Tirana fitoi sot maratonën e saj

Tirana ka fituar sot maratonën e saj. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 1200 pjesëmarrës vrapuan sot në kryeqytet në Maratonën e Tiranës, e cila ndahej në 4 kategori, përfshirë edhe 1km vrap për fëmijë.

Fituesi i garës së 21 kilometrave për meshkuj doli korçari, Ilir Këllezi, ndërsa në kategorinë për femra, fituese u shpall rekordmenia shqiptare, Luiza Gega, ndërsa vendin e tretë e zuri kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila. Në garën e 10 kilometrave për meshkuj fitues u shpall, Bledar Mesi, i cili vinte si përfaqësues i Forcave të Armatosura, ndërsa për femra në këtë kategori u shpall fituese Deborah Keçi.

Për të dhënë shembullin e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vrapoi dhe e mbaroi garën në kategorinë e 10 km, po ashtu edhe shumë personalitete të tjera të politikës dhe sportit. Në fjalën e tij, në mbyllje të kësaj maratone, kryebashkiaku Veliaj e konsideroi atë si një sukses për Tiranën, por edhe një moment historik, pasi sipas tij, sot me qytetarinë dhe sportivitetin e treguar provoi se di të jetë edhe europiane.

“Kjo ishte më e vështirë se fushata! Fushata fitohet më kollaj se një maratonë. Nuk e di i sati kam dalë, i 500 apo i 600, por gjithmonë duhet të marrësh pjesë. Sot qyteti është realisht europian! Të gjithë të huajt që morën pjesë thanë se një gjë të tillë nuk e kemi parë në asnjë vend të Ballkanit dhe të rajonit. Besoj se e kaluam testin. Mezi presim që në datën 13 Tetor, javën tjetër, të marrim një datë zyrtare për t’u futur në kalendarin e maratonave të certifikuara në të gjithë Europën dhe vitin tjetër ta bëjmë akoma më të madhe, edhe më të bukur, më europiane Maratonën e Tiranës”, tha Veliaj. Ai falenderoi qytetarët që i’u përgjigjën thirrjes së bashkisë për të respektuar sot vrapuesit, duke lënë rrugët e qytetit të lira.

“Një falenderim të veçantë edhe atyre që nuk garuan, që nuk vrapuan, por që sot janë treguar jashtëzakonisht të duruar me ne. I kërkojmë ndjesë nëse i bllokuam disa nga rrugët edhe atyre që ishin me automjete ose këmbësorë, por kanë qenë fantastikë. Tirana ka qenë kryesisht pa makina dhe ju jemi shumë mirënjohës”, u shpreh kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.

Ndërsa fituesi i garës së 21 km për meshkuj, Ilir Këllezi, tha se ndihej i gëzuar që ishte fituesi i parë i Maratonës së Tiranës. “Sot jam shumë i gëzuar që për herë të parë zhvillohet maratona në Tiranë. Jam shumë i gëzuar që dola në vend të parë, gjithashtu gara ishte shumë e bukur, me rivalitet. Fitova dhe jam shumë i gëzuar! Shpresoj që në vitet e tjera të ketë më shumë rivalitet”, tha ai.

Një aktivitet me përmasa të tilla u organizua për herë të parë në Tiranë dhe ai synon ta fusë kryeqytetin në hartën e maratonave që organizohen në shumë qytete të botës. Për mbarëvajtjen e kësaj maratone Bashkia e Tiranës angazhoi në terren mbi 750 punonjës të saj dhe vullnetarë, duke filluar nga ndërmarrjet e punëve publike, Agjencia e Parqeve dhe zjarrfikëset. Ndërsa, Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, mori të gjitha masat që kjo festë sportive të mbyllej nën një kontroll të plotë.

Partnerët e Bashkisë së Tiranës në këtë organizim ishin Ministria e Kulturës dhe Sportit, Federata Shqiptare e Atletikës. Pjesë e rëndësishme për organizimin e kësaj maratone ishin Vodafone Albania, World Vision (të cilët vrapuan me kauzën në mbrojtje dhe mbështetje të fëmijëve), Agna Group, EcoVolis, Birra Peja, Adidas, Fifth Element dhe Rauch.

10 KM PËR MESHKUJ

Bledar Mesi                 0:37:29.067

Malvin Nikolla            0:37:47.147

Kledis Malo                0:39:02.744

10 KM PËR FEMRA

Deborah Keçi              0:50:09.780

Anduela Nika              0:52:44.857

Eglantina Shemaj        0:55:04.197

21 KM PËR MESHKUJ

Ilir Këllezi                   1:13:31.210

Tirron Mamusha          1:15:46.907

Besim Ismajli              1:26:17.630

21 KM PËR FEMRA

Luiza Gega                  1:22:08.917

Besjana Gega              1:44:15.274

Mimoza Kusari Lila   1:52:05.474