Treg i ri me standarte higjenike në njësinë 3

Banorët dhe tregtarët e Njësisë Administrative nr.3 në Tiranë kanë në dispozicion një treg të ri ku mund të blejnë dhe shesin produkte të fruta-perimeve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka përuruar sot ambientet e reja të këtij tregu, i cili ofron kushte dhe standarde tregtimi bashkëkohore, që garanton normat e higjienës dhe sigurisë ushqimore për konsumatorët.

Pasi bleu disa produkte bio në këtë treg, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky investim shkon në radhë të parë për ata që i përdorin çdo ditë këto produkte, në mënyrë të veçantë për më të moshuarit dhe fëmijët, të cilët do konsumojnë fruta dhe perime më të pastra e të sigurta. “Këtu kemi pasur një treg në kushte mesjetare, ku shitej në rrugë dhe zihej e gjithë hapësira publike. Tani hapësira publike i është kthyer qytetarëve, janë vënë stola, po mbjellim pemë, që komuniteti i zonës ta shijojë si një hapësirë të re. Kemi krijuar edhe një treg dinjitoz, me ndriçim, një strehë dhe higjienë”, tha Veliaj.

Sipas tij, ky investim vjen edhe në ndihmë të atyre qindra tregtarëve që në mungesë të një tregu funksional dhe me standarde janë detyruar të tregtojnë rrugëve të qytetit, jashtë çdo norme ligjore dhe higjiene. “Jam i vendosur që të ndihmojmë të gjithë shitësit ambulantë. Siç kemi tregje në partneritet publik-privat si ky, 100 metra më poshtë dhe 100 metra më sipër kemi tregjet e bashkisë, që janë pa asnjë taksë, ku taksa e biznesit është zero, por ama, nëse i respektojmë këto hapësira bëjmë një qytet realisht dinjitoz, siç i ka hije Tiranës” u shpreh Veliaj.

Një nga përfituesit e këtij investimi është edhe e moshuara që shiste në hyrjen e një pallati në rr. Myslym Shyri, e cila një ditë më parë, pas denoncimit të banorëve të pallatit, u gjobit me 500 lek nga Policia Bashkiake për tregtim në rrugë dhe jashtë çdo kushti. Nga sot ajo nuk do të detyrohet të shesë nëpër rrugët e qytetit, pasi do të ketë një vend të përhershëm në këtë treg. “Histeria nuk ndihmon njeri, skandalizimi i situatës nuk ndihmon njeri, vënia e kujes nuk ndihmon njeri. Nëse doni të ndihmoni njerëz, bëjeni pazarin në tregjet e bashkisë, ndihmoni edhe fshatin, ndihmoni edhe qytetin, e sigurohemi që të gjithë i mbajmë paratë brenda vendit dhe ndihmojmë ekonominë tonë”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës i ka vendosur prioritet vetes dhe po punon çdo ditë për krijimin e më shumë tregjeve me standarde në higjienë e infrastrukturë. Kjo, sipas tij, do të bëjë të mundur krijimin e sa më shumë hapësirave, edhe për ata tregtarë që vijnë nga jashtë Tiranës, në mënyrë që askush të mos detyrohet të shesë më nëpër rrugët e trotuaret e qytetit. “Me kaq burime njerëzore sa ka Bashkia e Tiranës po bëjmë maksimumin që t’u përgjigjemi në kohë çdo ankese të qytetarëve, që i duan trotuaret e lira. Por, jam i vendosur që Tirana të mos jetë më mesjetë, me tregje mesjetare, ku shitet kudo e ku bllokohet çdo rrugë”, tha Veliaj.

Po gjatë ditës së sotme kryetari i Bashkisë së Tiranës mori pjesë edhe në aksionin për mbjelljen e pemëve në rrugën e “Kavajës”, si pjesë e punës që po vijon prej disa fundjavash për mbjelljen e 7 mijë pemëve në Tiranë. Sot në këtë rrugë u mbollën 50 pemë qershi të kuqe. “Më vjen mirë që ndërmarrja jonë po vazhdon edhe në fundjavë aksionet e mbjelljeve të pemëve. Në total, në të gjithë Tiranën kemi mbjellë 6500 pemë. Këtë muaj do ta mbyllim me mbjelljen e pemës së 7 mijë. 2700 prej tyre janë mbjellë në pjesën e zonës së Parkut të Liqenit, pjesa tjetër nëpër rrugët e Tiranës. Vetëm në këtë rrugë mungonin 50 nga kumbullat e kuqe historike të Tiranës”, tha Veliaj.

Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka zgjedhur t’i përgjigjet me punë të përditshme kritikave dhe kundërshtimeve që i bëhen projekteve zhvillimore të kryeqytetit. “Tirana nuk ndryshon as me komente, as me analiza, as me llafe, por ndryshon vetëm me punë. Nëse e duan Tiranën të na japin një dorë në aksionin e pastrimit, të na japin një dorë me aksionet tona të mbjelljeve të pemëve dhe besoj se në fund të ditës argumenti më i mirë për të gjithë atë që duam të bëjmë është puna. Puna flet më shumë se sa çdo debat, çdo argument tjetër. Puna është fakt që në Tiranë gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, u shpreh Veliaj.