Tjetër vlerësim për Tiranën

Pas çmimit për Inovacion që mori javën e shkuar në Ljubljanë, për drejtimin e Tiranës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u ftua për një vizitë zyrtare një ditore në Suedi, ku u nderua edhe me Çelësin e Qytetit të Gotheborgut. Menaxhimi qyteteve, por edhe zbatimi i projekteve që sjellin jo vetëm përmirësim të shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe që janë paqësore ndaj ambientit, kanë qenë çështjet për të cilat ai diskutoi në një sërë takimesh me zyrtarët suedezë.

Ai u prit fillimisht në një takim nga Sekretari i Shtetit, Oscar Stenström, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe atyre suedeze në shkëmbimin e përvojave, por edhe për projekte konkrete zhvillimi. Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit, Oscar Stenström, vlerësoi menaxhimin efikas të Tiranës nga ana e administratës së re. Ndërkohë që, u ra dakord për të përcaktuar një platformë konkrete bashkëpunimi mes bashkive suedeze dhe Tiranës në çështjen e dixhitalizimit, transportit publik dhe turizmin.

Në vijim të vizitës së tij në Suedi, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim të veçantë edhe nga Presidentja e Këshillit të Bashkisë së Stockholmit, Eva-Louise Erlandsson Slorach. Gjatë këtij takimi u bisedua në lidhje me mundësitë konkrete që ekzistojnë në zbatimin e përvojave dhe praktikave më të mira që Bashkia e Stockholmit ka zbatuar dhe që mund të jenë të vlefshme edhe për Tiranën. Gjithashtu, bashkëbiseduesit ranë dakord që mes dy qyteteve të planifikohen shkëmbime personeli për axhendën Green-Cities dhe zbatimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës për mbjelljen e 2 milionë pemëve të Pyllit Orbital në 15 vitet e ardhshme.

Në mbyllje të vizitës së tij, Veliaj u prit edhe nga Kryetarja e Bashkisë së Gotheborgut, Lena Malm, e cila i dhuroi kryebashkiakut të Tiranës edhe Çelësin e Qytetit të Gotheborgut. Pjesë e këtij takimi ishte edhe komuniteti shqiptar që jeton aty. Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e zbatimit të disa nga projektet inovative që zbaton Bashkia e Gotheborgut, sidomos në drejtim të përdorimit të mjeteve hibride në transportin urban.

Në Gotheborg, kompania e njohur e makinave VOLVO, po piloton sistemin e autobusëve hibridë dhe elektrikë, nje projekt ky që përkon edhe me angazhimin e kryebashkiakut Veliaj për të vazhduar trendin e nisur në Tiranë me mjetet e bashkisë dhe policisë.