Vandalët pengojnë zhvillimin e qytetit.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, ka reaguar pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike kundër ndërtimit të këndit të lojërave te Parku i Liqenit Artificial, duke e cilësuar si vandale dhe që pengon zhvillimin e qytetit. Në një deklaratë për shtyp, Nënkryetari i Bashkisë tha se protesta e demokratëve ishte një pseudoprotestë.

“Siç mund ta shihni sot, qytetarët panë sërish një akt të turpshëm dhe të tmerrshëm vandalizmi, ku një forcë politike e cila është larguar me votë nga qeveria qendrore dhe qeveria lokale, nuk kuptoj se me çfarë të drejte vjen dhe shkatërron pronën publike të qytetarëve shqiptarë, të paguar me taksat e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë tha se kjo sjellje nuk tregon as qytetari, as demokraci, as vlerë, është vandalizëm dhe prishje e qartë e çdo lloj logjike, ligji e funksionimi. “Sot, në secilën prej këtyre hapave, kemi parë disa njerëz të cilët nuk e durojnë dot zhvillimin e qytetit dhe janë të gatshëm që në secilin prej momenteve të marrin hunjtë, të thyejnë pronën publike, për të mos parë që ky park të kthehet e të funksionojë si një park lojrash për fëmijë”, tha Mazniku. Sipas tij, ato të cilët protestuan sot janë disa njerëz të cilët nuk e duan zhvillimin e qytetit.

Duke iu referuar Partisë Demokratike e cila organizoi këtë protestë, Nënkryetari i Bashkisë solli në vëmendje se ata e kishin qytetin për 4 vjet dhe e shkatërruan. Sipas tij, demokratët e kishin qytetin dhe kanë lënë 200 metra nga parku një gropë të madhe dhe sot kanë veshur petkun e “dashnorëve” të pemëve. “Kjo është një pseudo-protestë e cila ka vetëm një qëllim: Nuk duan zhvillimin e qytetit sepse është prova e qartë se qyteti mund të riparohet, qyteti mund të bëhet më i mirë dhe ata nuk e bënë dot. Nuk donin ta bënin se nuk kishin në zemër interesin e qytetit”, theksoi Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës përsëriti qëndrimin se projekti nuk parashikon asnjë objekt privat, por do të jetë vetëm për fëmijët. “Hapësira e parkut ku po ndërhyhet do të kthehet vetëm për fëmijë, do të jetë një park ku nuk ka asnjë interes privat, nuk ka asnjë lokal dhe do të jetë një vend ku fëmijët, me prindërit e gjyshërit e tyre mund të vijnë e të luajnë dhe kundër këtij zhvillimi”, tha Mazniku. Sipas tij, sot të gjithë panë se si vandalët u turrën dhe shkulën hunj për të penguar zhvillimin e qytetit.

“Ky është dallimi mes modeleve, mes njerëzve të cilët mundohen për të punuar, për të zhvilluar qytetin dhe atyre të cilët në mënyrë të vijueshme, vit pas viti vetëm shkatërrojnë dhe qytetarët e shohin qartë këtë diferencë”, përfundoi Mazniku.