Thuajse gati ujësjellësi në Yzberisht!

Brenda muajit maj do të marrë fund problemi i ujit të pijshëm për shumicën e banorëve të zonës së Yzberishtit. Bashkia e Tiranës përfundoi fazën e parë të punimeve që kanë të bëjnë me shtrirjen e tubacionit kryesor në rrugën “3 Dëshmorët” dhe tashmë, ka nisur fazën e dytë të zbatimit të projektit, shtrirjen e rrjetit në 200 shtëpitë e para që do të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm. Për këtë qëllim është kryer rikonstruksioni dhe zgjerimi depos së ujit, që mundëson kalimin nga një kapacitet prej 1000 m3 ujë në 4000 m3. Punimet e UKT-së u ndoqën edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Redi Molla, të cilët panë nga afër ecurinë e projektit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se falë këtij investimi, për herë të parë banorët e kësaj zone nuk do të vuajnë mungesën e ujit dhe furnizimin me bote. “Më vjen mirë që kjo do të jetë vera e parë ku nuk do të kemi problematikat e boteve të ujit sepse depozita e re e ujit, depoja e madhe, do të rrisë kapacitetin me 4 herë, por sigurisht edhe pjesa e zonës informale do të përfitojë ndjeshëm”, tha Veliaj. Më tej, ai theksoi se edhe ky projekt është dëshmi e suksesit të mirëmenaxhimit të ndërmarrjes së UKT-së, si dhe e reformës së vjeljes së të ardhurave që bashkia siguron nga taksat dhe tarifat.

“Falë modernizimit që i bëmë sistemit të mbledhjes së të ardhurave, duke i futur të gjitha tarifat në faturën e ujit, kemi rritur ndjeshëm të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Duke filluar nga ky muaj i parë, kur mbi 90% e qytetarëve janë përgjigjur duke paguar në mënyrë korrekte taksat e Bashkisë, jemi gati t’u përgjigjemi menjëherë me investime”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai u bëri apel qytetarëve se çdo faturë e paguar e ujit dhe taksave të bashkisë do të thotë më shumë investime në punët publike. “Sa më korrekt të jemi me bashkinë, aq më të përkushtuar do të jemi që të gjitha qindarkat që mblidhen nga qytetarët e Tiranës, të përkthehen në investime”, theksoi Veliaj.

Veliaj sqaroi se projektet që bashkia ka nisur të zbatojë për heqjen e depozitave do të vijojë vetëm pasi ajo të ketë siguruar më parë ujin e pijshëm 24 orë, siç edhe po bën në këtë lagje të Yzberishtit. “Pasi qytetarët të binden dhe të shikojnë vetë që uji vjen pa ndërprerje, atëherë do t’i lusim që në një periudhë disa javore të fillojnë reduktimin e depozitave. Ndaj, dua të qetësoj të gjithë qytetarët, bashkia nuk do të vijë të heqë depozitat, përkundrazi, bashkia do t’u sjellë shërbimin me ujë 24 orë dhe teksa provohet që uji ka ardhur 24 orë, iu kërkojmë gradulisht reduktimin e depozitave”, shtoi Veliaj.

Nga ana e tij, drejtori i UKT-së, Redi Molla garantoi se po punohet që, pas fazës së parë të këtij projekti, të mund të vijohet edhe me lagje të tjera të kësaj zone, e cila në vite ka vuajtur nga problematika e ujit të pijshëm. “Aktualisht, UKT-ja ka mbaruar fazën e parë të investimit me një tub që furnizon 200 familje, që ishin totalisht informale. Kjo na eliminon humbjet në rrjet, çka do të thotë kontrata të reja, përmirësim i cilësisë së ujit. Përveç fazës së parë që sapo përfundon, ne kemi në plan të fillojmë fazën e dytë në javën në vazhdim, po nga e njëjta depo që po rikonstruktohet, në 40 pallatet e zonës së KMY-së. Me këtë projekt të ri, që përfundon në fund të majit, mendojmë të përfundojmë totalisht problemin e furnizimit me ujë në Yzberisht, garantojmë ujë 24 orë dhe hiqet definitivisht furnizimi me bote gjatë verës dhe problematikat e shumta që kanë ato”, u shpreh drejtori i UKT-së, Redi Molla.