Ta kthejmë qytetin në “binarët” e ligjit

Policia Bashkiake e Tiranës është përfshirë në një proces të plotë transformimi, jo vetëm sa i përket mjeteve, por edhe një shërbimi më të mirë ndaj qytetarëve dhe kontrollit të territorit. Sot u betuan 87 rekrutë të rinj, të janë bërë pjesë e forcave të Policisë Bashkiake, nga të cilët 65 djem dhe 22 vajza. Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Policisë Bashkiake, mori pjesë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi dhe Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se në shtatë muaj Policia Bashkiake ka pësuar një ndryshim rrënjësor, duke nisur nga imazhi dhe sjellja e punonjësve me qytetarin. Ai vuri në dukje se detyrat që i dalin para Policisë Bashkiake janë të shumta dhe njëkohësisht të vështira, për vetë përpjekjet që kërkon kthimi i kryeqytetit nga një vend ku mbizotëronte paligjshmëria dhe kaosi, në një vend ku mbizotëron forca e ligjit dhe normaliteti, duke filluar nga çlirimi i hapësirave të zëna publike dhe kthimin e tyre qytetarëve.

“Jemi në një situatë jo të lehtë për Bashkinë e Tiranës, për disa arsye: së pari, sepse e kemi marrë bashkinë pas një katër vjeçari ku pastrimi i qytetit kishte degjeneruar, ku çdo trotuar ishte i zaptuar, ku askush nuk e trajtonte pronën publike si një pronë me zot, por abuzonte me të, duke e pushtuar si një pronë pa zot. Për ta sjellë qytetin tonë në ‘binarë’, ju jeni instrumenti numër një dhe i pazëvendësueshëm i Bashkisë së Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Më tej, ai shtoi se është e kuptueshme që çdo përpjekje për ndryshim të shoqërohet me kundërshti, pasi askush, i cili deri dje kishte zënë një hapësirë publike nuk do ta pranojë kurrë që t’i merret mbrapsht për t’ia kthyer qytetit dhe qytetarëve. Prandaj, theksoi kryetari, Policisë Bashkiake ka për detyrë që në çdo rast të jetë me qytetarët. “Një mërzitet, por 100 të tjerë gëzohen që më në fund, Policia Bashkiake nuk bëhet palë me të fortin e lagjes, por me gjyshërit, gjyshet, babain, nënën, familjarët që duan të kenë një jetë të rregullt, me familjarë që duan të kenë një shesh ku të luajnë fëmijët, që duan të kenë një trotuar ku mund të ecin”, shtoi Veliaj.

Ndaj, ai u ka kërkuar efektivëve të Policisë Bashkiake, që pavarësisht këtyre kundërshtimeve, të sillen si profesionistë dhe në mbrojtje të interesit të qytetarëve. “Nëse disa njerëz mërziten, unë jam gati të marr ‘koston’ politike të atyre që mërziten, sepse po zbatohet ligji. Ju garantoj për një gjë: Qytetarët i takoj përditë dhe e di se për çdo njeri që mërzitet, 100 apo 1000 të tjerë gëzohen, sepse prona publike po i kthehet publikut, ngaqë Bashkia e Tiranës më në fund po punon, gëzohen sepse më në fund ‘të fortë’ janë ata që zbatojnë ligjin. Fakti që ka kundërshti është dëshmi që ka ndryshim, vetëm ndryshimi prodhon reagim. Statusquo-ja nuk prodhon asnjë reagim. Reagimin e prodhon vetëm trazimi i shoqërisë për ta çuar në drejtimin e duhur dhe kthyer në ‘binarët’ e ligjit”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Por, që Policia Bashkiake të kryejë sa më mirë detyrën e saj në shërbim të të gjithë komunitetit, Veliaj kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për të bashkëpunuar me të. “Secili prej nesh ka detyrë që të kalisë veten dhe të kuptojë se në një qytet ku ka mbizotëruar rrumpalla, 6 muaj janë shumë pak kohë që të mbizotërojë rregulli. Por, do t’ia arrijmë! Çdo ditë nga pak, derisa të kemi një qytet model, të pastër, me hapësira të lira dhe ku secili prej jush thotë: Jam krenar që jam polic i Bashkisë së Tiranës, kryeqytetit tonë”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, një nga elementet e rëndësishme që ka ndryshuar në Policinë Bashkiake është edhe përfshirja më e madhe e punonjësve femra. “Dua t’ju uroj një mirëseardhje të veçantë kolegeve vajza, zonja e zonjusha, të cilat kanë marrë përsipër një detyrë që tipikisht në Bashkinë e Tiranës është kryer vetëm nga meshkujt. Në ditën e parë që kam ardhur në detyrë ka pasur vetëm një zonjë, kështu që automatikisht kemi rritur 22 herë pjesëmarrjen e vajzave dhe zonjushave në Policinë Bashkiake të Tiranës”, përfundoi Veliaj.