Shkollat si qendra komunitare, Bashkia e Tiranës nis zbatimin e projektit

Pasditeve dhe në fundjavë terrenet sportive në shkolla do të shndërrohen në pika argëtimi për komunitetin. Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që ka nisur zbatimin e projektit të shkollave si qendra komunitare, duke shfrytëzuar mjediset sportive të shkollave 9-vjeçare e të mesme të qytetit për sportistët e rinj. Kryebashkiaku Erion Veliaj iu bashkua një ndeshje basketbolli mes të rinjve në palestrën e Shkollës së Kuqe, e rikonstruktuar nga Bashkia e Tiranës, ku u bëri thirrje nxënësve që t’i kthejnë sytë nga sporti.

“Ky është një nga projektet që unë e kam më për zemër, hapja e palestrave të Tiranës pas mbarimit të mësimit për aktivitete sportive. Fillojmë sot me basketbollin, me hendbollin, volejbollin, futbollin, xhudon, që të gjithë fëmijët e Tiranës të kenë një hapësirë të sigurtë, të mbrojtur, brenda territorit të shkollës, ku jo vetëm të argëtohen, por të bëjnë miq të mirë që zgjasin sa një jetë”, deklaroi Veliaj.

Ai u bëri thirrje të gjithë të rinjve që të merren me sport, jo thjesht për të pasur një trup të shëndetshëm. Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e prindërve që të ndihmojnë në masivizimin e sportit tek moshat e reja dhe largimin e tyre nga jeta pasive. “Për të gjithë prindërit që ende nuk e kanë marrë vesh që bashkia ka hapur 62 palestra në gjithë qytetin, ju bëj një ftesë publike: Ngrijini fëmijët nga kolltuku, nga kafenetë, dhe regjistrojini në kurse sportive, në këto 62 hapësira, sepse është investimi më i mirë që një prind mund të bëjë për fëmijën e vet”, tha ai.

Sipas tij, një nga problemet kryesore që hasen tek brezi i ri është obeziteti dhe jeta sedentare. “Nëse vazhdojmë kështu, kjo gjeneratë fëmijësh do të jenë klientë spitalesh nesër për obezitet dhe diabet. Nëse fillojmë ta korrektojmë sot dhe prindërit e Tiranës nxitojnë t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në kurse sportive, do kemi shpëtuar gjeneratën e ardhshme të qytetit tonë”, tha Veliaj.

Ai falenderoi stafin e mësuesve dhe të trajnerëve sportivë, të cilët edhe pas orarit mësimor, kanë përqafuar këtë nismë së Bashkisë së Tiranës që synon të nxisë sportin te të rinjtë. Bashkia e Tiranës synon të nxisë të rinjtë të angazhohen në ushtrimin e sporteve të ndryshme, si dhe të evidentojë fëmijët që mund të kenë talente në sporte specifike, me fokus formimin e fëmijëve në aspektin fizik dhe mendor, si mjet për të luftuar sedentarizmin dhe shmangur çdo formë të shfaqjeve negative të kohës.