“Tirana Fan Zone”, mundësi argëtimi dhe ushtrimi të aktiviteteve sportive

Krahas ndjekjes së ndeshjeve të Kampionatit Evropian të Futbollit “Francë 2016”, hapësira e “Tirana Fan Zone” është kthyer dhe një mundësi të mirë argëtimi dhe ushtrimi të aktiviteteve sportive. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me federatat e ndryshme të sportit në vend, ka krijuar në të terrene të posaçme për zhvillimin e sporteve të ndryshme, duke filluar nga futbolli, volejbolli, basketbolli, karate, taekuondo.

Të rinjtë e kryeqytetit kanë mundësi të bëhen pjesë e këtyre sporteve përgjatë gjithë ditës në 30 ditët e Kampionatit Evropian të futbollit. Disa nga aktivitetet sportive u ndoqën sot edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nxiti të rinjtë që jo vetëm të ndjekin sportin, por edhe të merren sport, pasi kështu mundësojnë një jetë aktive fizike dhe shmangin rreziqet që vijnë nga një jetë pasive, si mbipesha.

“Nuk e fshehim se duhet të përdorim këtë eksperiencë fantastike të Kombëtares tonë në Francë dhe kualifikimin, si një mundësi për të inkurajuar jetën sportive në qytet. Besoj që gjithë ky admirim për sportistët e Kombëtares duhet të kthehet në vendim-marrje të përditshme që ne duhet ta kemi në këtë qytet për të inkurajuar fëmijët të merren me sport. Ndaj, edhe e kemi kombinuar, nuk kemi vetëm pjesën e tifozërisë për të ndjekur ndeshjen, por edhe pjesën sportive me disa fusha”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se kjo hapësirë është në dispozicion të çdo qytetari që dëshiron të merret me sport, duke u bërë thirrje të veçantë prindërve që të sjellin fëmijët e tyre në “Tirana Fan Zone”. “Më vjen mirë që sot kemi ekipe nga Durrësi, Elbasani, ekipet e vajzave të Miss Shqipërisë, janë gjithashtu duke përdorur fushat, kemi bërë rezervime gjatë gjithë muajit dhe i them të gjithë prindërve të Tiranës, nëse doni të bëni një gjë të mirë për fëmijët tuaj inkurajoni një jetë të shëndetshme, të ushqehen mirë, të ushqehen me një kulturë e cila fokusohet tek ushqimet bio, në një qytet që sot është më obez dhe më i pashëndetshëm se kurrë më parë. Në qoftë se duan që realisht t’i lënë fëmijëve të tyre një jetë solide është që t’i inkurajojnë që të merren me sport”, shtoi kryetari i Bashkisë.

Ai theksoi se Kampionati Evropian i futbollit është momenti i duhur që secili prej prindërve të nxisë fëmijën e tij të merret me sport dhe t’i regjistrojë në aktivitete të ndryshme sportive.