Tirana i bashkohet Festivalit Evropian të Pedalimit

Tirana i është bashkuar sot Festivalit Evropian të Pedalimit të iniciuar nga Holanda dhe që është mbajtur në të gjitha kryeqytetet e Evropës. Nënkryetari i Bashkisë, Arbian Mazniku së bashku me ambasadoren e Holandës, Dewi Van De Weerd morën pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast ku në lulishten në krah të Bankës së Shqipërisë u realizuar një biçikletë me tulipanë, dy simbolet identifikuese të Holandës, e cila mban edhe presidencën e Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij nënkryetari Mazniku theksoi angazhimin e bashkisë për të nxitur përdorimin e biçikletës duke shtuar korsitë për to në çdo rrugë të re që ndërtohet, jo vetëm si një përpjekje për ti ardhur në ndihmë trafikut në Tiranë, por edhe si një mjet ekologjik dhe mbi të gjitha I shëndetshëm për njerëzit. “Tirana është një qytet fantastik për të udhëtuar me biçikletë, është qytet i sheshtë, ne kemi kohë shumë të mirë ndaj dhe ne kemi inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme që gjithë njerëzit që munden, të udhëtojnë me biçikletë sepse kjo është jo vetëm e shëndetshme, ndihmon qytetin, ndihmon ajrin por e bën qytetin edhe shumë më miqësor për gjithë njerëzit”, tha Mazniku.

Ai shtoi në fjalën e tij se muajt e fundit ka një shtim të madh të njerëzve që udhëtojnë me biçikleta dhe se Bashkia po punon në mënyrë të përditshme për të pasur mundësi që t’i shtojmë rrugët e aksesit.

“Jemi duke punuar me ambasadën holandeze për të krijuar një rrjet minimal, atë që ne e quajmë si ‘minimum green’, të gjithë rrugëve të trafikut të biçikletës në qytet dhe në mënyrë të vazhdueshme, në secilën prej rrugëve që jemi duke ndërtuar po sigurohemi që të ketë një rrugë të posaçme për biçikletat dhe në secilin prej hapave po tentojmë që ta përmirësojmë situatën e çiklistëve në qytet”, deklaroi Mazniku. Nënkryetari i Bashkisë informoi gjithashtu për shtimin e parkimeve në qytet për biçikletat.

Ndërsa ambasadorja e Holandës, Dewi Van De Weerd informoi edhe më tej mbi nismën e inicuar nga vendi i saj, duke theksuar se sot në gjithë Evropën është marrë një angazhim serioz për këtë çështje. “Në Amsterdam 28 ministra të Transportit do të takohen së bashku, në mënyrë që të flasin për mënyrën e pedalimit si një mënyrë shumë e mirë dhe miqësore për mjedisin dhe më shumë se kaq. Pedalimi është dhurata më e mirë që holandezët mund të japin si shembull për të gjithë vendet e tjera”, tha ajo. Ambasadorja ftoi të rinjtë t’i bashkohen aktivitetit të sotëm. Aktivitetet tona nuk do të mbyllen këtu sot, përkundrazi ne fillojmë sot këtu me një sërë aktivitetesh”, tha Van De Weerd. Ajo bëri të ditur se në fund të majit, në Tiranë do vijnë ekspertë holandez të cilët do të asistojnë Bashkinë e Tiranës për përmirësimin e infrastrukturës së pedalimit.