Shkollat e Tiranës, tashmë qendra komunitare

Shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës do të hapin dyert e tyre edhe pas orarit zyrtar të mësimit. Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë nisur të vënë në jetë projektin për kthimin e institucioneve të arsimit publik në qendra komunitare. Shkolla e parë ku po zbatohet kjo nismë është gjimnazi “Aleks Buda” në Njësinë Administrative 11, e cila ofron kushtet optimale për t’u vënë në dispozicion të komunitetit dhe banorëve të zonës pas orarit të mësimit. Shkolla është vizituar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka marrë pjesë në 3 kurset që zhvillohen paralelisht në këtë shkollë: “Multilanguage Caffe”, “Pikturë” dhe një workshop mbi Vullnetarizmin.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo është një mundësi që shkollat të shfrytëzohen për të mirën e komunitetit edhe pas orarit mësimor. “Sot fillojmë për herë të parë zbatimin e një projekti, i cili ka qenë një rekomandim i Ministrisë së Arsimit. Më vjen mirë që jemi bashkia e parë që e merr seriozisht kthimin e shkollave në qendër komunitare. Me pak fjalë, kjo nënkupton që mbas orëve të mësimit, ata që duan të marrin njohuri shtesë, qoftë në gjuhë të huaja, qoftë në art, në rastin konkret në pikturë, apo në kurse të veçanta, ka një mundësi fantastike për ta bërë”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se kthimi i shkollave në qendra komunitare është një përgjigje për të gjithë ata që ankohen se në Tiranë mungojnë hapësirat. Sipas tij, kushdo që ka dëshirë të thellojë më tej njohuritë e tij apo që kërkon të marrë mësime se si mund të bëhet më i vlefshëm dhe produktiv për familjen apo komunitetin ku jeton, mund të shfrytëzojë hapësirat që ofrojnë shkollat. Veliaj shtoi se qëllimi është që, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore, të gjitha shkollat e Tiranës të hapen për komunitetin. “Është një kontribut fantastik për të gjithë komunitetin që ka dëshirë të përdorë aksesin e shkollës për kurse, për aftësime, që i përgatisin për tregun e punës”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se kjo nismë do të krijojë edhe mundësi punësimi apo të ardhurash shtesë për ata që do të angazhohen në mësimdhënie apo në trajnime të ndryshme. “Do të jetë një mundësi fantastike për të punësuar mësues dhe mësuese që kanë dalë në pension ose mësues apo mësuese të rinj, të cilët mund të fillojnë paraprakisht me kurse të tilla”, u shpreh Veliaj.

Projekti “Shkollat si Qendër Komunitare” vjen si një kërkesë e vazhdueshme e banorëve të lagjeve për të shfrytëzuar asetet që kanë shkollat pas mbarimit të mësimit për kurse, trajnime e aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore. Është parashikuar që të zhvillohen aktivitete postkurrikulare dhe që përfshijnë kurse në matematikë, fizikë, gjuhë-letërsi, informatikë, gjuhë të huaja, kimi, biologji, filozofi, lexim dhe shkrim kundër analfabetizmit. Kurset do të zhvillohen nga mësuesit në pension, mësuesit në listën e pritjes së MAS si dhe mësues të tjerë, por jo nga mësuesit e shkollës.

Gjithashtu, do të zhvillohen edhe kurse ekstra kurrikulare për art dhe kulturë, duke përfshirë disiplina të tilla si: vizatim, makete – përdorimi i plastelinës, muzikë, dokumentar, film, kërcim, aktrim, poezi apo punë artizanale. Ambientet e institucioneve arsimore do të shfrytëzon në kohën e lirë edhe për edukimi joformal, duke angazhuar debate mes gjimnazeve dhe të rinjve për tema rreth aktivizmit vullnetarizmit, barazisë gjinore, lidership, diskriminimi, e folura publike dhe për rolin e të rinjve në vendimmarrje. Të rinjtë dhe komuniteti do ketë mundësi që të shfrytëzojë po ashtu fushat sportive dhe palestrat e shkollave për aktivitete të tilla si ndeshje futbolli, volejboll, basketboll, tenis, atletik etj. Qëllimi i aktiviteteve ekstra kurrikulare është nxitja e të rinjve dhe komunitetit të jenë pjesëmarrës dhe aktiv në jetën artistike, kulturore, sportive dhe edukimin joformal.