Standarte të reja sportive për nxënësit e Tiranës

Viti i ri shkollor i ka gjetur nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” me palestër dhe ambiente të reja sportive. Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e fushave sportive të lojërave në dorë në këtë shkollë, të cilat gjatë paradites do të shërbejnë për procesin edukativ sportiv, ndërsa pasdite do jenë të hapura edhe për banorët e zonës përreth. Fushat u përuruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh i kënaqur që, pak muaj pas rikonstruksionit të të gjithë shkollës, u mundësua edhe hapja e fushave të rinovuara sportive.

“Është jo vetëm shkolla më e mirë për sa i takon infrastrukturës, pra për klasat e laboratorët që ka, por edhe për terrenet sportive. Kjo është një tjetër fjalë e mbajtur”, tha Veliaj. Ai vuri theksin te fakti se këto ambiente të reja, ashtu si edhe palestra, do t’i shërbejnë nxënësve dhe qytetarëve, pasi gjimnazi “Qemal Stafa” do të jetë një nga shkollat e përfshira në projektin e shkollave si qendra komunitare.

“Është një investim që ka dobi të dyfishtë: Është investim për nxënësit e “Qemal Stafës”, për të gjithë ata që kanë orët e tyre të fiskulturës, por sigurisht edhe për banorët e njësisë 10, sepse pas orëve të mësimit, palestra, terrenet sportive që janë të një cilësie jashtëzakonisht të lartë, do të jenë të hapura për komunitetin”, shtoi kryetari i bashkisë. Ai shprehu gjithashtu besimin se investime të tilla largojnë të rinjtë nga kafenetë apo sallonet e basteve, duke i sjellë në aktivitete fizike e duke i bërë qytetarë më të mirë për të nesërmen.

“Bashkia e Tiranës shtoi një fond tjetër 20% për t’u siguruar që kemi cilësi të njëjtë me çdo shkollë tjetër evropiane, kur vjen puna tek infrastruktura. Tani na mbetet që i vetmi kompensim që kërkon Bashkia e Tiranës janë notat e mira dhe rezultatet e nxënësve. Kjo do të na bënte realisht të ndiheshim krenarë dhe të ndiheshim mirë që paratë i kemi vënë për ta bërë jetën dhe suksesin e të rinjve të Tiranës sa më të arritshëm”, shtoi Veliaj. Kryebashkiaku theksoi se gjimnazi “Qemal Stafa” është tashmë një pikë orientimi për standardin që duhet të kenë institucionet arsimore në kryeqytet.

“Me standardin që kemi ngritur në shkollën “Qemal Stafa” kemi rritur stekën e investimeve në bashki dhe ky do të jetë standardi që do aplikojmë në çdo shkollë tjetër, për t’u siguruar që ky nuk është vetëm një “ishull ekselence”, si për notat e aktivitetet sportive, por ky është standardi që aplikojmë në të gjithë territorin e Tiranës, për të gjithë nxënësit e Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.