Tirana, kryeqyteti i shqiptarisë

Në prag të festave të Nëntorit, Tirana është kthyer në kryeqytetin e shqiptarisë. Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ajo mikpriti sot 4 kryetarët e bashkive nga Prishtina, Tetova, Ulqini dhe Presheva, të cilat i janë bashkuar të parat Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon. Ata u pritën në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit, por edhe shkëmbimit të përvojave më të mira për zhvillimin dhe mirëqenien e faktorit shqiptar në qytetet ku drejtojnë.

Më pas, 5 kryebashkiakët dhanë një konferencë të përbashkët shtypi, ku vlerësuan nismën për krijimin e Unionit dhe bashkëpunimin mes bashkive shqiptare. Kryebashkiaku Veliaj, teksa falenderoi të ftuarit, theksoi se ky takim, por edhe Konferenca e Unionit të Bashkive Shqiptare, e cila zhvillohet gjatë ditës së nesërme, do mundësojë shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira.

“Ky nuk është një projekt nacionalist, por është një projekt praktik, një mënyrë fantastike që 5 bashkitë kryesore të mblidhen në Tiranë. Fati i Shqipërisë është se rrethohet nga shqiptarë të tjerë, ndaj besoj se është shumë e rëndësishme që të mësojmë nga njëri-tjetri. Ajo që po funksionon mirë në Prishtinë, në Tetovë, në Ulqin ose në Preshevë; çfarë mund të mësojë prej tyre Tirana, por edhe çfarë mund të japë në shkëmbim. Sot do të kemi një ditë vizitash për të parë disa nga projektet në Tiranë, si sheshi “Skënderbej”, këndi i lojërave te Liqeni, mënyra si po konceptojmë stadiumin e ri dhe shumë prej projekteve gjigande të Tiranës, që do të shënjojnë kryeqytetin e shekullit të ri”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se ky është hapi i parë i krijimit të rrjetit të kryetarëve të bashkive dhe komunave të të gjitha qyteteve të rajonit që drejtohen nga shqiptarët.

“Ky është vetëm fillimi! Duam që pas 5 bashkive kryesore, rrjeti të zgjerohet në të gjitha bashkitë e komunat shqiptare në rajon. Besoj se si takim i parë, kjo është vetëm një bërthamë themeluese e Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, e cila do të pasohet në të gjitha bashkitë e komunat në vendet tona dhe shumë shpejt do të botojmë edhe një agjendë, ku do të kemi të gjitha aktivitetet dhe mbledhjet e tjera të Unionit, për të filluar më pas me projekte konkrete. Unë besoj me gjithë zemër se ky është shekulli i shqiptarëve, i shqiptarëve të mirë që punojnë dhe që kanë fokusin te puna dhe tek arritjet konkrete”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

Rëndësinë e këtij rrjeti e vlerësoi edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila theksoi se ky takim i parë merr një vlerë edhe më të madhe tashmë në prag të festës së Pavarësisë. “Mendoj se mënyra se si e kemi kuptuar këtë ide dhe këtë nismë është në fakt ai patriotizmi modern, patriotizëm i cili përveç elementit deklarativ, ka të bëjë me punën të cilën ne në baza ditore të gjithë, kemi për detyrë ta bëjmë për vendet tona, qytetet tona. Logjika e diskutimit për çështjet e përbashkëta, për sfidat ditore që i kalojnë qytetet tona, të cilat në thelb janë qytete shqiptare, jo vetëm për nga numri i popullatës, por edhe për nga fryma të cilën ato të gjitha si qytete prezantojnë, në fakt na jep një detyrim të madh”, tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, shprehu kënaqësinë për konkretizimin e kësaj nisme, si dhe theksoi se takime të tilla i shërbejnë drejtuesve të bashkive, por edhe stafeve të tyre drejtuese, për të vlerësuar drejt problematikat me të cilat përballen sot qytetet shqiptare. “Problematika e qyteteve shqiptare, pajtohem që është problematikë e veçantë, e cila na detyron, na sfidon që të bashkëpunojmë, në mënyrë që këto çështje t’i shkëmbejmë edhe si përvoja, edhe si zgjidhje, e pse jo, edhe nëse diçka ka që e kemi provuar dhe s’ka ecur, t’i themi të tjerëve që mos e provoni, sepse kjo nuk funksionon. Ky është vetëm takimi i parë, shpresoj që komunat e tjera sa më shpejt të jemi nikoqirë të takimeve të radhës dhe të fillojmë dhe të shtojmë komunat e tjera, që edhe ato të bëhen pjesë e këtij rrjeti”, tha Ahmeti.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu ka vlerësuar punën që po bëhet në Tiranë, duke theksuar nevojën që këto eksperienca pozitive të zbatohen edhe në qytetet e tjera shqiptare. “Mua më gëzon fakti, me këto arritje që ka arritur Tirana dhe të gjitha këto projekte që Erioni na ka treguar në pika të shkurtra dhe besoj se çdo shqiptar kudo që është, do të mburret me këto arritje të cilat janë posaçërisht në Shqipëri. Mendoj se këto eksperienca që do t’i shkëmbejmë së bashku, do të na ndihmojnë edhe ne si kryetarë të komunave”, u shpreh Cungu.

Edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi shprehu kënaqësinë e vendosjes së këtij bashkëpunimi mes komunave dhe bashkive shqiptare, duke theksuar rëndësinë që ka ai, sidomos për komuna që ndjejnë edhe më shumë nevojën e mbështetjes, siç është ajo e Preshevës. “Ka për t’i shërbyer sidomos komunave tona, të cilat janë jashtë sistemit shtetëror shqiptar. Ne jemi të vetëdijshëm që nëpërmjet këtij bashkëpunimi, jo vetëm që e ngremë nivelin e jetesës, ose kualitetit të jetës në qytetet tona, në bashkitë tona, por sigurisht që është një mesazh, të cilin ia japim të gjithë shqiptarëve, që nëpërmjet unifikimit dhe bashkëpunimit konkret me qytetarët, mund të arrihet diçka shumë konkrete dhe pozitive për të ardhmen e tyre dhe të krijojmë perspektivë për të jetuar në këto vende”, tha Arifi.

Kryetarët e bashkive shqiptare të rajonit u pritën në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Këshillit të Bashkisë së Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili theksoi qëllimin emancipues, modern e evropian të këtij Unioni, si dhe mundësinë që ky bashkëpunim të shtrihet edhe ndërmjet këshillave bashkiak dhe komunal. “Qëllimi është që shqiptarët në territorin e tyre të kenë cilësi jete më të mirë. Projektet që Erioni po avancon në Tiranë, Shpendi në Prishtinë, Teuta në Tetovë, Shqiprimi në Preshevë, Nazifi në Ulqin, do të kenë mundësi që të njihen nga njëri-tjetri dhe pse jo, të replikohen në bashkitë apo komunat tuaja, si një përqasje elementesh që rrisin cilësinë e jetës dhe na bëjnë të jetojmë më mirë. Ne kemi të gjithë nevojë të përfitojmë nga eksperienca e njëri-tjetrit”, tha Dalipi.

Më pas të 5 kryetarët e komunave dhe bashkive të rajonit kanë vizituar disa nga kantieret kryesore të punës që janë hapur nga Bashkia e Tiranës, si ai i transformimit të sheshit “Skënderbej”, ndërtimi i stadiumit “Arena Kombëtare”, si dhe morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të shpalljes së Pavarësisë së Tiranës.