Tirana ka nevojë të përjetësojë njerëzit që lënë gjurmë

Nga sot segmenti nga rruga “Faik Konica” deri pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë do mbajë emrin “Rruga e Atjonit”, në kujtim të djalit të shkrimtarit të njohur, Visar Zhiti, i cili humbi jetën tragjikisht dy vite më parë, në moshën 19 vjeçare në një aksident rrugor. Pllakati me emrin e Atjon Zhitit u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe familjarë e miq të Atjonit, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar gjatë ditës së sotme, ku merrnin pjesë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, si dhe Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza.

Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ditë të tilla bëjnë të mundur që çdokush të kuptojë se çfarë e bën qytetar dhe çfarë e dallon nga të qenit thjesht banor i një qyteti me një milion banorë. “Më vjen mirë, i dashur Visar, që kjo rrugë në zonën pranë qytetit “Studenti”, pranë fakulteteve kryesore të universitetit dhe në kufi me parkun e liqenit, ka emrin e djalit tënd, i cili na bëri të gjithëve krenarë. Më vjen mirë që shokët e tij dëshmojnë se ka një dëshmi përtej datës së lindjes dhe datës së largimit nga kjo jetë, që është dëshmia e njeriut të mirë, e besoj se na frymëzon të gjithëve sot”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Më tej, ai shtoi se për Atjonin nuk kishin rëndësi vitet që ai kishte, por jeta që kishte bërë, duke theksuar se ajo do ishte pa vlerë dhe e shkuar kot nëse çdo çast nuk do të trajtohej si diçka që vlen. “Besoj se të gjithë e dini atë shprehjen: Nuk kanë shumë rëndësi vitet në jetën tënde se sa ka rëndësi jeta në vitet e tua. Edhe Atjoni nuk kishte shumë vite në jetë, por kishte shumë jetë në vitet e tij”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se është detyrë e çdo qyteti që modele të tilla t’i kujtojë gjithmonë, edhe me emërtimin e një rruge.

“Ky ishte motivi i Atjonit që mua më frymëzoi shumë dhe shpresoj se në një qytet i cili është mbushur me dëshmorë, duhet të përjetojmë njerëz që lanë gjurmë në këtë qytet, pavarësisht moshës së re. Më vjen mirë që rruga është degëzim i rrugës tjetër “Faik Konica”; kjo është pika ku “Faik Konica” takohet me Atjonin dhe besoj se është mënyra më e mirë për të kujtuar një shok, një mik, një bir, dhe mënyra më e mirë për t’i treguar këtij qyteti se ka modele ku të aspirojmë”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë, shkrimtari Visar Zhiti falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë nismë, duke theksuar se tashmë kjo rrugë do jetë rruga e të rinjve që Atjoni përfaqësonte. “Ju jemi shumë mirënjohës për këtë gjetje të mrekullueshme. Rrugës ku kalonte një 19 vjeçar, i cili ëndërronte me shokët e tij një lagje, një Tiranë e një Shqipëri më të bukur, me propozim të kryetarit i vihet emri i tij. Mirënjohës banorëve të lagjes sonë që e mirëpritën këtë emër, kryetarit që gjeti këtë emër! Kryetarit, bashkisë e bashkëpunëtorëve tuaj, i uroj suksese, sa më shumë rrugë të bukura, me ëndrra rinore, parqe që janë më të rëndësishme se parlamenti dhe se uzinat për fëmijët”, u shpreh Visar Zhiti.

Atjoni humbi jetën tragjikisht në moshën 19 vjeçare dy vite më parë, në një aksident automobilistik përgjatë autostradës “Tiranë-Durrës. Ai ishte djali i vetëm i shkrimtarit Zhiti dhe ishte kthyer në Shqipëri me pushime pasi studionte për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano.