“Tirana Art Fest” zbulim dhe promovim i talenteve

Të gjithë të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës do kenë një mundësi më shumë për të zhvilluar dhe promovuar talentin e tyre në muzikë, multimedia, kërcim dhe aktrim. Bashkia e Tiranës ka rikthyer traditën e bukur të “Rinfest-it”, por kësaj here me një emër të ri, “Tirana ArtFest”, një projekt që i kushtohet tërësisht nxënësve të gjimnazeve të kryeqytetit, në promovimin dhe zhvillimin e talenteve në fushën e artit. Me pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe disa artistëve të njohur, nisi sot projekti “Tirana ArtFest”, i cili synon gjallërimin e jetës artistike-kulturore rinore të kryeqytetit.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi nisjen e këtij projekti si përmbushjen e një pike tjetër të kontratës që ai nënshkroi me të rinjtë e Tiranës në qershor 2015, si dhe theksoi se “Tirana Art Fest” është një mundësi e shkëlqyer për ata të rinj, të cilët do kenë fatin të zbulohen dhe trajnohen nga specialistët më të mirë të fushës së tyre, si Bojken Lako në muzikë, Albes Fusha në multimedia, Klajdi Selimi në kërcim dhe Gjergji Trola në teatër.

“Nuk e di se kush prej jush do të jetë aktori apo aktorja e famshme pas 10 vjetësh, por keni një shans fantastik për të punuar me një nga regjisorët, por edhe trajnerët, mentorët më të mirë që unë njoh, që e do punën me të rinjtë dhe do të promovojë djem dhe vajza, të cilët ndoshta nuk kanë mbiemra të famshëm, apo që ndoshta nuk kanë lidhje me VIP-a”, tha Veliaj. Ai vlerësoi rëndësinë që ka suksesi i kësaj nisme, jo vetëm për të ardhmen e të rinjve që do bëhen pjesë e tij, por edhe për të gjithë ata të rinj të qyteteve të tjera që shohin te kryeqyteti modelin që duhet ndjekur.

“Dua shumë që ‘Tirana Art Fest’, të jetë edhe një kontrast me atë që po ndodh sot në Shqipëri. Ju e dini që ka shumë mënyra për të qenë i famshëm ose famëkeq. Dikush, fare mirë, mund të bëhet famëkeq në qoftë se mendon se roli i një të riu është të marrë një kobure në brez dhe të zihet me policët. Por, unë besoj se është më mirë të bëhesh i famshëm falë talentit dhe punës, pavarësisht shpotive dhe pavarësisht ambientit mbytës. Pra, ka mënyra të ndryshme për të rënë në sy dhe unë dua që ky grup të jetë kontrasti”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Duke e vlerësuar këtë si një mundësi që çdo i ri të zbulojë talentin e tij, Veliaj tha se arti ka fuqinë për të ndryshuar mendësitë dhe paragjykimet e mbartura në një shoqëri. “E mbani mend Klajdin që ishte tek Amici, në Itali. Shikoni se çfarë fuqie ka një njeri, i cili me talentin e vet në një fushë të caktuar thyeu disa mentalitete, që s’kanë të bëjnë fare me fushën e tij, por që me të gjithë popullin tonë. Vetëm performanca e tij, sjellja dinjitoze dhe talenti i tij, i bindi italianët se shqiptarët janë njerëz pa talent”, shtoi ai.

Projekti “Tirana Art Fest” do të zhvillohet në 14 shkolla të mesme publike të qytetit të Tiranës dhe do të përfshijë konkurrimin në 4 disiplina: muzikë, kërcim, multimedia dhe teatër. Disiplina e muzikës do përfshijë interpretime në këngë solo, duet, në grup, këngë shqip ose të huaja; kërcimi do të përfshijë kërcime solo, kërcime në çift, ose në grup; teatri do ketë interpretime në poezi, monolog, komedi, pjesë nga filma ose teatre, etj, ndërsa multimedia do të ketë temë e lirë, film me metrazh të shkurtër, fotografi, etj.

Projekti do të shtrihet në 4 faza: në fazën e parë do të zhvillohen audicionet dhe për çdo shkollë do të zgjidhen nga dy nxënës për çdo disiplinë, pra gjithsej 8 nxënës për shkollë. Faza e dytë do t’i kushtohet minispektakleve konkurruese për secilën disiplinë. Në fazën e tretë do të zhvillohet gjysmë-finalja dhe në fazën e katërt finalja, ku do të shpallen fituesit për secilën nga 4 disiplinat. Qëllimi i këtij projekti është gjallërimi i jetës artistike-kulturore rinore, nxitja dhe inkurajimi i krijuesve të rinj të shkollave të mesme, edukimi dhe argëtimi i të rinjve, dhe kontributi në luftën ndaj fenomeneve negative shoqërore.