Transformohet blloku i banimit në Shkozë

Nga një zonë krejtësisht informale, e lënë pasdore, ku pluhuri dhe balta mbizotëronin në çdo kohë, blloku i banimit prej 5.1ha që kufizohet nga Rr. “Bashkim Kodra”, “Shkretëve”, “Shpëtim Zajmi”, “Spahiu” dhe “Ali Shefqeti”, në zonën e re të Shkozës, është shndërruar në një hapësirë model urbane. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Elona Gjebrea dhe administratorja e Njësisë Nr.1, Trendelina Jaku, inspektoi përfundimin e punimeve në këtë bllok banimi, duke theksuar transformimin total që ka pësuar zona, e cila tashmë i bashkohet Tiranës edhe si infrastrukturë.

 “Kjo lagje quhet lagja e ‘Shkretëve’ dhe në fakt, fjala e shkretë i shkonte fare mirë sepse ishte një hapësirë me dhe, llucë, baltë, e zhytur terr dhe kaos urban. Sot lagja ka pësuar një transformim të madh. Kaluam nga dheu në asfalt, nga terri në ndriçim LED, nga kaosi në sinjalistikë moderne, nga mungesa e ujit dhe e plehrave mullar, në një situatë ku lagja ka rrjetin më modern të mbledhjes së mbeturinave në qytet. Pra, si dita me natën”, tha kryebashkiaku Veliaj.

 Ai theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe tregon se përmirësimi i jetës së qytetarëve është një qëllim i përhershëm i Bashkisë Tiranë, që nuk varet nga sezonet politike. “Nuk pritëm të vijnë zgjedhjet, ato janë një vit e gjysmë larg. Nëse fjala jepet duhet të mbahet. Më vjen mirë edhe për bashkëpunimin që patëm me qytetarët. Ky ka qenë një dimër i jashtëzakonshëm me shira dhe fakti që, në kohë rekord, fill pas shirave, arritëm të rikuperonim ditët e humbura prej motit, më bën të ndihem shumë krenar për stafin e Bashkisë së Tiranës dhe për të gjithë ata që kontribuojnë, duke filluar nga deputetja, administratorja, këshilltarët”, tha Veliaj.

 Kryebashkiaku siguroi se puna në këtë zonë do të vazhdojë për të përfunduar edhe rrugët e tjera, në skajet fundore të njësisë. “Duam të vazhdojmë deri në kulmet fundore kapilare të zonës. Megjithatë, për 4500 banorë të zonës së Shkozës sot është një ditë e bukur dhe një ditë e mbarë, një ditë që realisht ndihen se kanë ardhur më në fund në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

 Deputetja e PS, Elona Gjebrea falenderoi Bashkinë e Tiranës për punën e kryer në kryeqytet dhe vëmendjen që i ka kushtuar kësaj zone. “Këtu kemi ardhur gjatë fushatës dhe iu premtuam banorëve këtë investim, që u krye në kohë rekord. Kjo është vërtet një mbështetje shumë e madhe që Bashkia e Tiranës i jep këtij komuniteti, duke përmirësuar cilësinë jetës, duke ndihmuar për një integrim sa më të mirë të tyre në të gjithë pjesët e tjera”, u shpreh deputetja Gjebrea.

 Ky investim i rëndësishëm i Bashkisë së Tiranës ka përfshirë ndërtimin e 22 rrugëve të bllokut që kufizohet nga Rr. “Bashkim Kodra” – “Shkretëve” – “Shpëtim Zajmi” – “Spahiu” – “Ali Shefqeti”, në zonën e re të Shkozës. Krahas punimeve për trupin e rrugës, është bërë pajisja e zonës me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha, trotuareve, ndriçimi, si dhe vendosja e sinjalistikës vertikale dhe horizontale etj.