Titulli “Simbol i Qytetit” për misionin e “Nënë Terezës”

Misioni i “Nënë Terezës” në Shqipëri u nderua sot nga Bashkia e Tiranës me titullin “Simbol i Qytetit të Tiranës”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi shtëpinë e motrave “Nënë Tereza”, ku edhe u dorëzoi titullin, të cilin e vlerësoi si shenjë mirënjohjeje ndaj humanistes së njohur. “Jam shumë i bekuar që, bashkë me një pjesë të stafit të bashkisë, ndodhem në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës, që ofrojnë shërbime të posaçme në qytetin tonë, për njerëzit më në nevojë, për të sëmurët dhe të braktisurit. Siç thoshte edhe Nënë Tereza: ‘Nuk bëjmë dot të gjithë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë disa gjëra të vogla, me dashuri të madhe’”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai tha se siç është kjo qendër për meshkujt e moshuar në nevojë, ka dhe një qendër tjetër, akoma më të madhe, për zonja në moshë në nevojë. “Më vjen mirë që sot i kemi dhënë simbolin e qytetit të Tiranës motrave të Nënë Terezës, pasi është imazhi saj i gdhendur, për t’ju shprehur mirënjohje dhe për të theksuar që jemi qytet që ka memorie dhe që mban mend vitet ’91, ’92, vitet e para kur Nënë Tereza, por edhe motrat e para, erdhën në Shqipëri, edhe për të kuptuar që, Shqipëria mund të ketë ndryshuar shumë, por misioni ka mbetur i njëjtë, gjithmonë pranë atyre që janë në nevojë, gjithmonë solidaritet me ata që janë më të vuajturit”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se simboli i qytetit me imazhin e Nënë Terezës jepet për herë të parë dhe se do të kemi një standard për të gjithë ata që kryejnë vepra solidariteti në qytet, të jenë të denjë për të mbajtur këtë simbol. Ndërkaq, shtëpia e motrave të Nënë Terezës i dorëzoi kryebashkiakut Veliaj simbolin e kësaj qendre. “Shumë faleminderit edhe për simbolin tuaj! Do ta ruaj dhe do ta çmoj me shumë dashuri, duke kujtuar shumë mirë veprën e mirë të Nënë Terezës dhe atë që ju bëni në qytetin tonë”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se kjo është një javë, e cila do të ketë shumë aktivitete, për të përjetuar veprën e Nënë Terezës, e cila kulmon me shenjtërimin e saj në 4 Shtator. “Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës në orën 09:30, në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të vendoset pllaka e re në kujtim të misionares shqiptare. Do të kemi një shfaqje të meshës në ekran, si dhe një koncert me këngë nga kori i TOB-it. Një mundësi për të gjithë qytetarët, që ndoshta nuk janë besimtarë katolikë, por që kanë dëshirë të përjetojnë ndjenjën e krenarisë për Nënë Terezën”, tha Veliaj