Vendimet e miratuara nga mbledhja e Këshillit Bashkiak

Këshilli Bashkiak shpërndau sot 177 banesa sociale për familjet në nevojë strehimi, duke iu përmbajtur premtimit të Bashkisë së Tiranës për t’i shpërndarë ato brenda vitit të parë, pas bllokimit 4 vjeçar të tyre. Në total janë 177 familje përfituese, nga të cilat 37 përfituese të strukturave garsionere, 102 apartamente 2+1 dhe 38 apartamente 3+1. Familjet përfituese janë kryesisht ato që kanë në përbërje të tyre persona me aftësi të kufizuara, invalidë pune, anëtarë me statusin e jetimit, familje njëprindërore me fëmijë në ngarkim dhe familje të pastreha. Nga këto, 77 familje që do të strehohen në këto banesa sociale vijnë nga komuniteti rom.

Në prezantimin e projektvendimit për shpërndarjen e banesave sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i kënaqur që në pak muaj u bë e mundur shpërndarja e të gjitha banesave sociale, duke strehuar rreth 400 familje në Tiranë, të cilat prisnin prej vitesh të merrnin një shtëpi. “Në total kanë aplikuar 695 familje. Pra, nevojat janë shumë herë më të mëdha se ajo që shpërndajmë sot, por është e rëndësishme të kuptojmë se familjet përfituese që u kemi dhënë prioritet, duke qenë se lista ka qenë shumë e gjatë, ka të bëjë me persona me aftësi të kufizuar, familje me anëtarë që kanë statusin e jetimit, familje që kanë vetëm një nga prindërit, u kemi dhënë prioritet familjeve nga komuniteti rom dhe egjiptian, gjithashtu duke adresuar me një lloj diskriminimi pozitiv edhe përfshirjen e familjeve nga këto komunitete”, tha ai.

Veliaj shtoi se vendimmarrja dhe përzgjedhja e listës së fituesve është bërë përmes një procesi tërësisht ligjor dhe transparent, duke garantuar që banesa sociale merr vetëm ai që e meriton. “Një gjë ju’a garantoj, vrasës të 21 janarit në këto lista nuk ka. Vrasësit e 21 janarit nuk shpërblehen; pra, i jemi larguar asaj kohës që me banesa sociale shpërbleheshin deputetë, komisionerë, gardistët që vranë me plumba në mish. Nuk ndodh më që të shpërblejmë me banesa sociale ata që vrasin me plumba në mish. Gjysma e grupit parlamentar demokrat merrnin kredi të buta si varfanjakë. Sa të jem unë, kjo nuk ndodh më në këtë bashki. Ministra dhe zëvendësministra merrnin kredi të buta, kurse ai që duhet të rriste fëmijën nuk kishte akses për një kredi të butë sepse gjithë grupin tuaj parlamentar e kishit me kredi të buta. Gjithë gardistët i kishit me banesa sociale”, theksoi Veliaj.

Një tjetër vendim i miratuar nga Këshilli Bashkiak që shkon në favor të familjeve të pastreha dhe në nevojë është edhe ai “Për trajtimin me bonus strehimi të disa familjeve në nevojë, të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”. Me anë të këtij vendimi bëhet i mundur ofrimi i një shume lekësh për të mbuluar pjesërisht pagesën e qirave të tregut të lirë për 48 familje me vlera që variojnë nga 7 deri në 20 mijë lekë të reja. “Në total kanë aplikuar për bonus strehimi 76 familje. Kemi pasur disa mangësi në 28 dosje, megjithatë kemi vendosur që në këtë raund, 48 dosjet që i kanë pasur dokumentet në rregull të procedojnë, pra të mos kemi vonesa dhe sigurisht më pas, në mbledhjen tjetër, mund të procedojmë edhe me dosjet e plotësuara që kanë mbetur nga kjo mbledhje”, u shpreh kryebashkiaku.

Një vendim i rëndësishëm që u miratua sot nga Këshilli Bashkiak me propozim të Bashkisë së Tiranës, është edhe ai për “Për ngritjen e Task-Forcës për regjistrimin e asambleve të bashkëpronësisë dhe administratorëve të bashkëpronësisë”. Lidhur me këtë vendim Veliaj ka theksuar se synon t’i japë zgjidhje të gjitha problemeve që sot kanë qytetarët me njëri-tjetrin në administrimin e ambienteve të përbashkëta dhe jo vetëm. “Ky vendim zgjidh një problem madhor të komunitetit, shpesh herë ka rezultuar në konflikt mes banorëve të një pallati dhe detyrim ligjor që në 25 vite tranzicion nuk ka mundur të përmbushet”, deklaroi kryetari i bashkisë.

Në fjalën e tij, Veliaj e cilësoi pozitiv për qytetin vitin e parë të qeverisjes nga administrata e re e bashkisë, ndërsa ka theksuar se ashtu siç edhe u premtua gjatë fushatës, bashkia dhe e gjithë Tirana është kthyer në punë, teksa qytetarët po shohin frytet e para të punës së përditshme. “Për pak ditë mbushet një vit nga koha kur u betuam në këtë sallë që do e çonim Tiranën në drejtimin e duhur dhe besoj se ka një refren në këtë administratë që ka qenë puna dhe kthimi i Tiranës në punë. Ka qenë një vit fantastik dhe dua t’ju falenderoj të gjithëve”, tha Veliaj.

Duke evidentuar në mënyrë të veçantë punën e kryer në drejtim të pastrimit dhe gjelbërimit të Tiranës, Veliaj ka theksuar se prioritetet e punës së bashkisë kanë qenë fëmijët. “Besoj se edhe më skeptiku është i ndërgjegjshëm se Tirana sot është më e pastër se një vit më parë, por ende larg ambicies sonë si administratë; është më e gjelbëruar se më parë, por prapë larg ambicies sonë edhe pse po mbjellim nga një mijë pemë në muaj. Ka një siguri rrugore të shtuar ndjeshëm, vijat e reja të bardha nuk i merr shiu i parë që bie, po ashtu edhe sinjalistika në semaforë, tabela në parkime etj,”, përfundoi ai.

Lista e vendimeve të sotme të miratuara nga Këshilli Bashkiak

  1. Vendim për “Trajtim me Bonus Strehimi të disa familjeve në nevojë të cilat nuk mund të përballojnë qiranë e tregut të lirë”.
  2. Vendim për “Përzgjedhjen e listës së aplikuesve, përfitues të programit të banesave sociale me qira, në zonën e Shkozës, Ish-Fonderia Mek”.
  3. Vendim për “Ngritjen e Task Force-s për regjistrimin e asambleve të bashkëpronësisë dhe adminsitratorëve të bashkëpronësisë”.
  4. Vendim “Për miratimin e dhënies së ambientit në përdorim Organizatës Shoqërore të Përkrahjes së të Rinjve – ARSIS, për një periudhë një vjeçare, me destinacion për qendër sociale, në zbatim të Projektit “Ngritja e shërbimeve për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi, neglizhenca, dhuna dhe shfrytëzimi në Tiranë, nëpërmjet vënies ne punë të qendrës multidiplinare në Njësinë Administrative nr.7”.
  5. Vendim “Për krijimin e Qendrës TEN si një institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës”.
  6. Vendim “Për miratimin dhe zbatimin e projektit “Fuqizimi i Grave dhe Nxitja e Sipërmarrjes”, hartuar në bashkëpunim me UN Ëomen Albania”.
  7. Vendimin “Për delegimin e funksionit të mirëmbajtjes së varrezave, Ndërmarrjes së Shërbimeve Funerale, Tiranë”.
  8. Vendimin “Për miratimin në parim të dhënies me qira të objektit truall me sipërfaqe totale 10521.56 m2 në rrugën “Hamdi Pepa”, Njësia Administrative Nr.6”.
  9. Vendimin “Për miratimin në parim të dhënies me efiteozë të objektit “Reparti I Galanterisë”me sipërfaqe totale 2766.5 m2, njësi e Ndërmarrjes Metalike Tirana”.
  10. Vendimin “Për një ndryshim në Vendimin e Këshillit Bashkia të Tiranës nr.58, datë 30.12.2015, “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2016-2018 dhe detajimin e Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2016”.
  11. Vendimin “Për disa ndryshime në VKB nr.59, datë 30.12.2015 “Për sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në Qytetin e Tiranës”.
  12. Vendim për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për z. Shyqyri Reli.
  13. Vendim për dhënien e titullit “Simbol i Qytetit të Tiranës” për z. Panajot Pano.