Tirana hedh kandidaturën për t’u zgjedhur “Kryeqyteti Europian i Kulturës 2024”

Në vitin 2024 Tirana mund të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Bashkia e Tiranës ka hedhur kandidaturën për të qenë ajo qendra e kulturës në Europë. Konfirmimi vjen nga kryebashkiaku Erion Veliaj, pasi mori pjesë në Konferencën e parë të Kryeqyteteve Europiane të Kulturës që po zhvillohet në Firence, ku drejtues vendorë, ekspertë dhe përfaqësues të njohur të artit, diskutuan mbi rolin e kulturës në zhvillimin ekonomik të qyteteve.

Veliaj tha se kjo konferencë ishte një mundësi e shkëlqyer për të lobuar për kandidaturën e Tiranës me përfaqësuesit e kryeqyteteve të tjera evropiane. “Shqipëria ka aplikuar për të qenë kandidate në vitin 2024, ndaj e kemi shfrytëzuar këtë mundësi të shkëlqyer të gjithë kryeqyteteve evropiane të kulturës në të kaluarën, për të lobuar për kandidaturën tonë. Falë kontributit të mikut tonë, Dario Nardella, kryetar i Bashkisë së Firences, qytetit tonë binjak, besoj se Shqipëria ka shanse shumë të mira, duke qenë se do të ketë edhe mbështetjen e këtyre qyteteve në përgatitjen e kandidaturës së saj për vitin 2024”, theksoi ai.

Duke e cilësuar kandidaturën e Tiranës një mundësi e shkëlqyer për kryeqytetin, Veliaj shprehu bindjen se falë përgatitjeve që tashmë kanë nisur, do të kemi një tjetër histori suksesi. “Si të gjitha qytetet që kandidojnë për të qenë mikpritës të Lojërave Olimpike, Kampionatit Botëror të Futbollit apo të aktiviteteve të ndryshme, përgatitjet fillojnë vite më përpara. Ndaj, po i fillojmë përgatitjet 4-5 vite përpara, që kur të kemi edhe infrastrukturën, edhe buxhetin e nevojshëm, plus ndihmën që vjen nga Komisioni Evropian, besoj do të prodhojmë një histori tjetër suksesi për Tiranën tonë”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me qeverinë, i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë artit dhe kulturës, duke shumëfishuar buxhetin e vendosur në dispozicion të saj. “Kultura sot nuk është vetëm art dhe teatër. Kultura sot është biznes, turizëm, sjell ekonomi. Ndaj, jam shumë i lumtur që Tirana po përgatit këtë kandidaturë. Sot, teksa përgatitemi për Teatrin e Ri, teksa kemi Turbinën, Shtëpinë e Gjetheve, kemi hapur shumë muze, kemi shumëfishuar buxhetin për art dhe kulturë, si nga qeveria qendrore, ashtu edhe nga bashkia lokale, besoj se kandidatura jonë ka një shans të shkëlqyer për të qenë e suksesshme”, tha Veliaj.