Terrene të reja sportive në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”

Një tjetër shkollë në Tiranë ofron më shumë terrene sportive moderne që do shërbejnë jo vetëm për nxënësit, por edhe për banorët e zonës përreth. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e ambienteve sportive të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, të cilave i është shtuar edhe një fushë e veçantë tenisi. Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj, ndërsa inspektoi përfundimin e punimeve, tha se në këtë mënyrë nxënësit do të kenë mundësi të zhvillohen jo vetëm nga ana arsimore, por edhe fizikisht.

“Më vjen shumë mirë që kemi arritur në një fazë ku pas rregullimit që i kemi bërë çerdheve, kopshteve, po fokusohemi tek shkollat. Por ne nuk e kuptojmë shkollën vetëm si një vend ku fëmijët e nxënësit “parkohen” disa orë gjatë ditës, teksa prindërit shkojnë në punë, por si një vend ku zhvillohen mendërisht, por edhe fizikisht, dhe kjo është arsyeja pse kjo është shkolla e dytë model me terrene moderne sportive”, tha kryebashkiaku Veliaj. Më tej, ai shtoi se në këtë shkollë ofrohet mundësia e ushtrimit të një prej sporteve të veçanta dhe mjaft të ndjekur në botë, siç është ai i tenisit.

“Për herë të parë po fusim sportin e tenisit, është një sport elitar, ku Shqipëria mund të ketë të ardhme, por për sa kohë s’ka infrastrukturë nuk kemi si e zbulojmë dhe më vjen mirë që përveç disa investimeve për fusha model të volejbollit, basketbollit, futbollit që janë sporte klasike, ne kemi krijuar edhe një hapësirë për tenisin”, tha Veliaj. Ai kujtoi se e gjithë zona përballë shkollës “Petro Nini Luarasi” ishte e shkatërruar, ndërsa tani jo vetëm që ka një infrastrukturë të re, por dhe ambiente moderne sportive në shkollë.

“Kemi kaluar nga një degjenerim urban, me trotuare të shqyer, gropa të hapura, kanale të zeza, ambulantë kudo, në një paraqitje shumë më dinjitoze të rrugës dhe aksit kryesor që lidh sheshin “Wilson” me digën e liqenit, përballë shkollës “Petro Nini Luarasi”, por më vjen mirë që sot në fakt, kemi rritur stekën e investimeve dhe dua të ftoj të gjithë banorët që ta trajtojnë këtë si një hapësirë edhe të tyren, jo vetëm të fëmijëve të tyre paradite, por edhe gjatë pasdites e orëve të vona të ditës, për t’u siguruar që i marrim maksimumin këtyre hapësirave”, u shpreh kryebashkiaku. Veliaj tha se edhe pse Tirana ka pak hapësira, po bëhet gjithçka për shfrytëzimin maksimal të tyre në shërbim të komunitetit.

Drejtoresha e shkollës, Teuta Braçaj, falenderoi Bashkinë për këtë investim me standardet më të mira. “Këto janë fusha brenda standardeve, vetë nxënësit e kanë parë ndryshimin sesi ishin dhe sesi janë. Ne si shkollë “Qendër Komunitare” e ftojmë komunitetin, ashtu siç kanë ardhur deri dje, por, sot të vijnë të luajnë te këto fusha të cilat janë brenda standardeve për fëmijët e tyre”, tha ajo.

Investimi i Bashkisë për “Rikualifikimin e terrenit sportiv në shkollën “Petro Nini Luarasi” bëri të mundur ndërtimin e tre fushave sportive në këtë shkollë, përkatësisht një fushë basketbolli dhe volejbolli, një fushë futbolli dhe për herë të parë edhe një fushë tenisi. Fushat e ndërtuara kanë të gjitha pajisjet e nevojshme sportive, terrene të ndriçuara por dhe rrethimet përkatëse.