Shtimi i hapësirave të gjelbra, një prioritet kryesor

Shtimi i hapësirave të gjelbra mbetet një nga prioritetet kryesore të Bashkisë së Tiranës. Pas mbjelljeve të qershive japoneze një javë më parë, Parkut të Liqenit i janë shtuar edhe 200 pemë të tjera të llojit selvi, që janë mundësuar nga Bashkia e Tiranës dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Pemët u mbollën në rrugën hyrëse të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, në zonën e Fakultetit Gjeologjik, e cila do të emërtohet edhe si “Rruga e 1000 Selvive”, ashtu si ka hyrë në memorien kolektive të Kryeqytetit për shkak të mbizotërimit të kësaj peme aty.

Në mbjelljen e pemëve të selvisë morën pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si dhe kreu i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe. Teksa falenderoi kryegjyshin botëror për këtë kontribut, kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo është një tjetër dëshmi e punës së përditshme që Bashkia e Tiranës po bën për pasurimin e Parkut të Liqenit, jo vetëm me sipërfaqe të gjelbra, por edhe me shtim pemësh.

“Me këtë donacion, numri i pemëve të mbjella në Parkun e Liqenit shkon në 3 mijë, nga 7 mijë që kemi mbjellë gjithsej në këto 7 muaj në gjithë qytetin e Tiranës. Në fund të ditës, secili prej nesh gjykohet nga veprat dhe jo nga fjalët. Unë besoj se ashtu si secili në detyrën e tij gjykohet nga veprat, ashtu edhe puna jonë do të gjykohet nga sa pemë realisht kemi mbjellë dhe jo sa shumë kemi bërtitur për natyrën”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Ndaj, për ta mbrojtur këtë park, ai njoftoi se Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbyllë të gjitha hyrjet për mjetet motorike, përfshirë edhe hyrjen pranë fakultetit të Histori-Filologjisë. “Më duket e paarsyeshme që në 4 vitet e fundit kanë lulëzuar më shumë kafet, parkingjet, lavazhet dhe të gjitha hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme, se sa këndet e lojërave për fëmijë apo hapësirat për të mbjellë pemë dhe drurë në Parkun e Liqenit”, u shpreh Veliaj. Ai deklaroi se shumë shpejt do të nisë një aksion për prishjen e të gjitha objekteve të aktivitetit privat pa leje në park.

“Gjatë muajit prill Bashkia e Tiranës do të fillojë aksionin për prishjen e mbi 100 ndërtesave pa leje, të palegalizuara, të pahipotekuara, të cilat kanë zaptuar liqenin. Pas kësaj do të vendosim edhe kufizime shumë të rrepta për të larguar gjithë lavazhet dhe gjithë parkingjet që kanë ngrënë copa të liqenit”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u shpreh se mbjellja e 200 selvive vjen në kuadër të një feste shumë të rëndësishme për komunitetin bektashi dhe që simbolizon pikërisht rigjallërimin e natyrës. Mbjellja e 200 selvive në këtë zonë janë pjesë e një projekti të plotë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, ku parashikohet që të bëhet rehabilitimi, mbjellja, gjelbërimi i rrugës hyrëse për në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Një pjesë e pemëve të selvive janë dhuratë nga komuniteti Bektashian në vigjilje të Ditës së Sulltan Nevruzit, festa e ardhjes së pranverës, e cila simbolizon rigjallërimin e natyrës. Selvia cilësohet si druri më i bukur i florës mesdhetare, ka një rritje që shkon deri në 30-35 m lartësi, duke krijuar një korridor fantastik të gjelbër dhe konsiderohet si një nga pemët karakteristike të zonës së Tiranës.