Historiku i Tiranës

 

Për tu njohur me historinë e qytetit të Tiranës, duhet të kthehemi shumë pas në kohë, pikërisht në kohën kur fjala “Tiranë” u përdor për herë të parë.

Për emrin e qytetit ekzistojnë shumë gojëdhëna, megjithatë studime serioze kanë dalë në perfundimin se emri i Tiranës është përdorur shumë herët në histori. Për këtë arsye sot kemi tre hipoteza kryesore:

1-Sipas hipotezës së parë, fjala “Tiranë” mendohet se vjen nga fjala “Theranda”, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin “Të Ranat”, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujrat nga malet përreth.

2-Hipoteza e dytë thotë se “Tirana” vjen nga “Tirkan”. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpatin e Malit të Dajtit. Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë, që daton në fillimin e Shekullit I para Krishtit. Kjo mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin Prokop (shek.VI), e quan Kështjella e Tirkanit.

3-Hipoteza e tretë thotë se “Tirana” vjen nga greqishtja e vjetër, “Tyros”, që do të thotë bulmet. Mendohet se ky variant ka mbetur ngaqë në fushën e Tiranës bëhej tregtimi i bulmetrave nga barinjtë e zonave përreth.

Për herë të parë emri i Tiranës në formën e sotme përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut. Tirana filloi të formëzohet në 1614 nga Sulejman Pasha, i cili ishte me origjinë nga fshati Mullet. Fillimisht, ai ndërtoi një xhami, një furrë dhe një hamam. Këto tre ndërtesa qenë fillesat e qytetit, që hovin e zhvillimit do ta merrte në shek.XX.

Sundimi familjar i familjes Bargjini nga viti 1614-1800

Sulejman BARGJINI-PASHA

Ahmet Myftar BARGJINI-PASHA (i biri i Sulejmanit)

Ibrahim BARGJINI-BEJ (i biri i Ahmetit)

Ahmet BARGJINI-PASHA (i biri i Ibrahimit)

Dy shekuj me vonë, drejtimin e qytetit e mori familja Toptani nga Kruja, ndërkohë që sundimi familjar i Bargjinëve u ndërpre pasi Ahmet BARGJINI nuk kishte djalë. Sundimin e Tiranës e mori Kapllan TOPTANI-PASHA. Katër vajzat e Bargjinëve martohen me katër djemtë e Kapllan PASHËS.

Kapllan TOPTANI-PASHA dhe njëkohësisht Sundimtar i Krujës vdes më 1816 e për pasojë sundimin e Tiranës e merr:

-Haxhi Et’hem BARGJINI-BEJ (nga fisi i Bargjinëve, por jo trashëgimtar, i cili sundoi nga viti 1817-1822, kur Toptanët rimorën pushtetin)

-Abdurrahman TOPTANI-BEJ (sundoi nga viti 1822-1837)

-Ahmed TOPTANI-BEJ (i biri i Abdurrahman TOPTANIT, sundoi nga viti 1837-1865)

Por sundimi familjar nuk do të vazhdonte dhe për shumë gjatë. Në vitin 1865 u reformua administrata e Turqisë duke u organizuar vilajetet:

-Vilajeti i Shkodrës (ose ndryshe Qarku i Shkodrës)

-Sanxhaku i Durrësit (Prefektura e Durrësit, nënprefektura e Tiranës)

Ky administrim vazhdoi deri në vitin 1912 me shpalljen e Pavarësisë. Nga viti 1913 Tirana administrohet nga Kryebashkiakë vendas, duke vijuar deri më sot, 103 vjet pas vendosjes së administratës lokale shqiptare.

Si u zhvillua Tirana?

Në qytet u bënë disa punime të rëndësishme, ku ndër më të njohurat është Xhamia e Et’hem Beut. Xhamia filloi të ndërtohej në vitin 1789 nga Molla Beu, i ardhur nga Petrela. Xhamia u përfundua më 1821 nga i biri i Molla Beut, Haxhi Et’hem Beu, stërnipi i Sulejman Pashës. Për ndërtimin e saj punuan mjeshtrit më të mirë të Shqipërisë.

Kulla e Sahatit u fillua nga Haxhi Et’hem Beu rreth vitit 1821-1822 dhe u përfundua me ndihmën e familjeve të pasura të Tiranës. Montimi i sahatit u bë nga familja Tufina. Më 1928 u ble në Gjermani nga shteti shqiptar një sahat modern dhe kulla u ngrit në lartësinë 35 metra. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Sahati u dëmtua, por u rivendos në punë në korrik të vitit 1946.

Kisha Ortodokse e Shën Prokopit u ndërtua në vitin 1780. Kisha e Shën Prokopit është ndërtuar për nder të Shenjtorit mbrojtës të Tiranës, Shën Prokopit.

Kisha Katolike e Shën Mërisë u ndërtua në vitin 1865 me shpenzimet e Perandorit austro-hungarez Franz Jozef.

Ura e Tabakëve  (aktualisht ura e Rrugës së Elbasanit), daton në fillim të shekullit XIX.

Tyrbja e Kapllan Pashës, (pranë monumentit “Ushtari i Panjohur”), është ndërtuar në vitin 1816.

Bibloteka Kombëtare u themelua në vitin 1922 dhe kishte 5000 vëllime.

Kalaja e Petrelës ndodhet 12 km nga Tirana dhe daton në shekullin IV, para Krishtit. Formën e saj aktuale e mori në shekullin e XIII nën sundimin e Topiajve dhe më vonë kaloi pronë e familjes së Kastriotëve.

Plani i parë rregullues i qytetit u hartua në vitin 1923 nga Estref Frashëri.

Rruga e Durrësit është hapur më 1922 dhe quhej rruga “Nana Mbretneshë”. Për ndërtimin e saj u prishën shumë shtëpi e kopshte. Godina ekzistuese e Parlamentit u ngrit më 1924 dhe fillimisht ka shërbyer si Klubi i Oficerëve. Atje, më 1 shtator 1928, Ahmet Zogu shpalli monarkinë.

Qendra e Tiranës është projektuar nga arkitektët e njohur italianë të periudhës musoliniane Florestano de Fausto, Gherardo Bosio dhe Armando Brasini. Pallati i Brigadave (ish-Pallati Mbretëror), godinat e Ministrive, Banka Kombëtare dhe Bashkia janë vepra të tyre.

Bulevardi “Zogu i Parë” është ndërtuar në vitin 1930 me emrin Bulevardi Zogu I. Në periudhën e komunizmit pjesa nga Sheshi “Skënderbej” deri tek Stacioni i Trenit u quajt Bulevardi “Stalin”.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” filloi të ndërtohet më 1940 nën emrin Bulevardi “Viktor Emanuel III”.

Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operas dhe Baletit dhe Bibloteka Kombëtare, u përfundua në vitin 1963. Ai u ndërtua mbi ish-Pazarin e Vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga ish-Presidenti sovjetik Nikita Hrushov më 1959.

Monumenti i Skënderbeut, i ngritur më 1968, është vepër e Odhise Paskalit,  Andrea Manos dhe Janaq Paços. Ai u përurua me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Monumenti “Nënë Shqipëri”, 12 metra i lartë, u përurua në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” më 1971. Është vepër e përbashkët e skulptorëve, Muntaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri.

Akademia e Shkencave është godinë mbi 100 vjeçare. Më 1920 në këtë godinë u vendos Këshilli i Lartë.

Galeria e Arteve Figurative u krijua më 1976 dhe në të përfshihen rreth 3200 vepra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Muzeu Historik Kombëtar u ndërtua më 1981 dhe afresku në pjesën ballore të tij titullohet “Shqipëria”.

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ish-muzeu “Enver Hoxha”, u përurua më 1988. “Piramida” u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Klement Kolanecit dhe Pranvera Hoxhës.

Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm më 11 Shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe përfundimisht e mori këtë status më 31 dhjetor 1925.

Tirana është kryeqendra botërore e bektashinjve nga viti 1925, vit kur Kryegjyshata Botërore u shpërngul nga Turqia.

Në vitin 1917 në Tiranë hynë kinematë e para; në vitin 1938 filloi Radio Tirana dhe në vitin 1960 televizioni.

Makinat e para hynë në vitin 1914, ndërsa në vitet 20 u ndërtua aeroporti i parë, ai i Laprakës që në fund të viteve 50 u pasua nga aeroporti i Rinasit.

Popullsia

Në vitin 1703, Tirana kishte 4000 banorë.

Në vitin 1820, Tirana kishte 12.000 banorë.

Në vitin 1901, Tirana kishte 15.000 banorë.

Në vitin 1838, Tirana kishte 38.000 banorë.

Në vitin 1945, Tirana kishte 60.000 banorë.

Në vitin 1990, Tirana kishte 250.000 banorë.

Popullsia e Tiranës më 1 Janar 2015 arriti 800.986 banorë.