#TiranaSmartCity: 112 projekte konkrete nga pesë fusha

Me 112 projekte konkrete nga pesë fusha prioritare, Bashkia e Tiranës prezantoi idetë dhe vizionin e saj për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Konferenca e Donatorëve “Go Tirana Smart City 2016-2026”, organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe UNDP mblodhën së bashku sektorin privat, investitorët dhe donatorët, të cilët u njohën me projektet e hartuara nga Bashkia e Tiranës, për të cilat u kërkua partneriteti dhe mbështetja financiare nga donatorët.

Në konferencën e donatorëve, ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellen Goldstein dhe Brian Williams, koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD-it.

Në fjalën e hapjes së kësaj konference, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se përmes projekteve synohet që të ndërtohet një qytet i jetueshëm për të gjitha moshat. “112 projekte ilustrojnë ambicien tonë, por sigurisht edhe një mënyrë për të thënë që kemi nevojë për ndihmë, për partneritet, ndaj jo pa qëllim kjo nuk është vetëm një konferencë e donatorëve, por konsiderohet një konferencë e partnerëve”, tha Veliaj.

Duke prekur disa nga projektet konkrete, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se shumë nga idetë që prezantohen kanë të bëjnë me parkimet publike të cilat kërkojnë të zhvillohen me një partneritet publik-privat, ashtu siç është filluar dhe për të ngritur rreth 10 të tilla. “Do të flasim për atë që quhet rrjeti minimal i korsive të biçikletave, nuk mjafton vetëm një projekt pilot që kemi nisur në hyrje të Tiranës. Kemi një ambicie ta shtrijmë këtë rrjet në të gjithë qytetin. Ne do të ndërtojmë dy terminale për të cilat jemi të hapur për partneritet publik-privat, partneritet në terminalet e autobusëve, ai që quhet sistemi multimodal”, sqaroi Veliaj disa prej projekteve.

Kryebashkiaku tha sa do të ketë një fokus shumë të veçantë në disa tema që më parë nuk kanë qenë primare për Bashkinë, siç janë temat rurale. “Ka shumë projekte për pika të grumbullimit dhe çështje që kanë të bëjnë me zonat rurale, incentivimin e bujqësisë, mënyrën se si ne duam të deklarojmë disa zona të hapura për investime, siç mund të jenë zona ekonomike apo zona industriale, apo pika të teknologjisë së informacionit”, sqaroi Veliaj.

Ai theksoi se për disa tema të nxehta sociale, Bashkia e Tiranës nuk preferon të flasë e të bëjë seminare, por preferon të japë zgjidhje. “Një prej tyre, temë shumë e nxehtë është ajo e strehimit të romëve. Si bashkëhartues i planit të veprimit për 10 vitet e ardhshme për komunitetin rom, jam shumë i qartë se çfarë duhet të bëjmë. Kjo është edhe arsyeja pse nga shumë donatorë, nuk kërkojmë më seminare dhe konferenca, por kërkojmë njësi strehimi, si një mënyrë konkrete për të dhënë një produkt konkret dhe zgjidhur kriza apo situata të kësaj natyre”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, për herë të parë, pas 4 viteve në Tiranë rikthejmë vëmendjen tek kultura, tek rinia, tek disa aktivitete, duke kuptuar se njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë, njerëzit jetojnë edhe me art, kulturë, edhe me estetikë e gjërat e bukura që i frymëzojnë dhe asociojnë dikë me jetën e qytetit.

Koordinator i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD-it, Brian Williams, falënderoi kryebashkiakun për bashkëpunimin dhe u bëri thirrje të gjithë partnerëve për zhvillimin e Shqipërisë të shohin përreth dhe të identifikojnë mënyra për t’i bërë ato produktive. “”Më lejoni zoti kryetar i bashkisë t’ju shpreh falënderimet e mia për vizionin dhe energjinë tuaj dhe të stafit tuaj, për organizimin e kësaj konference të suksesshme sot. Shprehim gatishmërinë tonë për t’ju ndihmuar, në mënyrë që qytetarët e Tiranës të shohin rezultatet e këtij angazhimi. Ju uroj shumë suksese në punën tuaj dhe pres me padurim të bashkëpunoj me ju sa më shpejt”, tha Williams.

Vizioni i ri i Bashkisë është transformimi i Tiranës nga një qytet që përsiatet çdo ditë për të ofruar shërbimet bazike tek qytetarët e saj, në një qytet që është i miqësor dhe lehtësisht i aksesueshëm për qytetarët apo turistët. Fushat prioritare janë pesë: zhvillimi ekonomik dhe rural, zhvillimi social dhe jeta në qytet, si dhe transporti . Për secilën nga këto pesë fusha në konferencë u prezantuan projekt ide që variojnë nga planifikimi më i mirë urban, zhvillimet infrastrukturore në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike. Kjo konferencë synoi të prezantojë zgjidhje efektive, të cilat ulin kostot, ulin përdorimin e burimeve të limituara apo të fundme si dhe angazhojnë të gjithë aktorët e shoqërisë në zhvillimin e saj. Për arritjen e këtij vizioni, Bashkia e Tiranës synon të krijojë lidhje të forta mes qeverisë lokale, sektorit privat, investitorëve vendas e të huaj, donatorëve, e institucioneve që ofrojnë ekspertizë në fusha të ndryshme dhe më e rëndësishmja qytetarëve.