Tiranë – Prishtinë, platformë bashkëpunimi

Tirana dhe Prishtina do të rrisin bashkëpunimin mes tyre për përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy kryeqyteteve shqiptare, por edhe për të mundësuar një organizim më të mirë të të gjitha bashkive që drejtohen nga shqiptarët në rajonin e Ballkanit. Kjo ishte tema kryesore e diskutimit të djeshëm mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Bisedë e cila u fokusua edhe te shkëmbimi i praktikave më të mira mes dy njësive vendore shqiptare dhe zbatimin e tyre në në të mirë të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zhvillimin urban të dy qyteteve.

Veliaj dhe Ahmeti mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën vlerësuan si të domosdoshëm shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve në lidhje me mënyrën se si mund të përmirësohen më tej shërbimet ndaj qytetarëve, nisur edhe nga fakti se problematikat urbane me të cilat përballen sot Tirana dhe Prishtina janë të ngjashme.

“Tirana është më e madhe se Prishtina, por problemet i kemi të ngjashme, prandaj edhe kemi diskutuar për projekte të përbashkëta, shkëmbime të përvojave tona, dhe besoj se në këto dy ditë do të konkretizojmë disa nga këto plane. Shfrytëzoj rastin ta përgëzoj për punën dhe ndryshimet që po ndodhin në Tiranë dhe besoj se edhe Tirana, edhe Prishtina, por edhe qytete të tjera shqiptare, të jenë shembuj të reformës së mirëfilltë, qofshin ato në transportin publik, në parqe, në çerdhe, në gjëra të cilat kanë ndikim në jetën e përditshme të njerëzve”, deklaroi kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi homologun e tij për mikpritjen dhe theksoi se e rëndësishme për ta si drejtues të punëve vendore është të përqendrohen te puna dhe zbatimi i projekteve që sjellin përmirësim në jetën e qytetarëve.

“Sfida jonë si kryetarë të njësive vendore është të mbetemi të fokusuar, por edhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Shpeshherë në politikën tonë mundohemi të shpikim rrotën ose të kopjojmë si e bëjnë të tjerët, kryesisht perëndimorët. Por, më mirë se sa e njohim ne mentalitetin tonë nuk e njeh askush tjetër dhe jam këtu që të mësoj. Jam këtu që të ndaj me ekipin tonë disa gjëra që kanë funksionuar në Tiranë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Duke folur për angazhimet konkrete të këtij bashkëpunimi, ai vuri në dukje 5 pika kryesore në të cilat do të fokusohen shkëmbimet e përvojave mes Tiranës dhe Prishtinës, ku përfshihet urbanistika apo planet urbane, pastrimi, trafiku, lëvizshmëria dhe parqet rekreative.

 “Unë besoj se nuk kemi qenë asnjëherë më të bashkuar se sot, për sa kohë që çdo ditë bëjmë pak progres drejt një bashkimi konkret dhe jo një bashkimi emocional. Pesë temat kanë të bëjnë me shkëmbimin e përvojave në urbanistikë; planet urbane, se si qytetet shqiptare të jenë më të jetueshme; në çështje të pastrimit, që qytetet tona të jenë më të pastra; çështje të mobilitetit, që shqiptarët të jenë më mobil, të qarkullojnë më lirshëm; në çështje të parqeve dhe rekreacionit, sepse sot jemi të gjithë të ‘burgosur’ nëpër makinat tona dhe askush nuk po shijon natyrën. Kjo është një platformë e rëndësishme”, tha Veliaj.

Për t’i bërë sa më efektive këto shkëmbime praktikash, por edhe çdo ide që zbatohet në të mirë të qytetarëve, Veliaj theksoi se është e rëndësishme që politika t’i lërë bashkitë të punojnë. “Është shumë e rëndësishme t’i lesh kryetarët e bashkive të punojnë. Të gjithë duhet ta kuptojnë se harxhojmë shumë kohë, si këtej edhe andej kufirit, me fjalë, me retorikë. Duhet më shumë punë! Besoj se kjo ka qenë diçka që ka funksionuar me sukses në Tiranë dhe mezi pres të mësojmë këto ditë çfarë ka funksionuar në Prishtinë e të kemi mundësi ta zbatojmë atje”, shtoi Veliaj.

Pjesë e diskutimit mes Veliajt dhe Ahmetit ishte edhe organizimi më i mirë dhe funksional i Unionit të Bashkive Shqiptare. Kryebashkiaku i Tiranës tha se për këtë janë hedhur hapa konkretë, që do të vihen në zbatim në prag të festës kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Së bashku me Shpendin kemi marrë vendimin për ta konkretizuar nismën për një union të bashkive kryesore shqiptare në rajon. Fundjavën përpara Ditës së Pavarësisë, në datën 26 dhe 27 nëntor, do të mblidhemi në Tiranë, së bashku me kryetarin e komunës së Tetovës, Preshevës dhe Ulqinit. Do të jetë një privilegj t’i mirëpresim në Tiranë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Besoj se edhe në Ditën e Pavarësisë nuk na lipset shumë turbo-folku i nacionalizmës se sa na duhet qasje konkrete se si shqiptarët mund të jetojnë më mirë, si mund të shkojnë në shkolla më të mira, si mund të shkojnë në çerdhe, në kopshte më të mira, si mund ta kenë infrastrukturën më të mirë, si të kenë transport publik më të mirë, qytete më të pastra dhe besoj që kjo platformë është një bashkim praktik dhe jo bashkim emocional dhe retorik”, u shpreh Veliaj.

Në vizitën e tij në Prishtinë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shoqërohet nga Aldrin Dalipi, kryetar i Këshillit Bashkiak, nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali dhe Andi Seferi, si dhe anëtarë të tjerë të Këshillit Bashkiak. Ata u pritën nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe nga Halim Halimi, Kryetar i Asamblesë Komunale, Dardan Sejdiu, Nënkryetar i Komunës së Prishtinës etj.

Gjatë ditës së sotme, kryebashkiaku Veliaj do të zhvillojë një takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ndërkohë, nesër Veliaj do të takohet edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.