Tirana përkujton 104-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Tirana përkujtoi sot 104-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në sheshin simbol të shqiptarëve, sheshi “Skënderbej”, nën tingujt e Bandës frymore të Tiranës, u zhvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar. I pranishëm në këtë ceremoi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se Shpallja e Pavarësisë është një nga ditët më të bekuara për të gjithë shqiptarët.

“I Uroj Gëzuar Festën qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë! Është një ditë e bekuar, kemi 104 vite Pavarësi. Nuk është një arritje e vogël dhe duhet të jemi krenarë për këtë. Në një rajon plot tallaze dhe plot vështirësi, 104 vite pavarësi janë një histori suksesi. Sigurisht, ne kemi kaluar vështirësitë tona, por unë shpresoj se ditët më të mira i kemi përpara. Ndaj, dua t’u uroj qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, gëzuar dhe begati!”, tha Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj tha se në këto momente, akti më i madh patriotik është puna për modernizimin e qytetit dhe të gjithë Shqipërisë.

“Kemi më shumë nevojë sot, në dallim nga 104 vite më parë kur luftonim me armë, sot na duhet të punojmë, e sot na duhet të modernizojmë Tiranën e të gjithë Shqipërinë. Ndaj sot, për Bashkinë e Tiranës, akti më i madh që mund të bëjmë është t’i lëmë fjalët, të hapim më shumë kantiere si ky, të fokusohemi te puna dhe ta modernizojmë qytetin tonë, që është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Dje përfunduam me sukses një nismë, “Unionin e Bashkive Shqiptare” në rajon, sepse kemi kuptuar që megjithëse jemi të ndarë në 5 shtete, me kryetarë komunash dhe bashkish, kemi një fat që rrethohemi nga shqiptarë të tjerë dhe kjo është një arsye për të punuar bashkë”, tha ai. Veliaj deklaroi se vitin tjetër flamuri do të ngrihet në sheshin më të bukur të trevave shqiptare dhe në rajon.

“Kjo është hera e parë dhe e fundit që ceremonia e Flamurit ndodh në një kantier. Vitin tjetër nuk do të jetë më kantier, do të jetë sheshi i përfunduar “Skënderbej”. Siç e shikoni, po ecim me ritme të jashtëzakonshme, kemi filluar porositë, pllaka, pemë, bimë që përfaqësojnë të gjitha trevat shqiptare, për t’u siguruar që nëntorin tjetër do ta festojmë në një shesh, që do të jetë sheshi më i bukur i trevave tona dhe ndoshta më i bukuri në rajon”, u shpreh ai.