Shpërndahet pjesa e dytë e banesave sociale në Shkozë

Pëllumb Gega është kryefamiljar i një familje me 5 anëtarë, i persekutuar politik, i cili pas shumë vitesh si i pastrehë ka përfituar një banesë sociale. Eshref Kaçurri është një tjetër kryefamiljar i një familje të pastrehë me 4 anëtarë, i cili po ashtu, nga sot ka marrë çelësat e shtëpisë së re, pasi përfitoi banesë sociale nga Këshilli Bashkiak. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u dorëzoi çelësat e shtëpive 177 familjeve në nevojë, të cilat rreth dy javë më parë përfituan nga vendimi i Këshillit Bashkiak për një banesë sociale në Shkozë.

“Dolëm nga banesat që kishim me akt normativ, pra me një titull ekzekutiv të paligjshëm. Na nxorën nga shtëpitë tona në Janar, ndonëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhej të zbardhej në shkurt”, tregoi historinë e familjes së tij, Eshref Kaçurri. Edhe Edlir Çerepi është një kryefamiljar i verbër me 3 anëtarë, i cili mbeti pa shtëpi në vitin 2012 për shkak të një akti normativ që e nxorri të pastrehë. Sot ai përfitoi një banesë sociale nga Bashkia e Tiranës, së bashku me 177 familje të tjera që vijnë kryesisht nga kategori si ish të përndjekur, invalidë, komuniteti rom dhe egjiptian.

Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre bamesave, kryebashkiaku Veliaj theksoi se në prah të mbushjes së vitit të parë në detyrë, ky është një tjetër premtim i mbajtur, ndërsa vlerësoi faktin që prej këtij vendimi përfitojnë familjet më nevojtare të qytetit. “Më vjen mirë që këtij komuniteti dhe kësaj lagjeje do t’i bashkohen edhe 177 familje të tjera. Familje jashtëzakonisht nevojtare, ish të përndjekur dhe të persekutuar, që nuk kanë parë një ditë të bardhë, por sot ka ardhur dita që të marrin edhe ata banesat e tyre. Familje që kanë anëtarë persona me aftësi të kufizuar, të cilët e kanë të pamundur me çmimet e tregut që të përballojnë qiranë, siç e ka sot tregu, ose e kanë të pamundur të marrin një kredi prej kushteve ekonomike. Sot kemi familje që mund të jenë sorrollatur dyerve të bashkisë dhe institucioneve me vite të tëra, ndaj më vjen mirë që këtë javë, kur ne mbyllim vitin tonë të parë në Bashkinë e Tiranës, shpërndajmë të gjitha banesat sociale, për t’u futur në një fazë tjetër zhvillimi dhe strehimi për qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Ai shtoi se brenda një viti u bë e mundur që t’i jepej fund një problemi që ishte kthyer në një stres më vete për të gjitha këto familje, të cilat për vite të tëra endeshin zyrave të institucioneve shtetëtore pa zgjidhur punë. “Historia e banesave sociale ka qenë një histori pa fund sa ndonjëherë njerëzve iu dukej sikur ky vend nuk ekzistonte. Aq shumë flitej, aq shumë sorrollateshin njerëzit, aq shumë mashtroheshin, aq shumë silleshin vërdallë, saqë një pjesë e njerëzve mendonte që ky vend as nuk ekzistonte. Më vjen mirë që sot, vendi jo vetëm ekziston, por edhe me shtesën e 177 familjeve të reja do të kemi këtu një nga lagjet më model të Tiranës, për t’u siguruar që këtë shembull të mirë ta çojmë edhe në lagje të tjera”, shtoi Veliaj.

Ai kërkoi nga banorët e rinj të kësaj lagje që t’i mirëmbajnë banesat e reja, në mënyrë që ajo të kthehet në një nga lagjet model të Tiranës për mënyrën e menaxhimit dhe pastrimit. “Ajo që kërkoj nga të gjithë ju, ata që janë tashmë banorë, por sidomos për banorët e rinj që do të shtohen, të respektojmë rregullat e komunitetit dhe të pranojmë që në qytetin e Tiranës, por edhe në këtë lagje, jemi të gjithë të barabartë, pavarësisht mbiemrit, partive dhe pavarësisht ngjyrës së lëkurës. Kjo është Tirana ku ne besojmë”, u shpreh Veliaj. Kryetari i Bashkisë bërit të ditur se puna për të lehtësuar çështjen e strehimit në kryeqytet nuk mbaron këtu, pasi së shpejti në këtë zonë do të nisë edhe ndërtimi i banesave të tjera sociale.

“Kjo është arsyeja pse duke filluar nga muaji tjetër në zonën ku banon komuniteti rom, do të fillojmë shumë shpejt ndërtimin e shtëpive të reja për komunitetin që jeton aty. Unë s’jam këtu për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër. Një njeri që ka marrë përsipër të drejtojë një punë, sado e vështirë, duhet t’i dalë vetë zot, ndaj edhe më vjen mirë që bashkë me kolegët e Këshillit Bashkiak, koleget e Bashkisë, drejtorinë e Strehimit, drejtorinë nr. 3 të Mirëmbajtjes, kemi gjetur edhe fondin, mundësinë, se si në ato barake që sot nuk janë dinjitoze, t’i kthejmë në shtëpi të mirëfillta për të pasur dinjitetin dhe hapësirën e nevojshme, për të gjithë familjet që jetojnë aty”, përfundoi kryetari i bashkisë.