Ulet ndotja e ajrit

Masat e marra nga Bashkia e Tiranës kanë sjellë një ulje të nivelit të ndotjes krahasuar me një vit më parë, por situata vijon të mbetet problematike për shkak të numrit të lartë të automjeteve që qarkullojnë. Nga matjet e bëra nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në vitin 2016 ndotja në Tiranë u ul nga 78 µg/m³ në 2015, në 63 µg/m³.

 Prej disa javësh, Bashkia e Tiranës po monitoron ndotjen e ajrit në ditë të zakonshme me trafik, por dhe në ditët e pushimit, kryesisht në fundjavë, në të cilat rezulton se ka një ulje të ndjeshme të nivelit të ndotjes, për shkak edhe të uljes së qarkullimit të automjeteve. Kështu, krahasuar me një javë më parë, këtë javë ndotja e ajrit ka rënë me 10%; nga 63 µg/m³ në 59.38 µg/m³.

 Sipas të dhënave të marra nga stacioni i lëvizshëm i pozicionuar pranë Bashkisë së Tiranës, rezulton se vetëm dy elementë kanë tejkalim të vlerave të monitoruara: më konkretisht, për treguesin e PM10 dhe për NO2, të dy ndotës që shkaktohen nga trafiku dhe shkarkimet e makinave, ndërsa gjithë parametrat e tjerë të monitoruar për këtë periudhë janë brenda normës së lejuar të BE.

 Për PM10, vlera mesatare e monitoruar është 59.38 µg/m³ nga 40 µg/m³ që është norma vjetore e BE, pra kemi tejkalim të standardit vjetor të BE në masën 48.45 %.

 Ndërsa, përsa i përket të dhënave ditore, vlera më e lartë e monitoruar është 125.59 µg/m³.

 Ajo që bie në sy është se në ditët e javës ku numri i automjeteve që qarkullojnë në rrugët e kryeqytetit është më i lartë, edhe niveli i ndotjes rritet, ndërsa në fundjavë këto norma ulen ndjeshëm.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdimisht u ka bërë apel qytetarëve që të kufizojnë përdorimin e automjeteve, ndërsa ka nisur projektin për ndërtimin e 10 km korsi të dedikuara për biçikletat, një mundësi kjo për të ulur më tej ndotjen në kryeqytet.