Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi” i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë

Nis rikonstruksioni i plotë i shkollës “Luigj Gurakuqi”, e vetmja shkollë speciale për fëmijët e kryeqytetit. Shkolla është ndërtuar në vitin 1994, por për shkak të mos mirëmbajtjes gjendet në kushte tejet të degraduara, çka e ka bërë të nevojshme ndërhyrjen në të. Nisja e punimeve u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi nevojën për të garantuar kushte dhe standarde mësimore për dhjetëra fëmijë me aftësi të veçanta.

“Një ndër punët gjatë verës për Bashkinë e Tiranës është rikonstruksioni i plotë i shkollës “Luigj Gurakuqi”, e vetmja shkollë speciale që kemi në qytetin e Tiranës për dhjetëra fëmijë me aftësi të veçanta. Kjo do të thotë se në qytetin e Tiranës, fëmijët i trajtojmë njësoj. Për Bashkinë e Tiranës të gjithë fëmijët janë engjëj. Ndaj, siç po ndërhyjmë në të gjitha shkollat e qytetit të Tiranës, kemi hapur edhe këtë kantier pune në shkollën e vetme speciale të të gjithë qarkut tonë”, deklaroi Veliaj. Ai tha se faza e rikonstruksionit do të zgjasë gjatë 3 muajve të verës dhe do të jetë gati në shtator, me fillimin e vitit të ri shkollor.

“Duam që shtatori të na gjejë me një shkollë plotësisht të rikonstruktuar, të na gjejë me një kënd lojërash për fëmijët dhe me klasa speciale për fëmijët, sidomos për ata që janë me sindromën doën apo që kanë nevojë për ndihmë me autizmin”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj, i cili solli në vëmendje se Bashkia e Tiranës i ka në fokus fëmijët e të rinjtë, duke rikonstruktuar fillimisht çerdhet, kopshtet dhe tashmë, edhe shkollat. Ai theksoi se viti 2017 do t’i kushtohet tërësisht rikonstruksionit dhe ndërtimit të shkollave të reja, ndërsa deri në fund të këtij viti bashkia do të mbyllë rikonstruksionin e të gjitha kopshteve të Tiranës.

“Nëse 2015 ishte viti i çerdheve, viti 2016 është viti i kopshteve, kurse vitin e ardhshëm duam t’ia kushtojmë shkollave. Tashmë, kemi filluar me disa nga shkollat e Tiranës, në 5-6 prej tyre po punohet aktualisht, në mënyrë që në shtator, kur qytetarët të kthehen nga pushimet, të gjejnë një shkollë me të gjitha standardet”, tha ai. Kryebashkiaku falenderoi stafin që punon në këto shkolla, ku vështirësitë janë edhe më të mëdha për shkak të nevojave speciale të fëmijëve. Ai ka garantuar se Bashkia e Tiranës do t’i trajtojë njëlloj dhe do të ofrojë të njëjtat standarde për të gjithë fëmijët. Veliaj kërkoi gjithashtu lirimin e çdo hapësire publike që është zënë pranë shkollave, duke u sugjeruar qytetarëve që të shfrytëzojnë lehtësirat që ofron Bashkia e Tiranës për banesa sociale apo kredi.

“Dua t’u bëj thirrje qytetarëve që kanë zënë hapësirat publike në shkollat tona, qofshin këto konvikte të shkollave speciale apo profesionale, se duhet t’i lirojnë ato. Bashkia e Tiranës ka një skemë shumë bujare ndihme me banesat sociale, me bonus qiraje apo asistencë sociale. Ata duhet të përfitojnë nga të gjitha këto zgjidhje që ofron Bashkia e Tiranës dhe të lirojnë hapësirat. Ne besojmë se hapësira publike, sidomos ajo kushtuar fëmijëve me nevoja speciale, nuk mund të uzurpohet nga askush. Koha që të bëhen pazare politike me nevojat speciale që kanë fëmijët ka mbaruar përpara një viti dhe nga tani e tutje, çfarë është publike mbetet publike, e sidomos çfarë është publike në funksion të fëmijëve në nevojë ngelet në funksion të fëmijëve dhe familjeve të tyre”, theksoi Veliaj.

Ai deklaroi se pjesë e mbështetjes së bashkisë për këto shtresa është edhe programi i punësimit për personat me aftësi të kufizuar. “Në disa prej agjencive tona, si agjencia e parkimit, AMK, ku ka punë që mund t’i bëjnë edhe të rinjtë me aftësi të veçanta, po i punësojmë sepse besoj se para se t’u kërkojmë kompanive private të mbajnë kuotat e tyre për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, duhet fillimisht që shteti të tregojë se e zbaton njëherë ligjin para se t’u kërkojë llogari të tjerëve”, tha ai.

Shkolla “Luigj Gurakuqi” është e vetmja shkollë speciale ku mësojnë fëmijë me aftësi ndryshe në Tiranë. Godina e shkollës po i nënshtrohet tërësisht rikonstruksonit, duke nisur nga instalimi i rrjetit elektrik, vendosja e pajisjeve sanitare, instalimi i sistemit të ngrohjes me kaldajë me peletë etj. Pas përfundimin të rikonstruksionit, edhe shkolla “Luigj Gurakuqi” do të jetë pjesë e projektit për t’i përdorur shkollat si qendra komunitare.