Sheshi “Skënderbej” në funksion të njerëzve

Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe sot turin e dëgjesave për projektin e sheshit “Skënderbej” me banorët e Njësisë Administrative nr.9. Të pranishëm në takimin prezantues të këtij projekti ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, koordinatorët e projektit, anëtarë të Këshillit Bashkiak, urbanistë, si dhe qytetarë, banorë të njësisë 9. Që në krye të herës, kryebashkiaku Veliaj theksoi se njësia 9 është njësia që përfiton më shumë, jo vetëm nga ky projekt i bashkisë, por edhe nga projekti i Unazës së Vogël dhe i zgjatimit të Bulevardit të Ri.

Kjo, jo vetëm se do të sjellë një infrastrukturë të re dhe sipas standardeve, por edhe sepse ato do t’i japin një vlerë tjetër pronës në të gjithë zonën ku shtrihen këto projekte. “Mjafton të pyesni agjencitë imobiliare për të kuptuar se vlera e pronës është rritur kudo ku bashkia po punon. Ku ka investime rritet vlera e pronës”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Ai theksoi se bashkia po punon me të njëjtin përkushtim si për qendrën ashtu edhe për periferinë, duke zhvilluar me një intensitet të lartë një sërë projektesh që përmirësojnë jetën e banorëve të qytetit.

“Unë besoj se kemi bërë zgjedhje të mira edhe për periferinë. Kështu, bie edhe argumenti se bashkia punon vetëm për qendrën. Sapo kemi filluar punën me Parkun e Kasharit, kemi miratuar projektin dhe po fillojmë investimin edhe aty. Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit po nisim punën dhe për Parkun e Vaqarrit. Ka përfunduar rruga e Dajtit që lidh zonën e malësisë së Tiranës dhe sigurisht, do të fillojmë edhe me rrugë të tjera. Po punojmë në shumë hapësira brenda lagjeve. Pra, po punohet kudo dhe ju e keni parë që kur Bashkia e Tiranës lejohet të punojë, ecim jashtëzakonisht shpejt”, deklaroi Veliaj.

Ai u shpreh se, edhe projekti i sheshit “Skënderbej”, ashtu si çdo punë tjetër që bashkia po bën në infrasktrurë, ka kundërshtarët e vet, por sipas tij e rëndësishme është që qytetarët, ata që janë edhe përfituesit realë të këtyre projekteve, të informohen për çfarë ndodh në territorin apo lagjen ku ata jetojnë. “Kur këndi lojërave për fëmijë që mbaron për 4 javë, nxorri në ‘luftë’ edhe Presidentin e Republikës, imagjinoni se çfarë do të ndodhë me sheshin ‘Skënderbej’”, tha Veliaj. Ai e vlerësoi atë si pikën e takimit të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm për shkak të simbolikave që do përfaqësojë me gurë e pemë nga të gjitha trevat, por edhe si sheshi kryesor i vendit amë.

Duke folur në lidhje me ndikimin që do ketë ky projekt te trafiku i makinave, Veliaj tha se për Bashkinë e Tiranës të parët janë njerëzit. “Sheshi është në funksion të njerëzve, qyteti është në funksion të njerëzve, edhe vetë makina është në funksion të njerëzve. Më shumë se 90% e njerëzve nuk jetojnë për makina, jetojnë që të kenë një cilësi jetese, jetojnë për familjet e tyre, për të dashurit e tyre, duan që të kalojnë kohë cilësore me ata që duan dhe kjo në fakt është një hapësirë për kohë cilësore”, tha kryebashkiaku i Tiranës. Ai shtoi se projekti bën vetëm një zhvendosje të rrugëkalimit të makinave nga pjesa e sheshit në Unazën e Vogël, një pjesë e së cilës ai ka theksuar se do të hapet brenda pak ditësh.

Veliaj shtoi se projekti i sheshit “Skënderbej”, ashtu si të gjitha projektet e tjera, është edhe një mundësi e mirë punësimi. Kryebashkiaku e konsideroi projektin si një lajm shumë të mirë për transportin publik. “Me 20 linjat e reja që do të përshkojnë Tiranën, të cilat shumë shpejt do t’i kalojmë në këshill bashkiak, do të jetë një mundësi fantastike për t’i thënë njerëzve, aspirata jonë nuk është që çdo njeri i varfër të blejë makinë. Aspirata jonë është që edhe të pasurit të hipin në autobus. Ky është qyteti që unë ëndërroj”, tha kryebashkiaku. Ai ka kërkuar që deri në qershor kushdo nga ekspertët apo banorët që ka një propozim shtesë dhe që mund t’i shërbejë projektit është i mirëpritur që ta bëjë atë.

Ndërkohë, drejtori i Transportit në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, siguroi se kthimi i sheshit “Skënderbej” në një shesh për këmbësorë nuk do të pengojë trafikun dhe kjo për shkak të disa ndërhyrjeve të tjera që po bëhen në akse apo rrugë që të çojnë në të.