si dhe me diskutime me arkitektë e urbanistë.