Të pastrojmë Tiranën

Aksioni i Bashkisë së Tiranës “Të pastrojmë Tiranën” është ndalur në Njësinë Administrative nr. 11 të kryeqytetit. Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, të Ndërmarrjes Nr. 1 të Punëtorëve të Qytetit, të Njësisë Administrative Nr. 11, por edhe komuniteti i zonës, janë bërë pjesë e këtij aksioni pastrimi të cilin Bashkia e Tiranës po e shtrin në çdo cep të qytetit.

E pranishme në këtë aksion ishte edhe nënkryetarja e bashkisë, Brunilda Paskali. Gjatë fjalës së saj, Paskali vuri në dukje problematikat me mbetjet urbane, por edhe përpjekjet e Bashkisë së Tiranës për të zgjidhur problematikën e kontenierëve. “Jemi këtu, në njësinë 11 të Tiranës, për ditën e përmuajshme të pastrimit të qytetit. Është një event që ne e organizojmë jo thjesht për qendrën e Tiranës, por për të gjitha zonat, ndaj jemi sot në një zonë në periferi, me problematika, me mbetje urbane dhe mungesë kontenierësh, që janë problematika të cilat duhen zgjidhur, për të mos pasur një ambient të tillë të ndotur”, tha ajo.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës vlerësoi angazhimin e të rinjve në këtë aksion, të organizatave rinore, por edhe banorëve të zonës. “Ka një angazhim nga të rinjtë, nga organizatat rinore, njësia, punonjësit e administratës dhe qytetarë të tjerë për të ndihmuar, pastruar dhe mbajtur qytetin tonë të pastër. Unë uroj dhe shpresoj që qytetarët tanë të jenë akoma edhe më të ndërgjegjshëm për të mbajtur pastër ambientin dhe të na bashkohen si gjithmonë, në aksionet tona të përmuajshme”, u shpreh Paskali.

Aksioni për pastrimin vullnetar të Njësinë Administrative Nr.11, i cili nisi në orën 09.00 u shtri në rrugën ”Allaman Dervishi”, pranë pallateve të “Malajzianit”, në kufi me Njësinë Administrative Kashar. Një zonë kjo që ka problematika me mbetje urbane të gjeneruara nga bizneset dhe banesat aty pranë, por edhe problematikës së mbartur prej vitesh. Aksioni vjen në kuadër të nismës “Të Pastrojmë Tiranën”, që Bashkia e Tiranës organizon çdo muaj me synimin për të sensibilizuar, por edhe angazhuar qytetarët që të mbajnë pastër ambientin.