Tirana mundësi shumë e mirë për të investuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përshëndeti sot Samitin e Diasporës Shqiptare, duke marrë pjesë në panelin me temë: “Zhvillimi Ekonomik në Atdhe dhe Roli i Diasporës”. Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Tiranës theksoi rëndësinë që ka faktori ekonomik në forcimin e rolit të diasporës shqiptare, por edhe në zhvillimin e vendit mëmë. Ndaj, duke përfituar nga prania e përfaqësuesve të diasporës, ai i ftoi ata që ta shohin Tiranën, në gjithë territorin e saj të zgjeruar, si një mundësi e mirë për të investuar dhe për të bërë biznes. Sipas Veliajt, investimet publike të kryera nga Bashkia e Tiranës në kryeqytet kanë rritur ndjeshëm vlerën e pronës, ndaj edhe kushdo që do të investonte në të do të përfitonte prej saj.

“Vlera e pronës në Tiranë është rritur me 16% vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti. Merreni si një këshillë falas: nëse keni hequr para mënjanë, investojini në një pronë në Tiranë, se sa në një bankë evropiane ose amerikane. Sot, përqindja e interesit në bankë është më e ulët se inflacioni, ndërsa në disa banka të tjera evropiane e paguani ju bankën që t’u mbajë paratë dhe jo banka ju me interes. Kështu që, në qoftë se doni një ide për biznes apo investim të vogël, Tirana është qyteti me rritjen më të shpejtë të vlerës së pronës në të gjithë rajonin tonë. Kjo është arsyeja pse shumë prej fqinjëve tanë janë duke blerë prona në Tiranë për ta konsideruar këtë një investim afatgjatë”, tha Veliaj. Gjithashtu, ai informoi përfaqësuesit e diasporës se Bashkia e Tiranës po punon të krijojë një sërë lehtësirash të tjera për të thithur investimet e huaja. Veliaj përmendi se një prej tyre është edhe krijimi i një zone të lirë ekonomike.

“Si bashki do të kthehemi në një operator ekonomik, ndaj po aplikojmë të hapim një zonë ekonomike në zonën e Kasharit, aty ku po ndërtojmë edhe impiantin e ri të përpunimit të ujërave të Tiranës. Kemi identifikuar një zonë rreth 60 ha”, tha Veliaj. Ai theksoi se tashmë Bashkia e Tiranës falë edhe mundësive që sjell, ligji i ri ofron lehtësira të shumta në dhënien e lejeve për zhvillime e investimeve. “Bërja e biznesit ka pasur një performancë të jashtëzakonshme vitin e fundit. Një pjesë i kushtohet punës në Tiranë, sidomos me lehtësinë e lejeve që jep Bashkia e Tiranës. Për shembull, lejet e ndërtimit, nga ky vit, janë të gjitha online. Nuk është më mision i kryetarit të Bashkisë apo i njohjeve që ti ke në administratë. Është një proces transparent online, ku edhe qytetarët, por edhe të interesuarit, mund të shikojnë kush po aplikon, me cilat kushte, sa po respektohen ligjet dhe sigurisht, sa po paguhet taksa si një detyrim ndaj qytetit për t’u përdorur për investime”, shtoi Veliaj.

Duke evidentuar të mirat që kanë sjellë investimet në kryeqytet, ai theksoi se hapja e më shumë se 100 kantiereve të punës ka ndikuar ndjeshëm edhe në uljen e papunësisë. “Tirana ka shënuar uljen më të madhe të papunësisë, edhe pse mesatarja është në përgjithësi më pozitive, por impakti më i madh është në Tiranë. Vetëm mbi 100 kantieret e bashkisë kanë mbi 10 mijë vetë të punësuar, por kjo do të thotë që edhe rritja e vlerës në të gjithë sistemin imobiliar në Tiranë çon në shtimin e punësimit dhe të investitorëve në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e vlerësoi mbajtjen e këtij samiti edhe si një mundësi shumë të mirë për ekonominë e qytetit dhe në mënyrë të veçantë të hoteleve, restoranteve apo edhe e bizneseve të tjera që ofrojnë shërbime të ndryshme.