Me donatorët për Planin e Përgjithshëm Vendor

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë sot në takimin organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban me donatorët që mbështesin hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore për 31 bashkitë e para që janë përfshirë në këtë proces. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj, në cilësinë edhe të kreut të Shoqatës për Autonomi Vendore, ka vlerësuar Planin e Përgjithshëm Vendor si një nga instrumentet kryesore të zhvillimit të bashkive, të cilat tashmë përfaqësojnë të gjitha realitetet urbane dhe rurale. Ai theksoi gjithashtu se është e rëndësishme që PPV-të të mos trajtohen si plane që përcaktojnë vendet ku do të bëhen ndërtime apo pallate, njollat apo koefiçentet e shfrytëzimit.

Kjo pasi, sipas tij, ato janë një vizion strategjik që përcaktojnë një kornizë të qartë të ndërhyrjeve, nevojave dhe potencialit për zhvillim të bashkisë. “Në Tiranë kemi marrë përgjegjësinë e këtij procesi, për të sqaruar qytetarët, por edhe njëri-tjetrin, se Plani i Përgjithshëm Vendor nuk është instrument për të dhënë leje ndërtimi. Sinonimi i derisotëm i Planeve të Përgjithshme Vendore kanë qenë platformat mbi të cilët bëhej kërdia urbane për të dhënë lejet e ndërtimit. Sot besoj, edhe me një lloj frymëmarrje që qeveria qendrore i dha çështjes së ndërtimit në Shqipëri dhe hapësirave publike, kemi arritur në një nivel tjetër emancipimi”, deklaroi Veliaj.

Ai ka theksuar se për zhvillimin e njësive vendore, përfshi edhe realizimin e planeve të përgjithshme vendore, bashkitë duhet të diversifikojnë të ardhurat, të gjejnë burime alternative financimi dhe të mos presin vetëm nga të ardhurat e Buxhetit të Shtetit. Ai ka sjellë në vëmendje se, falë disa vendimarrjeve të domosdoshme, arka e Bashkisë së Tiranës është përmirësuar ndjeshëm. “Falë një bashkëpunimi me USAID-in, me të cilin kemi lidhur një memorandum në mënyrë që taksat lokale të mblidhen me faturën e ujit, muaji mars ka qenë muaji i parë ku Bashkia e Tiranës ka mbledhur më shumë të ardhura nga parkingjet dhe nga taksa e pronës se sa nga taksa e infrastrukturës së ndërtimit. Kur morëm detyrën, taksa e pronës mblidhej në nivelin 7%. Brenda një muaji shkoi nga 7% në 94%, pra praktikisht të gjithë ata që kanë një faturë uji paguajnë taksën e pronës”, u shpreh Veliaj.

Veliaj u shpreh i gatshëm që t’u vijë në ndihmë bashkive të tjera në procesin e hartimit të Planeve të tyre të Përgjithshme Vendore, duke i ofruar atyre eksperiencën dhe përvojën që Bashkia e Tiranës pati në hartimin e këtij plani në këto 8 muaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shfrytëzuar edhe një herë rastin për t’i bërë thirrje edhe bashkive të djathta që të bashkohen dhe të unifikojnë zërin në mbrojtje të interesave të të zgjedhurve vendorë. “Jam i hapur që të unifikojmë shoqatat e bashkive. Ky është në rast tipik i asaj që them shpesh se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Shfrytëzoj edhe këtë mundësi për të bërë një ftesë publike kolegëve të shoqatës së bashkive të tjera që të bashkohemi”, deklaroi Veliaj.

Hartimi i PPV është një detyrim ligjor që buron nga Reforma Territoriale dhe Reforma e Decentralizimit. Nga ana e saj Bashkia e Tiranës zhvilloi të premten një dëgjesë publike për Planin e saj të Përgjithshëm Vendor. Dëgjesa ishte një ushtrim shumë interesant dhe i dobishëm idesh dhe që tregoi qartë jo vetëm rëndësinë e procesit të konsultimeve, por edhe vëmendjen dhe interesimin e madh të publikut për PPV, si dokumenti që do të përcaktojë zhvillimin e qytetit të tyre për 20 vitet e ardhshme.